Ta ndjejmë afër njëri-tjetrin. Dedikuar shqiptarëve larg nga Kosova…

0
282
Arjeta Musliu
Psikologe klinike
Themeluese e qendres Ri-Jeta

Kur je jashtë vendit tënd, mendja të rri te rrugica jote, shtëpia jote, vendlindja jote, atdheu yt.
A kemi menduar të paktën disa minuta të jetës sonë, sa mall kanë ata njerëz që jetojnë larg Kosovës, shtetit të tyre!
Si ndihen ata për shumë dekada në vend të huaj… ku frymëmarrja ndjehet ndryshe…kanë familjen afër(një pjesë nuk e kanë)kanë punën, kanë pasuri, po cila nga këto e përmbush një zbrazëti thellë në shpirtin e tyre?!
Sa shumë muaj ata krijojnë në shpirtrat e tyre imagjinata nga më të ndryshmet se do vijnë për tre javë apo një muaj në vendin e tyre, të çmallen me shumëçka që ata kanë këtu në Kosovën tonë.
Po sa përgatitje bëjnë kur vjen koha për të vizituar të afërmit e tyre. Sa shumë dhurata sjellin për të respektuar të dashurit e tyre (nga fëmija deri te plaku). Pastaj ne nuk i pëlqejmë sepse nuk janë ‘firmato’!
Po sa kursime bëjnë duke lënë veten ndoshta shumë shpesh pa plotësuar dëshirat e familjarëve të tyre për të ndihmuar familjet e tyre, njerëzit në nevojë, këtu në Kosovë?
A ka vend të quhen “auslandera” “të huaj “shqiptarët që po vijnë në vendin e tyre??!!
Më e dhimbshmja është kur ne lodhemi shpejt nga ata edhe pse ata po vendosen nëpër shtëpi me qira për të mos na e prishur rehatinë në shtëpitë tona (shtëpitë që i ndërtuan vetë), e ne ndihmohemi vazhdimisht dhe bëjmë qejfe nga më të ndryshmet nga vëllezërit tanë e motrat tona që jetojnë larg Kosovës.
Pavarësisht sa jetojmë të ndarë në shtete të ndryshme të botës, edhe pse kemi diferenca, ne duhet ta mbështesim dhe ta duam fort njëri tjetrin. Ndihem jo mirë kur i drejtohemi me “ata të jashtmit” ose “ausllanderët”, sepse ne kudo që jemi, jemi një, jemi bashkë gjithmonë! 😊
Përkundrazi, ata me gjuhën tonë të bukur mbrojtën atdheun me gjakun e tyre.
Disa edhe pse nuk mund ta flasin gjuhën shqipe ashtu si ne, përpiqen ta mësojnë, andaj janë për t’u lavdëruar.
Shqiptarë kudo që jeni, vendi im është edhe shtëpia jote, kështu është atdheu ynë Kosova, është shtëpia jonë e përbashkët e gjithë shqiptarëve kudo që ata janë.
Nuk është njerëzore kur ne dalim dhe mburremi vetëm në raste solemne, mbrojmë dhe respektojmë njëri tjetrin, por duhet të bëhet në çdo ditë duke punuar e kujdesur për të gjithë kudo që janë.
Dashuri, respekt gjithmonë shqiptarë kudo që jeni.
Qofshi të bekuar!