Lamtumirë, Veprimtari dhe arsimtari i durimit dhe i besimit të pathyshëm, Prof.Agim Arif Hoxha!

0
246

„Kur dëgjoj që vdes në botë, një njeri i vendit tim, jam në zemer i pikëlluar,
se vdes një copë e shpirtit tim.“ Ibrahim Rugova

Më 25 maj 2020, u nda nga jeta në moshën 59 vjeçare, Mësuesi , arsimtar i dhjetra gjeneratave Agim Hoxha, i cili pas një infektimit me Covid-19, humbi betejën. Varrimi u bë në varrezat e fshatit Qendresë(Randobravë), në praninë e familjës së ngusht në të cilën për shkak të Pandemisë Covid-19, mungonin miqtë e shumtë të familjës Hoxha.
Lajmi për shkuarjën në përjetësi, dhe ngushëllimet për Agimin vijnë krejtësisht të natyrshme, sikurse një rrjedh e qetë lumi… Veprimtari Agim, ish kryetar i Nëndegës së LDK-së në Qendresë (Randobravë), ishte jo vetëm baba, por dhe një mësues e shok i mirë, këshill-dhënës e këshill-marrës…
I ndjeri Agim, ishte një gjeneratë para meje, në të cilën katër vitet e ciklit të lartë i mbaroj në shkollën fillore të Piranës. Aty u njohëm dhe vazhduam shoqërinë edhe në kuadër të aktivitetit dhe veprimtarisë në LDK-ë. Sa herë që takoheshim gjatë pushimeve në Kosovë; me dashamirësi pyeste për familjën dhe shprehte gëzimin duke thënë: „Sa mirë që paske ardhur. Si po ju shkojnë punët atje në Zvicër? A ke kohë për një kafe, se ju e keni kohën e kufizuar.“ etj.
Eh, sa e ëmbël është fjala mësues! Sa shumë vargje u derdhën nga poetët për këtë fjalë të madhe. Çfarë privilegji ishe të jesh mësues si Agim Hoxha nga Qëndresa. Fjala “zotëri”, sikur ishte shpikur vetëm për mësuesin Agim. Ashtu, edhe ishte dikur. Zotri ishte vetëm mësuesi. Kjo parashtesë e fjalës mësues nuk përdorej për njerëzit e tjerë, bile as për ata më të pasurit. Sa krenari ishte dikur, në vitet e shek. XX, të jeshë mësues, pra, edhe në periudhën e sundimit të njëmendësisë komuniste, kjo fjalë mbijetoi. Mësuesi ishte me të vërtetë “Zotëri”. Tash është ndryshe.
Të ndjerin Agim Hoxha vazhdimisht e ka karakterizuar atdhedashuria dhe vullneti i pathyeshëm për lirinë e Kosovës. Dhe s‘ka si të jetë ndryshe. Ai ishte i biri i Atdhetarit Arif Hoxha, i cili si NDSH-ist që ishte vuajti 12 vjet burg të rënd në burgun famëkeq të Goli Otokut, i denuar nga regjimi ish Jugosllav. Në të cilën, 4 vite të burgut i vuajti bashkë me shokun e tij të idealit, kushërin e nënës t’ime, Dajën Gani Krasniqi nga Nasheci. Bashkëkohanikët e Bacës Arif tregonin se, asnjëherë nuk e ka shfaqur as fijen më të vogël të dëshpërimit nga trusnia e rrethanave politike, të cilat e ndoqën familjen e tij atdhetare…
Ashtu edhe i biri i bacës Arif, Agimi vazhdoi rrugën atdhetare të trasuar nga babai, si burrë që nuk është ligështuar, as nuk është thyer nga pushtuesit e okupatorët serbë. Gjithnjë, ne që e kemi njohur, ishte komunikues dhe bashkëpunues për të mirën e vendit.
Ishte një aktivist e humanist, atdhetar i devotshëm, pjesëmarrës në shumë ngjarje dhe aktivitete për të mirën e vendit. Njeri i mirë e me virtyte të larta njerëzore e kombëtare.
E gjithë familja, shoqëria e të gjitha moshave, do të ndjejmë mungesën dhe zbrazëtinë që do të lë Agim Hoxha. Vepra e mësuesit Agim, do të vazhdojë gjeneratë pas gjenerate, ku Ai dallohej në proçesin edukativo-arsimor, por edhe në aktivitete të tjera të ndryshme jashtë shkollore.
U prehtë në paqe, njëherit gjithë familjes, shokëve dhe miqësisë së gjerë të tij u shprehi ngushëllimet më të thella!

27 maj 2020
Haki Latifi