Mjeku Internist- Kardiologu shqiptar nga Berlini Ardian Mustafai fletë për herë të parë në rubrikën „Bardhë e Zi“ të portalit Syri.tv

0
269

Syri.tv: Përshendetje Ardian mirë se na erdhe në rubrikën“ Bardhë e Zi “ dhe ju faleminderit shumë që pranuat ftesën të jeni pjesë e portalit Syri.tv?

Ardian Mustafai: Përshëndetje për ju dhe mire se ju gjej gjithë stafin e portalit Syri.tv po ashtu përshëndetje për adhuruesit e rubrikës Bardhë e Zi.

Syri.tv: Kush është kardiologu shqiptar nga Berlini Ardian Mustafai?

Ardian Mustafai: Dr.med.Ardian Mustafai nga Tetova e Republikës së Maqedonisë se Veriut, jeton dhe punon me vite ne Gjermani si Mjek Internist-Kardiologji si dhe ne Mjekimin Intensiv me Reanimacion ne Kliniken Universitare ne periferi te Berlinit, po ashtu edhe Nënkryetar i parë i Shoqatës se Mjekeve Shqiptarë ne Gjermani.

Syri.tv: Si nisi rrugëtimi juaj Ardian si kardiolog?

Ardian Mustafai: I lindur ne Tetove, shkollimin fillore dhe atë te mesëm pra Gjimnazin e kam te kryer ne vendlindje ne Tetove, ndërsa Fakultetin e mjekësisë dega mjekësi e përgjithshme në Universitetin e Prishtinës në Prishtinë. Pas mbarimit te Studimeve për gati 2 vite ( 2006-2008) kam qene i punësuar si Mjek ne Shtëpinë e Shëndetit ndihma e Shpejtë në Tetovë. Pas kësaj me Vetëfinancim privat e përfundova Specializimin nga Mjekësia Interne në Kliniken Universitare ne Shkup ne vitin 2012. Po ashtu përgjatë kësaj periudhe kohore ( 2012) e kreva edhe provimin e gjuhës Gjermane në Prishtinë duke u pajisur me Osterreichisches Sprachdiplom Deutsch. Pas ardhjes ne Gjermani ne fillim te vitit 2013 , se pari kam qene ne cilësinë e Hospitantit apo praktikant për gati 3 muaj ne Republikën e Hessen. Pra asokohe nevojitej për lejen e punës si çdo fillestare qe vjen nga Vendet të cilët nuk i janë në Bashkimit Evropian. Edhe unë duhej ti nënshtrohem provimit shtetërorë i cili ne Gjermani thirret Approbation të cilin e kam kryer një vit me vone pra, ne vitin 2014 ne Universitetin e Tübingenit-Republika e Baden-Wurtembergut. Pas kryerjes se specializimit te Mjekësisë Interne ne Gjermani, kam punuar për 4 vite radhazi në Helios Klinikum Bad Saarow dhe Klinikum Frankfurt Oder. Tani së fundmi ne cilësinë e Kryemjekut po punoj në Klinikën Universitare në periferi të Berlinit në Kliniken e Kardiologjise dhe poashtu në Mjekimin Intensiv me Reanimation.

Syri.tv:  Si duhet ta ruajmë Zemrën ?

Ardian Mustafai: Rekomandimet për ruajtjen e Zemrës dhe te sistemit Kardiovaskulare ne përgjithësi janë te shumëllojshme, filluar nga mos konsumimi i duhanit, prania e shumë yndyrave në gjak mund të shpie në sulm në zemër dhe sulm në tru pastaj, shtypja e gjakut është njëri nga parametrat kryesor vital të organizmit. Por nëse është e lart ajo duhet kontrolluar sepse përndryshe mund ta dëmton rëndë zemrën. Menaxhimi i mirë i diabetit në mënyrë që të mbroheni nga ataku në zemër dhe në tru. Aktiviteti fizikisht i përditshëm është i mrekullueshëm për zemrën tuaj. Po ashtu është e dobishme të qëndroni më pak ulur gjatë ditës. Pesha trupore e shëndetshme mund të redukton rrezikun për sëmundje të zemrës dhe probleme të tjera shëndetësore. Ushqimi i shëndetshëm ju ndihmon t’i kontrolloni disa nga faktorët kryesor të rrezikut për sëmundje të zemrës siç janë: Mbipesha trupore, hipertensioni arterial apo çrregullimet yndyrore. Disa veprime specifike që mund të bëni janë Konsumimi më pak i kripës, Mos konsumimi i alkoolit. Shëndeti mendor ka po ashtu rol në shëndetin e zemrës. Depresioni është i lidhur me sëmundje të zemrës.

Syri.tv: Cilët janë shkaqet e zemrës të cilët te qojnë deri ne Infarktet ?

Ardian Mustafai: Infarkti i miokardit apo siç njihet sulmi në zemër është një ndër sëmundjet më të shpeshta që shkakton vdekjen. Prek më shumë moshat mbi 60 vjeç dhe kryesisht meshkujt. Shkaqet që dëmtojnë muskulin e zemrës janë të shumta, që nga ato familjare e deri te sëmundje kronike, sikurse janë diabeti, hipertensioni etj. Shenja kryesore paralajmëruese është dhimbja e kraharorit shoqëruar me vështirësi në frymëmarrje, djersitje e tepruar, të vjella; por përveç këtyre mund të ketë gjithashtu vështirësi në tretjen e ushqimit, dhimbje e nofullës së poshtme, dhimbje në supe, si dhe vështirësi në frymëmarrje. Nëse arrihet kapja e problemit në kohë, praktikisht brenda 6 orëve nëse i drejtoheni një urgjence për të marrë ndihmën mjekësore, kalohet rreziku dhe gjendja e të sëmurit përmirësohet. Pas kalimit të infarktit, të sëmurët duhet të ndjekin konsultat e rregullta te mjeku i familjes dhe kardiologu, sepse sëmundja mund të ri përsëritet. Sëmundja aterosklerotike e arterieve koronare është shkaku më i shpeshtë (›90%) e infarktit të miokardit. Çarja e pllakës është hapi i parë që çon në formimin e trombit dhe mbylljen e arteries koronare. Faktorët që çojnë në zhvillimin e arterosklerozës ndahen në 2 grupe. Së pari, të modifikueshëm: hipertensioni, duhan pirja, Diabeti mellitus, displidemia, obeziteti, jeta sedentare, stresi psikosocial etj. Së dyti, të pa modifikueshëm: mosha, gjinia, histori familjare për sëmundje aterosklerotike. Shkaqet joaterosklerotike: vaskulitet, embolitë koronare (endokarditet), anomalitë kongjenitale të arterieve koronare, përdorimi i lëndëve narkotike, kokaina, sëmundjet e gjakut.

Syri.tv : Cilët janë sukseset e tua si kardiolog në Berlin ?

Ardian Mustafai: Puna ime ne diagnostiken Klinike ne Kardiologji konsiston ne trajtimin e sëmundjeve Kardiovaskulare nëpërmes Diagnostikes së Ultrazërit te Zemrës, Ultrazërit Transezofageal, Stres -Ultrazërit të Zemrës, Ultrazërit me mjete Kontrast, Ergometrise, Kontrollimin e Pacemaker, si dhe Kateterizimit të zemrës si Diagnostike. Në mjekimin Intensiv kryesisht merremi me Ventilimet mekanike, Intubimet endotraheale dhe Reanimacionet.

 Syri.tv: Si duhet të trajtohet një sëmundje e zemrës sipas kardiologut?

Ardian Mustafai: Simptomat përcaktuese për shfaqjen e sëmundjeve të zemrës janë të ndryshme, sipas kategorive të prekura. Faktorët që rrezikojnë punën normale të zemrës i potencuam më lartë. Trajtimi mund të bëhet nga ato Konservative dhe Invasive në varësi te natyrës së Problemit. Pra nga ekzaminimi i punës së Zemrës nëpërmes Ultrazërit, e deri tek trajtimi nëpërmes Kateterizimit me Stentime. Ne rast te çrregullimeve të ritmit të Zemrës nga ato medikametose e deri tek kontrolli elektrofiziologjik si metoda Invasive. Pamjaftueshmëria e Zemrës apo ulja e kapacitetit funksional te zemrës nëpërmes terapisë Resynhronizuese me Implantimin e Device Terapise po ashtu metode Invasive. Nje pjese e konsiderueshme e pacienteve te cilat kane sëmundje të Valvuleve të Zemrës , ngushtime te theksuara apo pamjaftueshmëri të mbylljes se valvuleve si dhe infektimi i valvuleve i nënshtrohen edhe Operimeve apo ndërrimit të këtyre.

Syri.tv: Sa persona ne vit vdesin nga infarkti ?

Ardian Mustafai: Numri i vdekjeve nga Infarkti i Zemrës është ende i lartë ne çdo vend te Botes . Statistikat janë variabile , pra nuk mund te kemi numër të saktë gjithmonë.

Syri.tv: Çfarë roli luan tensioni i gjakut të lartë  dhe stresi në Zemër ?

Ardian Mustafai: Kalcifikimi i arterieve, në përgjithësi, është trashja dhe forcimi i murit të enës së gjakut, i cili shkakton formimin e pllakave arteriosklerotike dhe me këtë ndodh stenoza (ngushtimit i lumenit). Pasojë e kalcifikimeve të patrajtuara mund të rezultojnë me ishemi (mungesë e furnizimit të indeve me gjak), prandaj individi mund të pësojë: sulm trunor ishemik, infarkt të zemrës, dëmtimin e organeve – si veshkave, zorrës, mëlçisë, varrë në ekstremitete dhe deri te humbja e tyre, amputacioni. Trajtimi me kohë mund të shmangë një pasojë të këtillë. Kryesisht në avancimin dhe progresin e dëmtimit të enëve të gjakut ndikon stresi, tensioni i lartë i gjakut i pa trajtuar, diabeti i pakontrolluar, yndyrat e larta në gjak, mungesa e lëngjeve në trup, obeziteti.

Syri.tv: Si duhet ti ikim Infarktit ?

Ardian Mustafai: Aktivitete sportive janë shumë të rëndësishme për të mënjanuar problemet e zemrës. Ndërkohë që jo të gjitha kategoritë e pacientëve mund të bëjnë aktivitete sportive. Shumë njerëz me kondita të ndryshme shëndetësore si sëmundje të mushkërive apo të zemrës mund të shkaktojnë më shumë dëm se sa përfitim nga stërvitja. Para se të përcaktohet se çfarë aktiviteti sportiv do të bëjë është e rëndësishme që të kontaktohet mjeku specialist i cili do të përcaktojë dhe gjendjen e pacientit nëse duhet të bëjë aktivitete sportive dhe se këto aktivitete ndihmojnë në ndonjë aspekt të rëndësishëm. Sipas ekspertëve rreth 30 minuta aktivitete sportive janë shumë të domosdoshme në ditë për të sëmurët e zemrës. Aty mund të bëhen ushtrime fizike si ecje ose vrapim i lehtë mund të pakësohen dukshëm rrezikun e prekjes nga sëmundjet.

Syri.tv: Çka të motivon tek vetja si kardiolog ?

Ardian Mustafai: Sfida e të gjithë Kardiologëve është e madhe dhe me përgjegjësi. Por e gjithë kjo , na motivon të jemi të gatshëm të ballafaqohemi me sëmundjet akute dhe kronike të zemrës pra, Kardiologët duke i dhëne vetës zemër dhe duke punuar me zemër bëhen Mjek te Zemrës.

Syri.tv: Si është gjendja aktuale në Gjermani me COVID-19?

Ardian Mustafai: Gjermania në Eurozonë ishte shteti më i suksesshëm në luftën ndaj pandemisë që ka paralizuar globin. Edhe pse shteti gjerman shërben si model shumë efikas në luftimin e kësaj sëmundje, prapë se prapë pasojat janë ndjerë në të gjitha fushat e jetës. Pandeminë Globale të quajtur COVID-19 të shkaktuar nga SARS-CoV-2, pritet ta pasojnë një sërë ndikimesh dhe luhatjesh si shëndetësore, njerëzore, ekonomike, e shoqërore në përgjithësi. Asgjë s’do jetë si më parë. Dëmi në ekonomi, ngadalësimi në zhvillimin e sipërmarrjeve dhe kryesorja humbjet në jetët njerëzore kanë sjellë një shqetësim jo të vogël te popullsia vendase. Për shkak të menaxhimit të shkëlqyer të krizës që shpërtheu nga pandemia globale, ndërhyrjes së shpejtë të institucioneve, efikasitetit të sistemit shëndetësor dhe planit të masave, bëri që Gjermania edhe pse me numrin më të madh të banorëve krahasuar me shtetet tjera të Bashkimit Evropian, e kaloi me suksese këtë sfidë, bazuar nga numri i të infektuarve si dhe numri i atyre që përfunduan legalisht. Ky sukses u garantua nga fakti se Qeveria gjermane, Ministria e Shëndetësisë së Gjermanisë në koordinim me Institutet e varësisë, filluan testimet masive të popullatës, për detektimin e hershëm të personave që mund të ishin prekur nga pandemia globale. Situata aktuale e numrit të shëruarve spontanisht është në rritje e sipër, duke marrë parasysh se ende nuk ka vaksinë për të kuruar Covid-19. Një tjetër tregues shpresëdhënës në lidhje me të ardhmen pozitive është fakti se numri i të infektuarve nuk ka shënuar rritje të madhe. Sipas rekomandimeve më të fundit nga autoritet shëndetësore, prej muajit Maj 2020, kemi lehtësime në qarkullimin hekurudhor, atij të transportit publik, hapjen e shumë lokaleve dhe hotelerive të ndryshme, shkollave e çerdheve për fëmije, mbajtjen e manifestimeve të ndryshme, normal në numër të konsiderueshëm të njerëzve. Por ajo që duhet theksuar mbi të gjitha është detyrimi për mbajtjen e maskave në të gjithë Gjermaninë.

Kurse masat e marra nga shteti gjerman për luftimin e COVID 19, qeveria Gjermane në bashkëpunim me institucionet mjekësore të varësisë, që në fillim të janarit të vitit 2020 ka ndërmarrë aktivitete të ndryshme për parandalimin e përhapjes së SARS-CoV2. Institucionet sensibilizuan popullatën nëpërmjet rekomandimeve të dala nga Institutet e Virologjive, si Robert-Koch – Institutit me seli në Berlin, po ashtu edhe të tjerëve në vend, duke mbajtur distancën prej 2 metra nga njëri-tjetri, mos dhënien e duarve gjatë përshëndetjeve, mos lejimin e mbajtjes të asnjë lloj manifestimi sportiv, kulturore, social, përdorimin e domosdoshëm të maskave në fytyrë, pastrimin e shpeshtë të duarve, testimi i numrit të madh të popullatës, etj.

Syri.tv: Mundeni të na tregoni sa ka qenë numri i të infektuarve nga COVID-19 në Berlin ?

Ardian Mustafai: Numri i te infektuarve ne Berlin për momentin është 6647, me tendence rritjeje prej 30 persona prej dje, ndërsa në përgjithësi numri i te vdekurve deri tash ne Berlin nga ky Virus është 184, por pas parasysh numrin e banoreve prej 6 milion në Berlin me rrethinë është numër jo i larte i te infektuarve.

Syri.tv: Çfarë roli luan COVID-19 në Zemër?

Ardian Mustafai: Korona virusi kalon në enët e gjakut dhe organi i parë që prek është zemra. Duke goditur venat e gjakut virusi shkakton tromboza, mungesë në furnizimin e mushkërive me oksigjen dhe goditjen në tru dhe kjo është parë dhe te pacientët e moshës së re të infektuar. Pra me ketë rast mund te vjen deri tek Infektimi i muskulit te Zemrës dhe valvuleve të Zemrës qe e përkeqëson edhe më shumë gjendjen e Pacientit ku fatkeqësisht mund te përfundojnë edhe jo mirë.

Syri.tv: Si kardiolog a mundeni të na tregoni a ka pas dhe shqiptar të prekur nga Korona virusi në Gjermani apo në Berlin ?

Ardian Mustafai: Bashkatdhetarët shqiptarë në Gjermani kanë qenë shumë pak të prekur dhe fatmirësisht pa pasoja në jetë të humbura. Nga strategjia e suksesshme e qeverisë dhe nga ndërgjegjësimi i shpejtë bëri që shqiptarët të shpëtojnë lehtë. Për sa i përket numrit të infektuarve shqiptarë në Gjermani, në bazë të dhënave nga ana e grupeve të punës të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani në të gjitha vendet e Gjermanisë, rezulton të jetë shumë i vogël. Në lidhje me këtë, Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani u vu në dispozicion për çdo lloj informate apo njoftimi nga ana e mjekësve që t’i shërbejë popullatës shqiptare në Gjermani si udhërrëfyes, në rast infektimi, si ndihmesë se ku ata të orientohen dhe drejtohen për të ndjekur më pas hapat mjekësor

Syri.tv: Ku punon kardiologu shqiptar Ardian Mustafai?

Ardian Mustafai: Une si Kardiolog punoj edhe ne Mjekimin Intensiv me Reanimacion ku ka pasur raste te tilla te ballafaqimit me COVID 19. te cilat janë trajtuar ne mënyre konservative e po ashtu edhe nëpërmes mjekimit Intensiv me Intubacion dhe ventilime mekanike.

Syri.tv: Ardian ju jeni dhe nënkryetar i shoqatave të mjekëve ne Gjermani,  cilët janë punët e juaj që i bëni në këtë drejtim?

Ardian Mustafai: Shoqata e Mjekeve Shqiptarë ne Gjermani , ku si Nënkryetarë i Parë i Shoqatës jam unë. Kemi bërë formimin e Grupeve të Punës në çdo Republike të Gjermanisë pra në 16 Republika ku aktiv janë të angazhuar 100 Mjeke shqiptarë dhe 300 Mjekë shqiptarë si ndihmese për informimin dhe orientimin e popullatës shqiptare ne Gjermani për nevojave të tyre në lidhje me COVID 19 apo për pyetje të tjera Mjekësore.

Syri.tv: Më ke jeton Ardian Mustafai?

Ardian Mustafai: Dr.med.Ardian Mustafai është nga Tetova e Republikës së Maqedonisë së Veriut, jeton dhe punon me vite në Gjermani si mjek Internist-Kardiologji si dhe në Mjekimin Intensiv me Reanimacion në Klinikën Universitare Ruppiner Kliniken në periferi të Berlinit, si dhe njëherësh është Nënkryetar i parë i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani.

Bashkëshortja Dr.med. Margarita Dalipi-Mustafai është nga Struga e Republikës së Maqedonisë së Veriut, jeton e punon me vite në Gjermani si mjeke Internist-Nefrologji, si dhe në mjekimin Intensiv me Reanimacion në Klinikën Universitare Ruppiner Kliniken në periferi të Berlinit. Puna në Kardiologji konsiston në trajtimin e sëmundjeve Kardiovaskulare nëpërmjet Diagnostikës së Ultrazërit të Zemrës, Ultrazërit Transezofageal, Stress-Ultrazërit të Zemrës, Ultrazërit me mjetë Kontrast, Ergometrisë, Kontrollimin e Pacemaker, si dhe Kateterizimit të zemrës si Diagnostikë. Në mjekimin Intensiv kryesisht mjekët bashkëshortë merren me ventilimet mekanike, Intubimet endotraheale dhe Reanimacionet.

Puna e Krye mjekes pra bashkëshortes Dr.Margarita Dalipi-Mustafai në Klinikën e Nefrologjisë ka të bëjë kryesisht me Dializë, Hemofiltracionet, Plazmaferezen, Immunofiltracionet, Biopsisë e Veshkave, si dhe Ultrazërin e Veshkave. Doktor Ardian Mustafai është anëtar i shoqatës së kardiologëve të Gjermanisë. Të dy bashkëshortët janë pjesëmarrës në shumë Konferenca e Kongrese të ndryshme vendore e ndërkombëtare në fushën e mjekësisë.

Syri.tv: Cili është mesazhi juaj si kardiolog për adhuruesit e rubrikës Bardhë e Zi dhe për lexuesit e portalit Syri.tv?

Ardian Mustafai: Nëpërmjet kësaj interviste dua të përshëndes lexuesit e portalit Syri.tv. Në këto çaste të rëndësishme te COVID 19, do ju rekomandoja që ruajtja e distancës prej 2 metra të jetë obligueshme, të bëhet shpesh larja e duarve, të mos përshëndesim me duar, mbajtja e maskave nëpër qytet dhe në hapësirat publike. Sipas të gjitha të dhënave të Instituteve Virologjike deri tek Vaksina do nevojitet të paktën edhe 1 vit kohë, deri atëherë infeksioni në çdo kohë është i mundshëm. Prandaj ti përmbahemi rregullave të lartë përmendura. Virusin do ta mundim të gjithë bashkë me punë, kujdes mjekësor, distance sociale dhe higjienë personale.

Syri.tv: Dr. Ardian të faleminderit shumë për kohën që gjete të jeni pjesë e rubrikës Bardhë e Zi dhe ishte një kënaqësi e imja që pata nderin të kam intervistues timin ?

Ardian Mustafai: Se fundmi, falënderojmë portalin Syri.tv për mundësinë e intervistës ishte një nder për Mua si Mjek në Gjermani, që sadopak te flasim mbi situatën aktuale ne lidhje me disa shqetësime që kemi mbi Pandeminë Globale, si dhe një pasqyrim të shkurtër timin. Besoj qe sadopak lexuesit e portalit Syri.tv do i sensibilizojmë me këto Informacione të lartpërmendura. Ishte kënaqësi për mua!

Shpresoj me bindje të thellë do kemi raste të tjera për intervista mbi novitetet qe do pasojnë.

Ju Faleminderit

Dr.med.Ardian Mustafai – Mjek Internist Kardiologji

Dr.med. Margarita Dalipi-Mustafai – Mjek Internsit Nefrologji

Intervistoi Arben Mehmeti