Sot u bënë tre vjet që më mungon… e di qe diku mes reve më vështron dhe më buzëqesh, e di që pranë të kam në çdo frymëmarrje në çdo fëshfërimë gjetheje të beharit pranveror.

0
175

Për ty Nëna ime Hyrije!
Sot u bënë tre vjet që më mungon… e di qe diku mes reve më vështron dhe më buzëqesh, e di që pranë të kam në çdo frymëmarrje në çdo fëshfërimë gjetheje të beharit pranveror. Po ashtu, e di që qesh kur më sheh që qesh, trishtohesh kur më sheh të merzitur. Pasi që për çdo vit në këtë kohë vija të çmallësha nga mërgimi edhe kur ishe në jetë. Ketë herë më fal Nënë që nuk mund të vija pranë varrit tënd që së paku ta sjell një buqetë me lule për të nderuar. Nuk mund të vija për shkak të Pandemisë që e ka prekur rruzulin tokësor dhe kufizimit të lëvizjes. Më fal çdo shqetesim çdo mërzitje çdo pikë loti në sy, s’di më shumë vetëm që më mungon shumë dhe gjeja e parë që do bej do vij te ty kur të kthehem, e si gjithmonë do të kërkoj bekimin tënd oj Nënë se kam kohë që se ndjej…
Thuhet se, dashuritë e mëdha lindin nga njerëz të mëdhenj, por kur k’to dashuri të dhurojnë edhe vetë ekzistencën tënde atëherë kjo dashuri është në infinit, ndoshta është edhe nga ato dashuritë e njëanshëme, të pakthyeshme… Nënë, Ti ishe simbol i prefeksionit dhe i dashurisë së kulluar. Ishe një qenie me fuqi të paimagjinueshme, që ma bëre dhuratën më të shtrenjtë „jetën“ dhe ma dhurove mburojen më të fuqishme të jetës „dashurinë“.
Ashtu ishe Nëna ime, një njeri i thjesht për dikë që të shikonte jashtë rrethit tonë familjar, por ishe qenia më e mirë dhe përkryer që ekzistonte për mua – fëmijët e tu, nipat e mbesat. Para teje edhe sot të përulem si me magji, dhe të marr fuqi të pa imagjinueshme vetëm ta kisha ndi edhe njëherë erën e aromës Tënde.
E tillë ishte jeta e Nënës Hyrije, ishte jeta e femijëve të saj, në të cilën tani filluam të jetojmë jetën tonë e ta ndjejmë vit pas viti mungesën e saj. Dihet se, fëmijët janë të vetme qenie që mund ta përulin, përgjunjëzojnë Nënën e tyre… Është një fije e hollë dhe e fortë që e lidh femijën me prindin që nga momenti i lindjes e deri në vdekje, dhe kjo fije është vet dashuria për Nënën. Ajo ishte shkollë, edukatë, orientim… prandaj është krenaria dhe dhimbja ime e madhe, që për fat të keq në këtë botë kanë ndryshuar me themel renditja e vlerave dhe dashuria mes njerëzve.
Tek shihja fytyrën e nënës në Fotografinë e fundit të jetës së saj, një ditë para se shpirti i nënës të shkon në Qiellnaj, mendova në vete dhe thash; Jeta fillon duke përjetuar dhe dashuruar fytyrën e nënës! Prandaj Zoti nuk mund të ishte kudo, sepse krijoi Nënat! Prandaj, Nëna është gjithçka – ngushëllimi ynë në pikëllimin, shpresa në mjerimin tonë dhe fuqia jonë në dëshpërim. Sepse, NËNA është burimi i dashurisë, mëshirës, dhembshurisë dhe faljes.
U prehsh në paqe dhe tu bëftë shpirti dritë oj Nëna Hyrije!
Amin!

16 maj 2020
Haki Latifi