Profesori shqiptar nga Tokyo Medlir Mema pjesë e rubrikës „Bardhë e Zi “ i cili për herë të parë rrëfehet për jetën dhe sukseset e tij në portalin Syri.tv

0
260

Syri.tv: Përshëndetje i nderuari z Mema! Faleminderit që pranuat të jeni pjesë e rubrikës „Bardh e Zi“ në portalin tonë Syri.tv nga Zvicra?

Medlir Mema:  Faleminderit edhe ju për ftesën dhe mundësinë.

Syri.tv: Shpresoj ta keni kaluar mirë pandeminë e virusit Covid 19 ju dhe familja juaj!?

Medlir Mema: Në përgjithësi situatën e kemi kaluar pa vështirësi shëndetësore, por sigurisht ndryshimi i ritmit të jetesës sjell me të sfidat e veta.

Syri.tv: Zotëri Mema. Na përshkruani veten pak, në pika të shkurtra në mënyrë që edhe shikuesit e TV tonë por dhe lexuesit dhe përcjellësit e portalit tonë, të cilët mund edhe të mos ju njohin sa duhet, të ju njohim më mirë?

Medlir Mema: Unë jam Medlir Mema,i  lindur në Durrës, Shqipëri. Së bashku me motrën time, kemi pasur privilegjin të rritemi dhe të edukohemi nga prindër të cilët këmbëngulën që arsimi, edukata, dhe kultura të ishin në qendër te jetës sonë. Pasi mbarova shkollën e mesme, fitova një bursë studimi në Shtetet e Bashkuara, për të ndjekur studimet në shkencat politike, së pari ne Utah State University, pastaj në Johns Hopkins University, dhe në fund, studimet e doktoratës ne George Washington University në Washington, D.C. Aktualisht, jetoj së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e mi në Tokio, Japoni.

Syri.tv: Më parë ishit disa vite në Evropë. Ku saktësisht dhe çfarë ju shtyu, apo, pse, si u gjetët në Japoni?

Medlir Mema: Në Evropë, kam pasur mundësinë dhe fatin të kthehemi e të rikthehemi disa herë. Gjatë kërkimeve shkencore për doktoratën, kaluam një periudhë kohe në Suedi dhe pastaj Belgjikë. Ishte gjatë asaj kohe që na rilindi dëshira dhe na u dha mundësia për tu rikthyer në vendlindje në vitin 2012. Pas 8 viteve të mbushura me një pjesëmarrje aktive në fushën e akademisë, politikës, edhe të fesë, erdhi koha për një tjetër angazhim dhe rritje personale dhe profesionale pikërisht në Universitetin Ndërkombëtar të Tokios.

Syri.tv: E ndjeni mungesën e vendlindjes kur mendoni se jeni aq largë sajë?

Medlir Mema: Kjo është hera e dytë që e gjej veten time si pjesë e diasporës shqiptare. Nëse herën e parë nuk e dija se çfarë më priste, kësaj radhë ajo që na pret është pak më e qartë. Kjo e bën largimin edhe më të vështirë. Sidomos kur konsideron familjarët që lë pas, shoqërinë, kolegët, dhe shumë e shumë të tjerë, kuptohet që barra e mallit të rëndon goxha. Nga ana tjetër teknologjia shkurton distancat dhe të mundëson që të vazhdosh të japësh kontributin tënd, pavarësisht distancave. Këtë qëllim ia kam vënë vetes, dhe shpresoj që të bëj më të mirën.

Syri.tv: Si është Japonia si shtet, në krahasim me një shtet në Evropë apo Amerikë? Sigurisht ka veçoritë e saja? Çfarë e bënë të dallohet nga të tjerët?

Medlir Mema: Në Japoni, kemi vetëm pak më shumë se 2 muaj që jemi zhvendosur. Duke qenë një kohë pandemie me lëvizje të kufizuara, mundësitë tona për të njohur këtë vend kanë qenë të kufizuara gjithashtu. Megjithatë, nëse në kohë të vështira tregohet karakteri i një njeriu, populli, apo shteti, do të thoja se përshtypja ime për Japoninë është shumë pozitive. Ndërsa për Evropën kam një vend të veçantë në zemrën time. Kam qenë dhe gjithmonë do të jem një njeri i aksidentit. Por Japonia, dhe Azia në përgjithësi, ofrojnë diçka te veçantë, sidomos kur konsideron se boshti ekonomik, politik, dhe ushtarak i botës sa vjen e zhvendoset më shumë drejt Azisë. Kështu që nga ky këndvështrim nuk ka kohë më të mirë për të jetuar ne Azi apo ne Japoni.

Syri.tv: Zotëri Mema. Sigurisht se, si gjithë botën, edhe ju preokupon situata me Pandeminë me virusin Covid 19. Si paraqitet gjendja aktuale në Japoni, me që jemi në fazën e fundit të kësaj pandemie?

Medlir Mema: Fatmirësisht, sapo kemi dal nga gjendja e emergjencës me një humbje minimale të jetës së njerëzve. Sigurisht, deri sa te zhvillohet një vaksinë për t’u inokuluar nga virusi, ka gjithmonë një rrezikshmëri se ai do te kthehet sërish. Nuk mund të flasim më për një rikthim në ’normalitet‘, por duhet të mësohemi me një ’normalitet të ri‘, me norma te reja shoqërore, kulturë tjetër pune, dhe mënyrë jetese tjetër.

Syri.tv: Në bazë të shifrave që ne disponojmë, (16’433 të infektuar,12’286 të shëruar dhe 784 të vdekur), Japonia nuk paraqitet si shtet shumë i rrezikuar. Si i arritën këto rezultate japonezët?

Medlir Mema: Kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë një çështje debati dhe diskutimi i përhershëm. Disa kanë propozuar se përgjigja gjendet në dietën e Japonezëve, apo në veçantinë e tyre gjenetike. Të tjerë kanë argumentuar se ndoshta versioni i virusit në Azi ka qenë ndoshta më pak agresiv. Në përgjithësi, ajo që mendohet është se kombinimi i një sistemi shëndetësor cilësor, me një politike agresive për ndjekjen dhe izolimin e qendrave virale, së bashku me një kulturë shoqërore higjienike dhe të shëndetshme, kanë kontribuar ndjeshëm në kufizimin e ndikimit të virusit në Japoni.

Syri.tv: Keni njohuri për shqiptarët në Japoni? A ka, sa janë dhe a kanë kontakte mes vete!? Sa prej tyre janë të infektuar apo dhe të vdekur?

Medlir Mema: Siç e përmenda pak më lart, kemi qenë në Japoni prej një kohe shumë të shkurtër. Si rrjedhim kontaktet dhe njohuritë tona në lidhje me diasporën shqipfolëse ne Japoni janë te pakta. Megjithatë, në bazë të diskutimeve tona me shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, jemi në dijeni se në Japoni ka një diasporë aktive dhe cilësore, e cila ka dhënë një kontribut pozitiv në shoqërinë japoneze.

Syri.tv: Z. Mema. Edhe pse larg nga vendlindja fizikisht, sigurisht se nuk jeni larg shpirtërisht. E përcillni situatën aktuale në vendlindje, në trojet shqiptare? Cilat tema apo probleme ju shqetësojnë më së shumti?

Medlir Mema: Patjetër që zhvillimet ne trojet shqiptare vazhdojnë të tërheqin vëmendjen time gjatë gjithë kohës. Jam shume i shqetësuar në veçanti me zhvillimet politike në Shqipëri dhe rrugëtimin që qeveria aktuale ka ndërmarre. Kosova, të cilën e dua shumë dhe ku kam shkuar shpesh për shkak të karrierës sime profesionale,  për mua përbën një model më të mirë të shoqërisë civile sesa Shqipëria. E megjithatë, nuk mund si të mos konstatoj me keqardhje tentativat ekstra ligjore të cilat janë bërë ndaj qeverisë Kurti gjatë muajve të fundit.

Syri.tv: Si politolog që jeni, si e shihni situatën politike në Shqipëri, Kosovë por dhe në territoret tjera të banuara me shqiptarë?

Medlir Mema: Duke filluar nga Shqipëria, unë jam shprehur vazhdimisht në kundërshtim të klasës aktuale politike, përfshirë këtu edhe opozitës, e cila sipas meje ia ka lehtësuar punën qeverisë duke ndjekur një strategji konfrontuese por pa ofruar asnjë vizion tërheqës për të ardhmen. Tërheqja nga parlamenti ishte një lëvizje e gabuar, ashtu sikurse ishte edhe mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore të qershorit të kaluar. Por të gjitha këto gabime zbehen në krahasim me krimet politiket, ligjore, dhe shoqërore te qeverisë Rama, i cili po e qeveris vendin sipas një modeli anadollak dhe autoritarin. Shqipëria është marrë peng nga një njeri i cili është peng i të gjithë dobësive të tij fizike, psikologjike, dhe ekonomike. Nuk pres zgjidhje nga opozita e cila ka humbur besueshmërinë e saj në sytë e elektoratit. Nëse do të kemi ndryshime, ka shume gjasë që ata të rezultojnë për shkak të angazhimit mbarëshoqëror. Ekziston edhe mundësia e një përplasje të brendshme midis socialistëve dhe elementeve të ‚rilindjes‘, por nuk i mbaj shpresat aty.

Situata në Kosovë, siç u shpreha edhe më parë, për mua përbënte një hap përpara sidomos pas ardhjes ne pushtet te opozitës, pra Lëvizja Vetëvendosje! dhe LDK-ja. Rotacioni politik është i rëndësishëm. Por mbi të gjitha me kryeministrin Kurti, shqiptarët, kudo që ndodhen kanë një përfaqësues dinjitar me ide dhe një vizion politik të qartë. Sigurisht, Z. Kurti nuk është pa të metat e tij, si në aspektin e konceptimit të lidership-it, ashtu edhe në formulimin e tij ideologjik, por ai aktualisht përfaqëson, në mendimin tim, modelin më të mirë të mundshëm në trojet shqiptare.

Syri.tv:  Sigurisht, përveç që keni definuar mangësitë, defektet, e politikave dhe politike bërësve në shtetet tona, keni dhe konceptet apo idetë tuaja se si do të duhej të jenë apo çfarë duhet bërë për t’i mënjanuar ato, të themi “ të këqija“ që e kanë kapluar kombin tonë?

Medlir Mema: Këtë pyetje kam kohë që e kam menduar. Në fakt, shpresoj se do të vijë koha kur do të kem mundësinë të botoj një shkrim mbi këtë temë. Mendoj se parimisht duhet të rikthehemi tek ato pyetje që Sami Frashëri bëri mbi 100 vite më parë ne librin e tij „Shqipëria çka qenë, ç ‘është e ç’do të bëhet“?! Nuk mund të kemi politika të mirë formuara nëse nuk mësojmë nga e kaluara, arsyetojmë dhe gjykojmë qarte mbi të tashmen, dhe ideojmë me rigorozitet të ardhmen. Në lidhje me këtë të fundit, mendoj se duke gjykuar nga përvojat e shteteve të tjera me përmasa gjeografike dhe demografike të ngjashme me ato të Shqipërisë apo të Kosovës, politika e shtet formimit duhet përqendruar në veçanti në ndërtimin e një shoqërie civile të shëndetshme, në investimin në arsimin e lartë, sidomos në fushat STEM (shkence, teknologji, inxhinieri, dhe matematike), te pasuar me krijimin e politikave ekonomike që çojnë drejt zhvillimit në fushën e teknologjisë informatike (IT). Revolucioni i katërt industrial–ndërthurja e zhvillimeve teknologjike në fushën e digjitalizimit, biologjisë, inteligjencës artificiale, dhe robotikës–është tashmë një realitet i cili ka ndryshuar dhe do të vazhdojë të ndryshojë botën në të cilën jetojmë. Fatmirësisht, por vetëm përkohësisht, në kemi një avantazh krahasimi në këtë fushë për shkak të kostove të ulëta te punës si edhe një forcë punëtore që ndoshta është e mirë-pozicionuar për të dhënë një kontribut në këtë fushë.

Syri.tv: Në Kosovë aktuale është çështja e Qeverisë? Pra, mocioni i rrëzimit dhe tani formimi i Qeverisë së Re, dhe shkuarja tek Gjykata Kushtetuese. A jeni në njohuri rreth këtyre ngjarjeve dhe si e shihni ju fundin e gjithë kësaj?

Medlir Mema: Po, jam në njohuri të këtyre zhvillimeve. Ndjej një keqardhje për faktin e vetëm se qeverisë Kurti nuk ju dha mundësia për të zbatuar programin e saj elektoral. Mendoj se natyra e vërtetë e udhëheqësit tregohet kur i besohet një mandat qeverisës. Pastaj, elektorati ka mundësi të gjykoj dhe ta ndëshkoj apo ta shpërblej qeverinë me një mandat të dytë apo tretë. Jam tërësisht në kundërshtim të krijimit të një qeverie tjetër pa kaluar më parë në zgjedhje të parakohshme. Si në rastin e opozitës në Kosovë ashtu edhe në rastin e qeverisë në Shqipëri kemi një ndrojtje dhe tkurrje para gjykimit të elektoratit dhe po mundohet të anashkalohet vullneti i sovranit, i cili është qytetari, në favor të marrëveshjeve te fshehta apo makinacioneve politike të shëmtuara.

Syri.tv: Po në Shqipëri. Si paraqitet gjendja atje? Çfarë mendimi dhe qëndrimi keni ndaj Qeverisë atje? Si do ta zgjidhnit ju po të ishit në mundësi ta zgjidhnit?

Medlir Mema: Tashmë, kam komentuar disa herë në lidhje me këtë çështje, si për ju në këtë intervistë ashtu edhe në forume të tjera meditative. Aktualisht në Shqipëri jetojmë në një shtet mono partiak, të zaptuar nga interesa të caktuara politike dhe ekonomike, të cilët militojnë kundër interesave të shtet-formimit dhe të shtetit të së drejtës. Zgjidhja mendoj se është e qartë. Sidomos, pas veprimeve të javëve dhe ditëve të fundit, qeveria duhet të japë dorëheqje dhe ti hapi rrugë zgjedhjeve të parakohshme në rangun kombëtar dhe vendor. Jam dakord me propozimin e ambasadores amerikane në lidhje më ndryshimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri për të mundësuar suksesin e aleancave të reja qytetare si edhe për të nxitur demokratizimin e brendshëm të partive politike ekzistuese.

Është folur dhe debatuar shumë në lidhje me reformën në drejtësi. E vërteta është se nuk shoh shumë shpresë në këtë reformë, për vetë faktin se pa një vetin g të mirëfilltë politik nuk mund të kesh një sistem të drejtësisë të pavarura dhe të paanshëm. Është e qartë që paketa e reformës në drejtësi është tjetërsuar. Komunitetit ndërkombëtar e sheh atë si një ‚panacea‘ ose si një zgjidhje ‚deus ex machina‘ që do ti japi fund klasës së korruptuar politike. Mendoj se kjo është një qasje e gabuar dhe tashmë çështja e reformës në drejtësi është instrumentalizuar dhe politizuar plotësisht. Përgjegjës për këtë sigurisht mbaj klasën politike shqiptare, por edhe ’ndërkombëtarët‘ të cilët në Shqipëri rrallë herë kanë luajtur një rol konstruktiv në shërbim të interesave afatgjate të shqiptarëve.

Syri.tv: Ditëve të fundit kemi të bëjmë me një akt të Qeverisë Rama, rrëzimin e Teatrit Kombëtar. Si e shihni ju gjithë këtë tollovi që është krijuar rreth kësaj çështjeje?

Medlir Mema: Shembjen e Teatrit Kombëtar unë e kam cilësuar para disa ditësh në një intervistë televizive si „shembjen e fasadës së fundit të pseudo-shtetit shqiptar, të krijuar gjatë këtyre 30 viteve të fundit“. Për mua ky akt barbar dhe ikonothyes ndaj historisë, trashëgimisë, kulturës, artit, dhe shoqërisë demaskoi një herë e mirë tendencat shkatërruese dhe shpërfillëse të qeverisë Rama. Këtë nuk e shpreh si një gjykim mbi vlerat e teatrit apo meritat e ndërtimit, rindërtimit, apo restaurimit të ndërtesës. Ajo që më shqetëson në të gjithë këtë skenar, është se ai përbën vënien në jetë të ’një vdekjeje të paralajmëruar‘. Shembja e Teatri Kombëtar sinjalizon ndoshta mundësinë tonë të fundit për të shpëtuar Shqipërinë nga sundimi i shtetit policor, i një sistemi autoritar, i transformimit të shoqërisë shqiptare në një shoqëri pa të drejta dhe pa liri. Sidomos e paraprirë, siç ishte, nga gjobitje ndaj institucioneve mediale, shembja e asaj ndërtese tregon kapadaillëkun e një sunduesi i cili nuk ka më frike nga populli, i cili ndihet kaq i sigurte ne fronin e tij sa te hakmerret edhe për kritikat më të vogla ndaj regjimit dhe sistemit që ai po ndërton në mes të ditës, nën hundën e ’ndërkombëtareve‘ dhe fatkeqësisht me bashkëpunimin e një pjese të mirë të klasës politike shqiptare.

Syri.tv: Zotëri Mema. Keni të përbashkët me Marin Memën ju?

Medlir Mema: Me Marin Memën, përveç mbiemrit dhe dashurisë për kombin shqiptar, nuk di të kem ndonjë gjë të përbashkët. Duhet thënë se kontributi i tij gjatë këtyre viteve të fundit ka qenë jetik dhe frymëzues. Për më tepër, programet dhe materialet e tij historike po luajnë një rol të rëndësishëm si në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të trojeve shqiptare, por edhe në ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare. Shpresoj që ai do të vazhdoj me aktivitetin e tij dhe e mbështes plotësisht. Pastaj, nuk i dihet, ndoshta një ditë, gjatë gjurmimeve të tij historike, do të nxjerr në pah se ai dhe unë kemi paraardhës të përbashkët. Atëherë do të më duhet të përditësoj përgjigjen time këtu .

Syri.tv: Çfarë i porositni, i këshilloni shqiptarët kudo që ata jetojnë e punojnë?

Medlir Mema: Nuk e di nëse unë jam në pozitë për të këshilluar të tjerët. Personalisht mundohem të evidentoj në jetën time integritet, besueshmëri, ndershmëri, përkushtim, dhe zell, duke kuptuar se ne jemi gjithmonë më shumë se vetja jonë, se ne mbartim historinë, kulturën, dhe trashëgimin e brezave të mëparshëm, dhe se kemi një përgjegjësi për të lënë një botë më të mirë për ata që vijnë pas nesh.

Syri.tv: Si është jeta e një profesorit në Tokyo ?

Medlir Mema: Siç mund ta imagjinoni, kërkesat janë të larta ashtu sikurse janë edhe mundësitë për zhvillimin profesional. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me kolegët e tjerë, shumica e të cilëve janë nga Japonia, Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara, dhe Evropa. Një prej elementeve më tërheqës të punës sime si ligjërues është diversiteti i trupës studentore, ku përveç studentëve nga Japonia, ka student nga e gjithë Azia Juglindore–Vietnam, Sri Lanka, Taivan, Hong Kong, etj–si edhe Evropa dhe Shtetet e Bashkuara. Duke konsideruar tematikat që trajtojmë në klasë, si ligjërues është një privilegj të kesh një përfaqësim të gjithë këtyre kulturave dhe popujve me një histori kaq të larmishme dhe të spikatur.

Syri.tv: Ku punoni ju si profesor dhe çka ligjëroni në Tokyo ?

Medlir Mema : Jam profesor i asociuar (Associate Professor) pranë Universitetit Ndërkombëtar të Tokios, ku jap mësim kryesisht në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare si edhe të ligjit ndërkombëtar.

Syri.tv: Si profesor apo si politolog shqiptar keni dhënë ndonjë intervistë në media Kineze?

Medlir Mema: Jo.

Syri.tv: Më kë jeton Medlir Mema?

Medlir Mema: Unë jetoj me bashkëshorten time prej 19 vitesh, Aubrie Mangelson Mema, dhe 4 fëmijët tanë.

Syri.tv: Po shikueseve të TV tonë dhe lexuesve dhe përcjellësve të portalit tonë syri.tv, çfarë ju dëshironi?

Medlir Mema: Së pari, në këtë kohë pandemie, ju uroj dhe lutem për një kalim sa më të lehtë të pasojave si shëndetësore, ashtu edhe emocionale dhe psikologjike. Ju uroj dhe dëshiroj, gjithashtu, një angazhim më të qëndrueshëm në komunitetet tuaja. Mos lejoni që apatia t’ju tërheq vëmendjen dhe t’ju dekurajoj nga një pjesëmarrje më aktive në shoqëri.

Syri.tv: Faleminderit z.Mema për kohën tuaj që na dhuruat duke ju përgjigjur pyetjeve tona. Ju dëshirojmë suksese të mëtutjeshme në punën tuaj profesionale dhe akademike. Kontributi juaj dhe i gjithë atyre si ju na bënë të ndihemi mirë, të ndihemi krenar. Gjitha të mirat.

Intervistoi Arben Mehmeti