Figura e Prof. Fehmi Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës

0
170

Në kujtim të 21 vjetorit të vrasjës së nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës Heroit të popullit, Akademik Fehmi Agani, i cili u vra me 6 maj të vitit 1999, nga forcat okupatore serbe.
Akademik Fehmi Agani, ishte një emër, që shprehte në mënyrë sublime, thellësinë e personalitetit të vet dhe një karakteristikat kryesore të tij: mendjethellësinë, mendjemprehtësinë dhe mendimin kthjellët.
Figura e Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor. Ai, i takonte Ajkës së intelektualeve shqiptar, i cili së bashku me intelektualet e tjerë të kohës me forcën e argumenteve dhe fakteve në vazhdimësi demaskonte propagandën serbo-sllave kundër shqiptarëve. Ishte ndër bashkëpunëtorët më të ngusht të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.
Mori pjesë aktive në aktet madhore të vendit tonë siç janë: Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Referendumi për Pavarësi dhe në ndërtimin e institucioneve të Kosovës në bazë të zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të Republikës së Kosovës të vitit 1992.
Me aftësinë e forcës integruese, maturinë dhe racionalitetin në veprim, arriti të integroi të majtën dhe të djathtën, lëvizjen paqësore dhe lëvizjen ushtarake, të cilat ai i quajti krahët e një trupi.
Profesor Agani me veprën e Tij edhe sot është i pranishëm në jetën e të gjithë neve. Ai shpesh herë ishte i pranishëm edhe në Zvicër në momente të mira e të vështira në mesin e bashkatdhetarëve- veprimtarëve të Degës së LDK-së. Në të cilën e kanë dashur dhe çmuar autoritetin e tij. Duke gjetur mbështetje në jetën dhe veprën e Tij, si këshilltar i urtë dhe vizioanar i mendimit filozofik. Të vetëdijëshëm se këtë vyrtyt e kanë dhe na e dhurojnë vetëm njerëzit e mëdhenj siq ishte Prof. Agani. Kam patur fatin që në cilësin e kryetarit të Nëndegës së LDK-së në Burgdorf dhe si koordinator i grupit të Nëndegëve të LDK-së në kantonit të Bernit t‘i uroj mirëseardhje dhe të mbajmë takime me anëtarësi dhe bashkatdhetarë, në të cilën mësonim shumë nga këshillat e urta të Profesorit. E njejta gjë ishte edhe kur e vizitonim selinë e LDK-së në Prishtinë, Ai gjente gjithmonë kohë për të biseduar dhe këshilluar dhe shprehte interesimin rreth ecurisë së organizimit tonë në Zvicër.
Me këtë cilësi që e kanë vetëm njerëzit e mëdhenj, Ai, fitonte përkrahjen e miqve të shqiptarëve dhe respektin për të si burrë shteti edhe për Kosovën. Po ashtu me modestinë e tij në veprimin politik fitonte përkrahjen e qytetarëve dhe të njerëzve për veprim të përbashkët. Akademik Fehmi Agani, ishte ideator dhe projektues i argumentimit shkencor, të mundësisë për vetëvendosje të popullit shqiptar të Kosovës, në të cilën për këto 21 vjet i mungon frymës intelektuale shqiptare.
Si model i urtësisë dhe mençurisë për pjesën dërmuese të popullit të Kosovës e ishte ; Prof.Anton Çetta, Akademik Fehmi Agani dhe Dr.Ibrahim Rugova e shumë të tjerë që rrezatonin mençuri, humanitet dhe virtytshmëri. Ku gjatë viteve të 90-ta, kishim një sistem që i ka besuar krejt populli pa pasur shtet, por kishim forcën e moralit dhe të ndërgjegjies. Ndërsa sot, çfarë modeli po i jepet rinisë?
Sot për fat të keq, kemi ardhur në atë gjendje, që për fat të mirë e kemi shtetin, por që nuk i beson askush institucioneve. Me një fjalë, turpërohemi nga qoroditja dhe degradimi total i fjalës dhe sjelljes publike prej disa nga politikanët e Kosovës. Kjo është si pasoj e humbjes së sensit të edukatës elementare në çdo drejtim , për dije të mos flasim.
Në këtë drejtim, Prof . Agani ishte shembulli tipik për brezat se si Atdhetarët e mëdhenj si Hasan Prishtina e Akademik Fehmi Agani për interes të Atdheut me vetëdije kanë dhënë gjithçka të veten, madje edhe jetën. Ndërsa të tjerët në emër të interesit të atdheut me vetëdije marrin gjithçka për vete, madje edhe jetë.
Për fat të mirë në këtë kohë të pa kohë, Akademik Fehmi Agani dhe bashkëvizionar të Tij, nuk shohin se ç’po ndodh me Lirinë e Kosovës: Lirinë nga frika dhe Frikën nga liria!
Vrasja e tij ishte ekzekutim kriminal i Serbisë dhe humbje e madhe për Kosovën.

Lavdi dhe i perjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e Akademik Fehmi Aganit!

05 maj 2020
HAKI LATIFI