Xhezide Lumi nga Baseli në Zvicër flet për karrierën dhe sukseset e sajë si Psikiatre për portalin Syri.tv në rubrikën „Bardhë e Zi“.

0
1075

Syri.tv: Përshëndetje Xhezide Lumi! Faleminderit për pjesëmarrje në rubrikën „Bardhë e Zi“ në portalin Syri.tv?

Xhezide Lumi: Përshëndetje i nderuar për ju dhe stafin tuaj, falënderimi  është reciprok, dhe kënaqësia është e imja të jem pjesë e intervistës tuaj.

Syri.tv: Me pak fjalë, kush është Xhezide Lumi ?

Xhezide Lumi: Jam Xhezide Lumi  me nofkën „Xhida“   bijë Prishtine që ka kaluar gjysmë shekulli jetë! Babai im nga fshati Bllacë, kurse nëna nga fshati  Semetishtë që të dy nga komuna e Therandës. Jam fëmija i dhjetë dhe njëkohësish fëmijë pleqërie (nëna më  solli në jetë tek mbas moshës 46 vjeçare)  nga të cilët tri motra kanë vdekur në fëmijëri të hershme, kurse  dy vëllezër kanë vdekur në moshë të shtyrë.  Tani kam dy vëllezër(njëri jeton në Kanada e tjetri ne Kosovë si dhe dy motra njëra jeton në Kosovë e tjetra në Gjermani. Pra vij nga një familje me shumë nipa e stërnipa e me shumë mbesa e stërmbesa.

Unë jam nënë e dy fëmijëve  Dardanit dhe Drilonës që punojnë mësimdhënës dhe studiojnë dhe qe janë krenaria ime.

Që nga fëmijëria ime mbaj mend që familja ime shquhej për bujari e mikpritje, sidomos dua ta ndaj me ju këtë histori, ne  kishim shumë kushërinj si nga ana e babait ashtu edhe nga ana e nënës sime të cilët studionin profile të ndryshme dhe banonin në Konviktet studentore ,dhe gjithmonë vikendeve ne kishim odën përlotë të rijnë që sot krenohemi i gjithë farefisi me  sukseset e tyre. Arsyeja pse mblidheshin ishte se në familjen time të gjithë e donin artin-muzikën, kishim shumë instrumente muzikore në shtëpi. Edhe sot nostalgjia më e madhe e asaj kohe për mua janë ato momente kur ia krisnim këngës  të gjithë së bashku e sidomos  ku babai plak i binte kavallit.

Syri.tv: Si do ta përshkruanit veten për miqtë tanë dhe tuaj?

Xhezide Lumi: Kam kryere shkollën fillore  tek „Faik Konica“dhe Gjimnazin „Xhevdet Doda“ , shkollën e mjekësisë „Ali Sokoli“ drejtimin  Laborant Teknikë i  Biologjisë, si dhe Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Për shkaqe të reprezaljeve nga regjimi  serb ku mbylli edhe Universitetin, mbeta për një kohë në shtëpi si edhe shumë të rijë tjerë pa i kryer studimet ( vitin e fundit) ku absolvova më vonë dhe kreva studimet.

Në Zvicër jetoj që nga viti 1994, kurse si mjeke kisha mundësin të filloj të punoj tek nga viti 2006.

Unë kam rritur dy fëmijë vetë pa ndihmën e askujt, ndoshta kjo situate më ka bërë mua edhe fëmijët e mi mjaftë të forte dhe të pavarur.

Jam person luftarak, shumë e drejtpërdrejt (tipare të babait) e dua humorin dhe qeshë shumë gjatë ditës (tipare të nënës sime) jam shumë  autonome – njihem që nga fëmijëria ime, nuk kam religjion, jam shqiptare, kam edhe nënshtetësi Zvicerane. E dua  drejtësinë e sidomos barabarësinë gjinore i respektoj armiqtë e hapur, i urrej miqtë e rremë.  E dua muzikën dhe këndoj çdo ditë (kuptohet kur fëmijët nuk janë në shtëpi se ua qesë veshët ).  I dua fjalët e urta, metaforat dhe Anekdotat, por mbi të gjitha e çmoj thjeshtësinë dhe mundohem të jem sa më e thjeshtë, sepse mendoj se vetëm thjeshtësia e lartëson njeriun.

Syri.tv: Si nisi rrugëtimi juaj si Psikiatre?

Xhezide Lumi: Që kur fillova me studimet ishte dëshira ime të ju ndihmoj njerëzve jo vetëm në sëmundjet trupore por edhe në mirëqenën mentale. Ndoshta në këtë  drejtim më ndihmuan vizitat e mija nëpër fshatrat e ndryshme të Kosovës. Në realitet doja të bëhem „mjeke fshati“, ëndërroja që me çantë në krahë të ecja brigjeve e shpateve të Kosovës e ti ndihmoja atyre njerëzve zemërgjerë, të varfër materialisht por të pasur shpirtërisht.  Fatkeqësisht s’munda ta realizoj atë ëndërr atëherë në atdhe, por shpresoj që këtë dituri e përvojë të fituar në Zvicër do të mund ta përçoj në atdhe.

Gjithashtu në rrugëtimin tim drejtë specializimit në Psikiatri ka ndikuar koha kur merreshim me hulumtime shkencore „Hulumtuesit e ri“ që aso kohe bëheshin nga ne si nxënës e me pastaj si student në tri drejtime: Mjekësi, ekonomi dhe etnologji (qe aso kohe hulumtimet etnologjike udhëhiqeshin nga Prof. Mark Krasniqi i cili në mënyrë indirekte më bëri që të interesohem për anën shpirtërore të njerëzve). Një psikiatër i zoti e zonja për mua personalisht d.m.th. të njehë edhe kulturën, mentalitetin e pacientit. Vetëm një përshëndetje në gjuhën amtare ndikon shumë te familjet në nevojë, prandaj unë kam formuluar një fjalorth të vogël me më shumë se 15 gjuhë të huaja, dhe gjithmonë në takimin e pare i përshëndes në gjuhë e amtare. Këtu fillon menjëherë të ndërtohet ura ndërlidhëse mes Familje- Pacientit -Terapeutes.

 Në fillim kam punuar në  spitalet somatike si mjekësi Interne, Kirurgji, reumatologji, Neurologji, Rehabilitacion, etj. Kudo që kam punuar punoja me përkushtim, edhe sot qesh kur kujtoj p.sh se sa punoja në kirurgji më thoshte shefi i atëhershëm pse nuk vendos të bëhem kirurge apo ortopede. Ose, trysnin më të madhe e kam pasur nga shefi i Reumatologjisë  që më thoshte të kryeja specializimin për reumatologe dhe i cili edhe pse punoja në reumatologji më ka përkrahur të bëj shumë kurse edhe për psikiatri.  Unë qysh më herët nga 2006 isha e lidhur me psikiatrinë, atëherë krahas punës studiova 3 vite Psikologjinë sociale dhe mora edhe diplomën e mësueses së „Autogene Training“ një metodë që është njëfarë autohypnose duke i forcuar vetësugjestionet  e cila në radhë të parë më ka ndihmuar mua personalisht të qaj shtigjet e vështira të jetës dhe të ecën përpara. Puna ime e parë si Psikiatre në specializim ishte në  Stacionin e Forensikës se të rinjve në Universitetin e Baselit. E më pastaj puna me fëmijë të vegjël nën moshën 5 vjeçare dhe prindërit në Kantonin e Argaaut   i lidhur me Universitetin e Zürichut. Studimet post graduale i kam  diplomuar në drejtimin e psikoterapisë së sjelljes dhe asaj Sistemike (Universiteti i Baselit, Zürichut dhe Bern) si dhe Psikologji të thellë për fëmijët e vegjël nën moshën 5 vjeçare dhe për Prindërit të cilën e kam përfunduar në Universitetitin e Münihut.

Syri.tv: Çka të motivon tek vetja si Psikiatre?

Xhezide Lumi: Më motivojnë ndryshimet pozitive në interakcionin familjarë pas seancave terapeutike. Sidomos më motivojnë puna me familjet e veçanërisht ato shqiptare që mund të ju sqaroj dhe ti trajtoj në gjuhën e nënës e mbi të gjitha lotët e gëzimit në sytë e nënave dhe baballarëve kur e arrijmë qëllimin tonë, dhe me mburrje ecin drejtë jetës duke e parë se sa mirë qenka sa më herët të kërkohet ndihma e Psikiatrit aq më i suksesshëm do të intervenimi.

Syri.tv: Cila është rëndësia e psikiatrisë dhe pse njerëzit hezitojnë të konsultohen për probleme mendore dhe emocionale me psikiatër, psikolog, etj?  Si mund të thyhet kompleksi i inferior?

Xhezide Lumi: Si psikiatër për fëmijë dhe adoleshentë, unë shoh çrregullimet e sjelljes dhe emocioneve të fëmijëve dhe adoleshentëve si rezultat i marrëdhënieve dhe ndërveprimeve komplekse dhe jo vetëm si një problem i lidhur me fëmijën.

Fatkeqësisht stigmatizimi që është edhe të popujt tjerë është mjaftë I shprehur tek ne.

Unë mund të ju përmend edhe kohën kur unë studioja mjekësinë dhe i thash nënës se dua

bëhem psikiatre më thoshte  “ U zoti na ruajt, jo a me budalla me punua a“, kjo është  shumë e

dhimbshme. Shumica e bashkatdhetarëve tanë edhe këtu në Zvicër shkojnë shumë vonë tek psikiatri

pikërisht duke marrë parasysh stigmatizimin e theksuar.

Syri.tv: Si mund të menaxhohet apo kontrollohet dhe eliminohet stresi dhe depresioni, si probleme mjaft prezentë në shoqërinë tonë?

Xhezide Lumi: Stresi psikik dhe depresioni  mund të ndodhë edhe tek fëmijët e vegjël edhe tek adoleshentët  dhe këto kryesisht janë për tu kuptuar në kontekstin e mjediseve të ndryshme të fëmijës (prindërit, miqtë, shkolla). Nga këto këndvështrime të ndryshme, unë shikoj për rëndësinë e simptomave në marrëdhëniet komplekse midis familjes dhe shkollës. Duke marrë parasysh qëllimet, vlerat dhe burimet e vetë fëmijës / adoleshencës dhe prindërve, terapia familjare ose mbështetja psikoterapeutëve përdoret për të gjetur një rrugëdalje nga kriza. Kjo mundëson që të arrihet një riorientim dhe përmirësim i rezistencës së familjes.

Syri.tv: Ekzistojnë disa prirje të karakterit dhe personalitetit të njeriut, si snobizmi, egocentrizmi, narcizmi, etj. Sa ndikon shëndeti mendor në këto?

Xhezide Lumi: Shëndeti mendor ndikon mjaftë tek këto të tria, ndikojnë shumë faktorët familjarë se në çfarë

kushtesh e rrethanash është rritur ai njeri, ky fenomen vërehet edhe tek të rinjtë tanë sidomos

tek Snobizmi (shija e sëmurë për t’i pëlqyer gjërat vetëm pse janë të huaja, të jashtëzakonshme e të

stërholluara, pa shikuar vlerën e vërtetë të tyre).  Po ashtu edhe Egocentriket qe nuk shohin me larg se hunda e vete janë ne mesin e prindërve qe trajtohen tek unë, dhe gjithsesi narcisët që përmënimin  narcizmi i tyre forcohet edhe me shume tek familjet e izoluara(Këtu zakonisht kam të bëjmë prindër narcizoid të cilët ushqejnë sëmundjen e tyre me dominanzën mbi personat e pambrojtur, qoftë gruaja apo edhe fëmija.

Syri.tv: Ku punoni?

Xhezide Lumi: Unë punoj në klinikën Psikiatrike për fëmijë dhe të rinjtë në Windisch, kantoni I Aargaut, ku punojmë ngushtë me Universitetin e Zürichut dhe japim edhe kurse për studentet e mjekësisë.

Jam kryemjekë në ambulanten centrale dhe udhëheqëse e një reparti specifik vetëm për fëmijë të vegjël nën moshën 5 vjeçare dhe prindër.

Syri.tv: Sa është numri i klientëve që marrin terapi nga qendrat e juaja?

Xhezide Lumi: Numri i klientëve është mjaftë I madh si në domenin e stacioneve ashtu edhe të ambulanteve.

Përveç ambulantes centrale kemi edhe ato regjionale si në Aarau, Zofingen, Baden, Wohlen. Fatkeqësisht ka një listë pritjeje të  pacientëve në mungesë të kapacitetit të specialistëve.  Në klinikën tone funksionojnë 3 Stacione (diku rreth 60 Pacient (shtretër) dhe një Klinik Ditore(10-12 pacient) , Shkolla e klinikës(ku fëmijët e shtruar për trajtim që nganjëherë zgjatë me muaj, varësisht nga pasqyra  e sëmundjes si dhe fëmijët që janë në Klinikën ditore ndjekin mësimet varësisht  nga niveli i kondicionit të tyre). Trajnimin ambulatorë brenda vitit vetëm në repartet e çrregullimeve specifike si Autizmi dhe çrregullimet te fëmijët e vegjël e frekuentojnë brenda vitit diku mesatarisht 160-180 fëmijë nën moshën 5 vjeçare. Kurse numri i klientëve në ambulantet tjera ku klientët janë të moshës 6- 18 vjet është sa trefishi i fëmijëve të vegjël.

Syri.tv: Çfarë trajtimesh psikiatrike ju ofroni  pacientëve?

Xhezide Lumi: Në Klinik janë të përfshira pothuaj të gjitha Terapitë e mundshme( Psikoterapia, Ergoterapia, Muzikë terpia, Terapia e artit, etj.) Psikoterapia mund të jetë: Terapie e sjelljes, sistemike-familjare.

Nga Psikoterapia  dua të veçoj tek  Stacionet :

Stacioni 1 trajton rastet akute dhe sipas nevojës është gjysmën i mbyllur ose gjysmën i hapur.

Stacioni 2-3 trajtojnë të gjitha pasqyrat e mundshme të sëmundjeve psikikë, e në stacionin 3 trajtohen edhe pacientët me çrregullime të ngrënit.

Ambulanca Centrale ka repartet e veta:

1. Reparti i Urgjencës , Terapisë, dhe Tirazhesh

2. Reparti I çrregullime specifike për fëmijët nën moshën 5 vjeçare „Under 5

3. Reparti I çrregullimeve specifike „Autizmi“

4. Si dhe Ambulantet regjionale (Baden, Zofingen, Aarau dhe Wohlen

Syri.tv: Klientët tuaj marrin me shume udhëzimet tuaja apo përdorin edhe ilaçe?

Xhezide Lumi: Në trajtimin e Klientëve tanë nga mosha 0-18 vjeçe jemi të orientuar kryesisht me psikoterapi, varësisht se cila metodë nevojitet ajo e sjelljes (Verhaltentherapie) apo ajo e familjes dhe sistemet tjera të përfshira si p.sh (grupet e lojës -spielgruppe, çerdhet-Kindergarten si dhe shkollat apo institucionet tjera).

Po ashtu në rastet specifike përdorim edhe ilaçet, por gjithmonë në radhë të pare duke përdorur psikoterapinë, sidomos përdorimit të medikamenteve ju ikim tek fëmijët parashkollor dhe ata në klasat e ulëta.  Zakonisht medikamentet për fat të keq I shkruajmë tek fëmijët dhe adoleshentët agresivë, hyperaktiv, depresiv, psihotikë, me çrregullime të gjumit etj. temë për fat të keq pasi nuk jam adhuruese e medikamenteve tek fëmijët , por kur psikoterapia nuk ndihmon shumë  ose është gjendja akute(psikozat, agresiviteti, rreziku për vetëdëmtim apo dëmtim të tjerëve) atëherë duhet patjetër të përdorim medikamente qoftë për kohë të shkurtër apo më gjatë , varësisht nga pasqyra e sëmundjes.

Tek fëmijët nën moshën 6 vjeçare japim shumë pak ose fare medikamente, pasi ende nuk janë bërë studime nën këtë moshë.

Syri.tv: Cilat janë nevojat që klientët me probleme mendore i adresojnë në qendrën tuaj?

Xhezide Lumi: Arsyet për një vlerësim psikiatrik ose psikologjik përfshijnë:

• problemet e marrëdhënieve (çrregullimet e lidhjes)

• çrregullimet :si problemet e ngrënies dhe gjumit tek fëmijët e vegjël

• çrregullimet e  ankthit siç janë frika e fortë dhe ankthet e ndarjes

• çrregullimet  depresive

• Probleme të sjelljes siç janë shpërthime të shpeshta të zemërimit, tërheqje masive, probleme vëmendjeje dhe hipe aktiviteti, sjellje të çrregullt

• Sëmundje psikosomatike si dhimbje stomaku, nauze pa korrelacion somatik, probleme me gjumin etj.

Syri.tv: A ka pasur raste kur ju keni reaguar në raste kur personat kanë pësuar krizë mendore?

Xhezide Lumi: Gjithsesi , kjo ndodhë zakonisht gjatë kujdestarive tona edhe natën. Kurse sa isha në Forensik në Klinikën universitare në Basel krizat mendore tek të rinjtë ndodhnin pothuaj shpesh së paku 3-4 herë në javë.

Syri tv: Na përshkruani një rast kur ju keni ndihmuar dhe ju është shpërblyer?

Xhezide Lumi: Dua të ju rrëfej një rast të një nëne shqiptare, e Traumatizuar dhe e dhunuar në Kosovë edhe nga ish

burri i saj në mënyrën më barbare, duke i kidnapuar fëmijën në moshën 9 muaj, dhe pa e pare

fëmijën e vetë diku rreth 2.5 vite, e më në fund e gjen në një jetimore jashtë Kosove një ditë para

se ta adaptonin, e merr fëmijën e vetë dhe pasi ish-burri i saj ishte një kriminel i kërkuar nga

Interpoli, kishte frikë mos po kthehej dhe i merë prapë  fëmijën. Ik azil për në Zvicër të mbrohet vetë

dhe ta mbroj birin e saj. Fatkeqësisht një ditë kur ajo shkon shpejtë ti blej qumësht fëmijës dhe e lenë me fëmijët dhe familjet tjera në atë shpi azili, rrëzohet vogëlushi dhe gjakosë gjurin, fillon të qaj rastësisht qëllon punëtorja sociale dhe pyet ku është nëna e fëmijës, kur merë vesh se nëna ka shkuar afër të tregtoj, e kritikon nënën dhe i thotë se mund të ketë konsekuenca , nëna  në atë moment ka asociacion “ma kidnapojnë fëmijën (pasi ishte më herët e traumatizuar), fillon të arsyetohet dhe të flasë me zë të lartë, përfshijnë  Gjyqin familjarë dhe duke pare rezistencën e nënës i marrin fëmijën dhe i dërgojnë në Internat fëmijësh.

Kjo histori e dhimbshme zgjatë shumë vite, edhe pse mjeku specialist në atë kohë kishte vlerësuar se fëmijën duhet ti kthehet nënës se përndryshe do të ketë pasoja të mëdha edhe pse  autoritet atë kohë kishin vendosur të  kundërtën. Fëmijën dhe nënën i kam marrë në trajnim tek unë nga viti 2017, dhe në fund të vitit 2018 arritëm që nëna dhe fëmija të kenë

një kulm mbi kokë dhe te bashkohen, ai djalosh tani është 12 vjeçar, dhe më bëhet zemra mal për sjelljet e tij e sidomos qëllimet jetësore. Ky është rasti që do ta kujtoj tërë jetën me dhimbje duke ditur vuajtjet e kësaj nëne por edhe e gëzuar e krenare që arritëm tija kthejmë nënës birin në gjirin e sajë.

Ky është një shpërblim shumë i madh për mua.

Syri.tv: A pësojnë më shumë krizë mendore meshkujt, apo femrat në Zvicër?

Xhezide Lumi: Varësisht edhe nga pasqyra e sëmundjes, ne kemi nga të dy gjinitë , por është për tu veçuar p.sh me Autizëm dhe  hyperaktivitet kemi më shumë meshkuj se femra, e me çrregullime të ushqyerit  dhe depresion  si dhe in stabilitet emocional kemi më shumë femra se meshkuj.

Kurse me psikozë janë  tek dy  gjinitë pothuaj njësoj dhe fatkeqësisht psikoza e tyre është si pasojë e konsumimit të drogave që nga mosha 13 vjeçare, bile edhe 11 vjeçare. Fatkeqësisht në mesin e këtyre klientëve ka edhe fëmijë shqiptarë , andaj nëse me lejoni do ju bëja një  apel tek prindërit shqiptarë“ Ju lutem keni kujdes fëmijët tuaj, nuk ka vlerë asnjë pasuri nëse fëmija juaj ka gabuar drejtimin e jetës.

Syri tv: Çfarë do te i porositni qe te veprohet kundër stresit bashkatdhetarët?

Xhezide Lumi: Në radhë të pare ta jetojnë jetën tani dhe në gjendje aktuale, mos të mendojnë shumë për të kaluarën se do e humbin jetën e do stresohen duke vajtuar të kaluarën, mos mendoni e studioni shumë për ardhmërinë se asgjë s’do mund ë merrni me veti në varrë, vetë do i bëni stres vetes, duke u frikuar se çka do më sjellë ardhmëria. Jetoni jetën me fëmijët e juaj, me burrin, gruan tuaj. Fëmijët do ikin dhe jetojnë jetën e tyre, dhe mu atëherë kur do mendoni se do keni kohë tani ta kënaqni familjen e juaj do jetë shumë vonë, atëherë kur ata kishin nevojë për ju, ju nuk kishit kohë. Po patët kohë për fëmijët e familjen do ju shpërblehet jeta me më pak strese dhe do ja dini kënaqësinë jetës. Ku ka më bukur e më kënaqësi se kur fëmija kënaqet duke qesh p.sh  kur babai rrëzohet duke zërë topin e Futbollit, apo nëna rrokulliset me fëmijën në bare, i bën vajzës së vetë kurorë lulesh për flokë e jo të rrinë edhe prindërit në celularë  e edhe fëmija, kjo për mua është tmerr.

Lëreni mediumet, merruni me jetën reale do keni më pak stres dhe do keni më shumë kohë të merreni me më të dashurit e juaj. Unë përpara kur kisha fëmijët e vegjël deri në moshën 18 vjeçare, kuptohet me pajtimin e tyre largonim televizionin nga dhoma për 3 muaj verë dhe kalonim kohën në natyrë, ato momente ishin dhe kanë mbet kujtimet më të bukura për fëmijët e mi dhe për mua.

Syri.tv: Cilët janë sukseset e tua si Psikiatre?

Xhizide Lumi: Sa vështirë qenka të flasë për veten dhe sukseset e mija sepse më duket se po krekosem para jush.

Sukseset e mija duhet të vlerësohen nga njerëzit tjerë tek atëherë ku të pensionohem hahaha.

Ndër sukseset e mija në Psikiatri e sidomos në klinikën ku tani punoj, janë se kemi arritur që të punojmë shumë mjekë shqiptarë dhe të ju ndihmojmë klientëve, është sukses indirekt i imi sepse shefi dhe drejtuesit e Klinikës më thonë troç se nëse punojnë të gjithë shqiptarët si ty atëherë me të vërtetë qenkeni popull punëtorë.  Fjalën e kam për klinikën e fëmijëve se në klinikën e Psikiatrisë të rriturve janë edhe dy kryemjekë (Dr. Valbona Miftari, Dr. Faton Dushi ) si dhe një Co-Shefe e Gerontopsikiatrisë në Dr. Vita Sula. Aty punojnë edhe 5 mjek tjerë Specializant   shqiptarë.

Në Klinikën e fëmijëve jemi 5 Shqiptarë, Unë dhe dy mjekë specializant, një mësimdhënëse dhe një zëvendës udhëheqës i personelit mjekësor.  

Suksesi më i madh i imi dhe i kolegëve është se kemi raporte të shkëlqyera mes veti

Ne takohemi çdo të Premte në pauzën e drekës, drekojmë shpejtë e shpejtë dhe dalim në arealin e Klinikës bëhemi rreth e bisedojmë e qeshim, oh ta dini sa kënaqësi e madhe është, jemi bërë shembull në tërë klinikën. Këtë e dëshirojmë edhe për kolegët tjerë, të jenë të bashkuar e ti ndihmojnë njëri tjetrit.

Një sukses të veçantë dua ta theksoj pjesëmarrjen time në Kongresin botërorë të psikiatrisë së fëmijëve të vegjël dhe prindërve që u mbajt në Romë, ku kur pash se nuk kishte asnjë pjesëmarrës nga Kosova kërkova nga Shefi i Klinikës të më lejoj të përfaqësoj Kosovën e jo Zvicrën.

Suksesi i radhës ishte kur isha vitin e kaluar në Kosovë me drejtuesin Klinik të Ambulantes dhe qëllimi i vizitës është të bëjmë një projekt, me përkrahjen e Klinikës sonë dhe të ndihmojmë në zhvillimin e psikiatrisë së fëmijëve të vegjël dhe psikoterapisë familjare në Kosovë (fatkeqësisht Covid-19 shtyri edhe organizimin e projektit tonë).

Syri.tv: Si është jeta e një Psikiatre në Zvicër?

Xhezide Lumi: Po nuk dite ta mbrosh veten të mori pusi hahaha.  Duhet të dish dhe të mësohesh të distancohesh nga puna kur nisesh për në shtëpi, sepse ka raste të rënda që të marrin shumë energji. Për mua sidomos është i vështirë edhe rrugëtimi nga Baseli e deri ne Brugg të cilën rrugë e bej çdo ditë me tren, edhe gjatë kohës së koronës. Me tren ndihem më rehat se të vozisë makinën , së pari mbrojmë ambientin nga helmet, së dyti e kursej veten nga stresi i panevojshëm, nuk më duhet të koncentrohem në rrugë, dhe së treti kur skam dëgjuar më shumë këngë se sa brenda këtyre viteve, e po ashtu edhe kurrë skam lexuar aq shumë. Unë jam një adhuruese e udhëtimeve me tren. Një Psikiatre duhet ta ruaj edhe pak energji kur të kthehet në shtëpi se ndoshta djali a vajza kanë nevojë të rrëfehen, apo vëllai, motra, shoqja, shoku kanë problem (raportet nder njerëzorë, dhimbje, problem shëndetësorë) e ti duhet ta dish se presin nga ti jo vetëm këshilla psikiatrike por edhe mjekësore se tek e fundit ne jemi mjekë e jo psikolog si na thonë shumica, dhe jemi përgjegjës si për shëndetin trupor ashtu edhe për atë mendor.

Syri.tv: Më ke jeton Xhezide Lumi?

Xhezide Lumi: Unë jetoj me dy fëmijët e mi Dardanin 27 vjeçar dhe Drilonen 25  vjeçare, realisht jetojmë në të njëjtën hyrje dhe secili ka banesën e vetë. Në mbrëmje takohemi së bashku përqafohemi e darkojmë së bashku dhe secili kryen obligimet e veta. Kemi edhe një maçok Persian me emrin Orlando, që e duam shumë (për macet, qentë dhe kuajt janë bërë studime që tregojnë se largojnë stresin kur ti ledhatojmë sidomos macja). Unë si për shaka kur më pyesin shoqëria dhe të afërmit pse jam aq pozitive, ju them sidomos këto 10 vitet e fundit se fajin e ka macja ime.  Do isha dhe do bëhem edhe më e lumtur kur të kem fatin ti gëzohem fëmijëve të djalit dhe fëmijëve të vajzës sime? Atëherë jeta ime do plotësohet edhe më shumë dhe do jetë kuptimplote.

Syri.tv: Kur bota kohën e fundit po përballet me virusin COVID- 19, ju si psikiatre keni hasur në ndonjë fatkeqësi?

Xhezide Lumi: Fatbardhësisht jo, edhe nga jeta private duke marrë parasysh se kam një familje të madhe me vëllezër e motra, nipa e mbesa, asnjëri nga ta nuk është infektuar me Covid-19.  Unë edhe pse për çdo ditë udhëtoj me tren dhe kam punuar pa u ndalë, jam shëndosh e mirë.

Unë personalisht mendoj se duke i marrë masat mbrojtëse pa e ekzagjeruar situatën në të cilën ndodhemi, mund ta përballojmë këtë situatë. Ju lutem zbathni këpucët jashtë, pastroni duart shpesh me sapun, dhe në ambiente të dendura me njerëz si dhe mjetet e komunikacionit bartni maskat mbrojtëse, mbani distancën sociale. Populli japonezë i përmbahen këtyre masave edhe pse me një popullsi shumë të madhe e ka tejkaluar këtë situatë shumë mirë.

Syri.tv: Cilët janë anët negative të Karantinës, çfarë pasoja hasin njerëzit pas daljes nga Karantina?

Xhezide Lumi: Anët negative të karantinës janë: rreziku për suicidalitet do të rritet dukshëm. Suicidaliteti do të jetë i lidhur ngushtë me papunësinë (në SHBA rreth 26 milion njerëzve gjatë kohës karantinës për shkak Koronës ju ka kushtuar me humbjen e punës). Kriminaliteti do të rritet, do te ketë trazira gjithandej botës, do të ketë pakënaqësi të mëdha ndër njerëz, ajo çka mua dhe të gjithë duhet të na brengos është se vendet dhe njerëzit e varfër do preken më së shumti dhe do varfërohen edhe më shumë.

Syri.tv: Po tek fëmijët si Psikiatre çfarë roli ka luajtur Karantina, a mendon se mundet të sjell problem?

Xhezide Lumi: Për dallim nga partneriteti ( familjet pa fëmijë )  ekziston një dinamikë tjetër e marrëdhënieve komplekse në familje sepse fëmijët ndër veprojnë brenda tërë familjes dhe formohen aleanca dhe aleanca. Për shembull, komunikimi i një foshnje ose vogëlushe, në prani të dy prindërve, nuk përbëhet nga shuma e marrëdhënieve të dyanshme të alternuara, por më tepër nga ndryshimi i shpejtë i marrëdhënieve midis njërit dhe prindit tjetër. Kjo zhvillon aftësinë e fëmijës për t’u lidhur dhe bazën e tij të marrëdhënieve ndër njerëzorë. Duke marrë parasysh stresin, dëshpërimin dhe konfliktin e rritur në këtë situatë karantine, pa dyshim se do rriten edhe shanset për dhunë më të madhe në familje, nëse raportet mes prindërve edhe më herët kanë qenë të brishta.

Në situata konflikti, të dy prindërit nuk reagojnë gjithmonë në të njëjtën mënyrë. Cilat zgjidhje ofrohen? A kontribuojnë ata pa dashje në përshkallëzimin e konfliktit? A po formohen kohezionet, aleancat apo rivalitetet?

Në situata të tilla, shpesh është e vështirë të identifikohen nevojat e fëmijëve. Puna e drejtpërdrejtë me prindërit është thelbësore këtu. Në fund të fundit, prindërit e njohin më mirë fëmijën e tyre dhe zakonisht kanë ndjenjën për atë që mund të ndihmonte më mirë familjen e tyre. Problemet e fëmijëve p.sh me gjumin, konfliktet e motrave dhe vëllezërve  dhe sjellja kundërshtuese mes veti  janë të zakonshme tek fëmijët e vegjël, por në kohë karantine bëhen edhe më të padurueshme si për fëmijët vetë ashtu edhe për prindërit. Ata i bëjnë presion jetës së përditshme familjare dhe prindërit mund të arrijnë shpejt në kufijtë e tyre të tolerancës, varësisht nga Personaliteti i prindërve por edhe situata tepër e ngarkuar mund të qoj deri te dhuna psikikë dhe fizike ndaj fëmijës.

Syri.tv: Cilat janë pasojat e Corona virusit në shëndetin mendor?

Xhezide Lumi: Suicidaliteti, dhuna në familje e sidomos ndaj atyre të pambrojturve, fëmijëve të vegjël dhe pleqve.

Suicidaliteti do vjen si pasoj e papunësisë e cila do përcillet me humbjen e shpresës, dëshpërimin por edhe me ndjenjën e turpit, këta janë ndër faktorët kryesorë. Puna tek njeriu i jep jetës një kuptim dhe një strukturë të përditshmërisë Sipas disa të dhënave statistikore thuhet se për shkak të papunësisë si pasoj e Korona Virusit pritet që në botë të rritet numri i suicidaliteteve diku mbi 10000 në vit.

Unë mendoj se Psikiatria do ti ndiej tej mase pasojat e krizës së Koronës si në javët, muajt e pse jo edhe në vitet e ardhshme.

Syri.tv: Cfarë kuptojmë me fjalën Karantinë?

Xhezide Lumi: Me fjalën Karantinë nënkuptojmë ndalimin e hyrjes së diçka, ndalimin e përhapjes së diçka, një masë mbrojtëse që përdoret për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve epidemike qoftë te njerëzit, shtazët apo edhe bimët.

Karantina mund të jetë absolute p.sh kur mbyllet një spital dhe nuk lejohet as hyrje e as dalje nga spitali, ose parciale p.sh.  një stacion ose një dhomë spitali.

Gjithashtu një lagje  ,një fshatë ose një qytet apo edhe shtet mund të futen në Karantinë.

Syri.tv: Si Psikiatre a mundeni të na tregoni sa ka qenë numri i të infektuarve nga virusi COVID- 19 në Argau apo aty ku ju punoni?

Xhezide Lumi: Kantoni I Aargaut kah diku 1177 të infektuar dhe 36 të vdekur, kurse në klinikën tonë deri tani  nuk ka pas asnjë të infektuar dhe asnjë të vdekur nga Pacientët.

Syri.tv: Cila është këshilla juaj si Psikiatre në kohën e Corona virusit për pacientë me probleme mendore?

Xhezide Lumi: Ju lutem kontaktoni me psikologun apo me Psikiatrin edhe mes telefonit, pasi kjo situatë është për njerëzit normal pa problem psikik mjaftë e rend e lëre më për ata që vuajnë nga sëmundje depresive apo psikotike.

Syri.tv: Cili është mesazhi juaj për adhuruesit e rubrikës Bardhë e Zi dhe për lexuesit e portalit Syri.tv?

Xhezide Lumi: Bashkatdhetarë të dashur duke ditur dhe respektuar punën dhe mundin e sidomos dashurinë që keni për atdheun, dua të ju udhëzoj ta ruani shëndetin tuaj psikik e fizikë dhe këtë mesazh do ju dërgoj përmes një fjalë të urtë të Konfuziusit“ „Qenia njerëzore. Ai sakrifikon shëndetin e tij për të fituar para. Kur e ka, ai sakrifikon atë për të rimarrë shëndetin e tij. Dhe ai është aq i fiksuar në të ardhmen, sa nuk e shijon të tashmen. Rezultati është se ai nuk jeton as të tashmen dhe as të ardhmen. Ai jeton sikur të mos vdiste kurrë dhe përfundimisht ai vdes pa jetuar kurrë siç duhet „

Syri.tv: Z. Xhezide në emrin tim personal dhe në emër të stafit te Syri.tv dhe njëherë ju faleminderit që morët kohën të jeni pjesë e rubrikës Bardhë e Zi në portalin Syri.tv?

Xhezide Lumi: Faleminderit!  Nderi ishte i imi të ndaj opinionet e mija me ju dhe dashamirët e juaj. Mbarësi e shëndet për të  gjithë!

Intervistoi Arben Mehmeti