Hekuran Abdiu njëri nga udhëheqësit artistik të shkollës shqiptare të vallëzimit Shota në Zvicër pjesë e rubrikës Bardhë e Zi në portalin Syri.tv

0
815

Syri.tv: Hekuran Përshëndetje dhe mirë se erdhe në rubrikën javore Bardhë e Zi në portalin Syri.tv?

Hekuran Abdiu :  Përshëndetje Arben, faleminderit shumë për intervistën dhe mundësinë që të flas për shkollën e vallëzimit, veten time dhe aktivitetet e mia.

Syri.tv: Përshkruani vetën me pak fjalë kush, është Hekuran Abdiu?

Hekuran Abdiu: Unë jam nga Presheva, nga fshati Rahovicë më saktësisht, por i rritur dhe shkolluar në Zvicër në, rrethinën e Olten-it, në Kt. Solothurn. Prindërit e mi erdhën në Zvicër kur unë isha diku 18 muajsh, u vendosëm këtu pra dhe ku jetojmë e punojmë edhe sot. Jam 29 vjeçar dhe punoj në një firmë si udhëheqës i financave në sektorin të blerjes, siç i themi ne këtu.

Syri.tv: Hekuran. Arsyeja pse ne jemi sot me ty është një e dhënë që e gjetëm e që ka të bëj me angazhimet tua në një veprimtari interesante dhe me dëshirë duam të dimë më shumë për këtë. Pra, ti je anëtar i shkollës së vallëzimit Shota në Zvicër. Kur u bëre anëtar i sajë?

Hekuran Abdiu: Kam filluar në vitin 2008 kështu që i kam tani 12 vite që jam i angazhuar në shkollën e vallëzimit Shota këtu në Zvicër..

Syri.tv: A mund të na tregosh pak rreth kësaj shkolle, kur u themeluar, kush e themeloi, cilin vit, etj.?

Hekuran Abdiu: Shkolla e vallëzimit Shota është themeluar ne vitin 1993 nga Agron dhe Lirije Bajrami. Agroni ishte valltar në Ansamblin shtetëror të  këngëve dhe valleve SHOTA në Kosovë. Pas largimit nga vendlindja dhe vendosja në Zvicër, ai vazhdoi me kultivimin e valles shqipe dhe së bashku me shumë miq dhe shokë dhe me ndihmën dhe përkrahjen e bashkëshortes e themeluan shkollën e vallëzimit po me të njëjtin emër, pra Shota.

Syri.tv: Çfarë të shtyri që edhe ti të angazhohesh në këtë  shkollë, pra tek  Shota?

Hekuran Abdiu:  Unë jam rritur në një fshat ku nuk kishte shumë apo kishte shumë pak, bashkatdhetar. Ishim vetëm 2-3 familje shqiptare, kështu që nuk kisha si fëmijë edhe shumë shoqëri me fëmijë shqiptarë. E kishim mungesën e kontakteve me bashkëkombës. E kur dihet se viteve të ’90 nuk kishim internet, nuk kishim rrjete sociale si sot. Kishim vetëm një TV, ai i Kosovës, atëherë është e qartë se sa vështirë ishte të mbahesh shqiptar, të kesh kontakt me kulturën dhe traditën shqiptare. Ne kishim një video rekorder dhe shfrytëzonim videokaseta të ndryshme për t’u çmall me vendlindjen, kulturën tonë.  Babai i im merrej me shume aktivitete, politike, kulturore etj. Sa herë që në rrethinën tonë kishte manifestime kulturore me rastin e festave të ndryshme kombëtare, si dita e flamurit, shpallja e pavarësisë, e festa të tjera, ne e gjithë familja shkonim me dëshirën më të madhe dhe kështu kënaqeshim me muzikën, vallet, këngët shqiptare. Por, mbi të gjitha kënaqeshim se njiheshim me fëmijë të tjerë, me shokë e shoqe dhe luanim e kërcenim së bashku. Një kohë babai kishte punuar edhe në radion regjionale Kanali K në Aarau si kryeredaktor i sajë, prej nga sillte emisione muzikore, argëtuese, shqiptare. Kështu qe mungesën e kontakteve e mbulonim në këtë mënyrë. Edhe të folurit shqip në shtëpi, që ishte një ligj në familjen tonë, edhe me muzika edhe vallja ishin burimi i dëshirës sime për tu bërë valltar, për ti veshur njëherë ato rrobe të bukur a kombëtare. Këtu lindi dhe dëshira, dashuria ndaj gjithë çka që është shqiptare, e veçanërisht ndaj valleve kombëtarë shqiptare.

Syri.tv: Po pse tek Shota. Çfarë ofron shota më shumë se shumë të tjera shkolla apo shoqata të këtilla si ajo?

Hekuran Abdiu: Shkolla shqiptare e vallëzimit Shota është e vetmja e llojit të vet në Zvicër e me sa di unë edhe më gjërë, e cila merret me shkollimin e fëmijëve, të rinjve, të kultivimit të valles shqipe me të gjitha bukuritë e saja. Aty mësohen hapat e parë të valles, mësohet elementet më të bukura të valles. Nga kjo Shota ka dhe moton e vet.: „te mësohemi te ecim shqip“. Pra këtë e ofron shkolla e vallëzimit Shota. Hapat e parë për fëmijët me muzikë burimore shqiptare të pastër e kompozuar e krijuar nga populli jonë ndër shekuj. Por jo vetëm aq; po edhe ta mbajmë kulturën dhe traditat tonë te bukur, veshjet kombëtarë të gjitha regjioneve ku jetojnë e punojnë shqiptarët e edhe të shoqërohemi, të komunikojmë mes vete, të njihemi me kulturat dhe traditat regjionale të krahinave të ndryshme shqiptare. Të ruajmë dhe kultivojmë këtë kulturë ndër bashkatdhetarë po edhe të prezantojmë këtu, mes vendasve e zviceran të gjitha bukuritë kulturës sonë, tingujt, hapat, vallen dhe edhe veshjet kombëtare. Pra, ne në shkollën e vallëzimit shqip Shota „mësojmë“ të rinjtë, fëmijët por edhe të moshuarit të vallëzojnë shqip, të ecin shqip. Kjo ishte ajo që më tërhoqi t’i bashka ngjitem kësaj shkolle dhe e falënderoj përjetësisht themeluesin e sajë, Agron Bajramin që më dha mundësinë të jem pjesë e sajë.

Syri.tv: Sa është numri i të rinjve në këtë shkollë, sa kanë të rinjtë apo dhe prindërit e tyre interes për tu anëtarësuar në ketë shkollë?

Hekuran Abdiu: Ka interes, qoftë ndër prind e të rritur por edhe ndër femij dhe të rinj. Jemi të lumtur qe kemi një numër shumë të madh të rinjve. Momentalisht jemi 80 anëtarë, nga mosha 6 deri ne 31 vjeçare, natyrisht se numri mund të ndryshoj më pak apo më shumë. Gëzon fakti se interesimi është i madh. Fati ynë është që kemi më shumë të rinj, sepse dihet se kur ti krahasojmë me grupe të tilla  zvicerane apo dhe të tjerë, ata ma shumë kanë anëtarë të moshuar  50 ose 60 vjet.

Syri.tv: Sa je i kënaqur me aktivitet e ansamblit „Shota „?

Hekuran Abdiu: Unë personalisht jam i kënaqur shumë. Kam pas mundësi të paraqitem  me qindra e qindra herë para publikut, qoftë atij shqiptarë qoftë dhe të huaj, në Zvicër, Gjermani, Francë, Shqipëri dhe shumë vende të tjera. Natyrisht se ndihem i privilegjuar dhe shumë i kënaqur nga këto prezantime dhe të shijoj kënaqësinë që ofron publiku me duartrokitjet e saj. Me këtë dhe kam njohur shumë miq, shumë shokë e miq nga treva të ndryshme kombëtare.

Syri.tv: Cilët janë sukseset e këtij ansambli Shota?

Hekuran Abdiu: Suksesi ma i madh për ne është, numri i atyre që i kemi mësuar „te ecin shqip“. Ne 27 vite të kaluara Shota i ka pas mbi 700 anëtarë. Kemi pas edhe mundësi të paraqitemi ne shumë e shumë  manifestime të rëndësishme, si në Festivalin Folklorik në Gjirokastër, ose në Paris, në Vjenë dhe në Luxemburg.

Syri.tv: Sa është aktive Shota në manifestime apo koncerte që mbahen në Zvicër?

Hekuran Abdiu: Shota është shumë aktive, në këto manifestime që mbahen për përvjetorë të rëndësishëm, apo festa kombëtarë. Kemi raste, vikende, ku Shota paraqitet me 2 ose 3 programe në vende  të ndryshme, larg njëri tjetrit. Bile shumë herë nuk kemi arritur t’i përgjigjemi ftesave të shumta që na janë dërguar për shkak të kohës dhe angazhimeve të shumta. Natyrisht më pak aktiv jemi në kohën e pushimeve qoftë verore apo dhe dimërore.

Syri.tv: A keni përfaqësuar ndonjëherë Zvicrën me aktivitet e juaja në ndonjë vend tjetër?

Hekuran Abdiu: Jo ne nuk e përfaqësojmë Zvicrën po vetëm shqiptarët e Zvicrës. Kështu e kemi bërë edhe në Festivalin Folklorik në Gjirokastër në të cilin jemi pritur jashtëzakonisht mirë, kemi pas shumë sukses dhe kemi lënë përshtypje shumë të mirë. E për miqtë tanë zviceran kemi një valle Zvicerane në repertorin tonë por këtë e bëjmë vetëm kur kemi ndonjë prezantim para vendasve, përndryshe ne përfarojmë vetëm Shqiptaret.

Syri.tv: Çfarë raporte keni me shoqatat apo grupet tjerë që merën me kultivimin e valleve dhe këngëve shqipe këtu në mërgim por edhe atje, në vendlindje?

Hekuran Abdiu : Raportet kanë qenë gjithë shumë të mire dhe me shumë respekt. Kemi pas shumë bashkëpunime dhe i kem ndihmuar shumë grupeve apo shoqatave, qoftë me muzikë, veshje, koreografi etj. Lirisht mund të them se shumë nga grupet, shoqatat që kultivojnë vallet shqipe sot në Zvicër, hapat e parë i kanë bërë tek ne, te shkolla e vallëzimit Shota. Këtu janë mësuar „të ecin shqip“. I ndjeri Agron Bajrami na ka mësuar se qëllimi është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. Të gjithë së bashku e kem një qëllim i cili është kultivimi i kulturës dhe valleve tona.

Syri.tv: Çka të motivon  të jesh anëtar dhe një nga udhëheqësit e  shkollës së vallëzimit Shota?

Hekuran Abdiu: Mua më motivojnë shumë gjëra. Anëtarët, shoqëria  që e kam krijuar aty, raportet të jashtëzakonshme, lidhjet mes anëtarëve, respektin që kemi njëri për tjetrin, të cilët i kam si familje të dytë. Unë e ndiej veten shumë krenar kur shoh nxënësit duke arritur dhe të ecin përpara dhe kanë suksese jo vetëm me vallëzim por edhe në gjitha sferat tjera të jetës tyre.

Syri.tv: Për pos që je njëri nga udhëheqësit dhe koreografët, së bashku me të tjerët tek shkolla e vallëzimit, „Shota „, keni ndonjë pasion tjetër?

Hekuran Abdiu: Po, kam edhe një pasion tjetër me të cilin kaloj atë pak kohë që kam në dispozicion. Është fotografia. Kur kam kohë, iku maleve kodrave, bëj fotografi të peizazheve të mrekullueshme që ka, që ofron Zvicra. Bëj  dhe fotografi qytetesh, fshatrash, lagjesh, etj.

Syri.tv: Më ke jeton Hekuran Abdiu?

Hekuran Abdiu: Jetoj vetëm, në banesën time. Jam shumë afër prindërve.

Syri.tv : Si po të trajton jeta këtu në Zvicër kohën e fundit ?

Hekuran Abdiu: Jeta në Zvicër është shumë e mirë, po edhe me shumë detyra dhe obligime. Më duket se koha është shumë dinamike, ecë shumë shpejt këtu dhe duhet të punosh dhe veprosh për mos të ngelur prapa. Këtu pak ka dallime në të konceptuarit e jetës. Punë, shtëpi, eventualisht ndonjë pasion dhe aq.

Syri.tv: Sa ju përkrah shteti Zviceran në ketë drejtim ?

Hekuran Abdiu: Nëse mendoni sa e përkrahë shkollën e vallëzimit Shota, atëherë mund të them se jo, nuk kemi përkrahje nga shteti. Funksionojmë si shumë forma të tjera të llojit të këtillë, pra si shoqatë apo institucion privat. Me anëtarësi dhe aty këtu donacione në formë të sponsoreve të bashkatdhetarëve e mbi të gjitha prindërve të nxënësve tanë të cilët janë gjithmonë dhe kudo me ne. Po të mos ishin ata, edhe Shota nuk do të ishte kjo që është dhe këtu ku është.  

Syri.tv: Cka presim këtë vit nga Ansambli Shota ?

Hekuran Abdiu: Këtë vit presim të kalojë kjo krizë me Corona-Virus-it, pastaj do të vazhdojmë me punën tonë të zakonshme, me aktivitetet e zakonshme. Pra shkollimi i fëmijëve dhe të rinjve, të mësohen të vallëzojnë vallet e bukura shqiptare, të jemi prezent në manifestime e koncerte të ndryshme…

Syri.tv: Hekuran cili është mesazhi yt për adhuruesit e rubrikës Bardhë e Zi te portalit Syri.tv?

Hekuran Abdiu: Mesazhi im për gjithë lexuesit e portalit syri.tv dhe edhe të TV Syri është shumë i thjeshtë: Jeni shqiptarë, sepse s’ka më bukur dhe më mirë se të jesh shqiptar. Bëni gjithçka qe është e mundur që të integroheni në shtetin ku jetojmë, merrjani gjitha të mirat dhe pozitivet që ofron ky shtet dhe ky popull i vjetër dhe me kulturë dhe edukatë të dëshmuar, flakni, hiqni gjitha të këqijat dhe mungesat nga tradita dhe kultura jonë kombëtare, e mos e harroni kurrë prejardhjen tuaj, atë SHQIPTARE. E ju që jetoni në trojet shqiptare, leni anash mosmarrëveshjet, leni anash interesat personale, klanore, partiake, interesat që ju ndajnë e ju përçajnë, luftoni të këqijat dhe të dëmshmet e keni besim në një të ardhme të mirë. Nuk e keni lehtë në këto kohëra por, është zgjedhja më e mirë.

Syri.tv: Në emrin tim personal dhe në emër të stafit të Syri.tv , Hekuran të falënderoj shumë që gjete kohë të ishe pjesë e rubrikës Bardhë e Zi në portalin Syri.tv?

Hekuran Abdiu: Edhe unë ju falënderoj për kohën dhe interesim tuaj. Ju përshëndes shumë dhe ju uroj suksese në të ardhmen!

Intervistoi Arben Mehmeti