Regjisorja nga Presheva Afeide Boriçi pjesë e rubrikës javore“ Bardhë e Zi“ , e cila rrëfen për jetën dhe sukseset e saja në portalin Syri.tv.

0
756

Syri.tv : Afeide përshëndetje dhe mirë se erdhe në rubrikën javore“ Bardhë e Zi „në portalin www.Syri.tv.

Afeide Boriçi: Përshëndetje Arben për ju dhe për të gjithë lexuesit e portalit Syri. Faleminderit që më bëtë pjesë të kësaj rubrike dhe faleminderit që po i jepni hapësire edhe artistëve nga Lugina të shpalosin punën e tyre artistike.

Syri.tv: Kush është regjisorja nga Presheva Afeide Boriçi?

Afeide Boriçi: Një bijë, grua, nënë e dashur dhe e përkushtuar ndaj familjes së saj.

Një regjisore që mundohet të jetë korrektë dhe profesionale, kreative në krijimtarinë e sajë artistike.

Një mike dhe kolege e besueshme dhe gjithmonë e gatshme të ndihmoj kur ka mundësi.

Syri.tv: Si filloj rrugëtimi i karrierës tënde, nga cila moshë fillove të futesh në rrugën e artit si regjisore ?

Afeide Boriçi: Asnjëherë nuk ka filluar rrugëtimi apo dëshira, unë kam lindë me këtë vullnet. Besoj që kjo ka kalua ne ADN time qysh kur gjyshi im është marrë me artin skenik pastaj kjo dëshirë dhe talent ka kalua edhe tek babi im i ndjerë Agron Boriçi i cili 40 vite u more me kulturën në Preshevë duke e pas edhe mami qe ka luajtur në shumë drama teatrale është shumë e natyrshme që unë jam rrit me temën TEATER në familje.

Në v. ’93 ka qene roli ime e parë si aktore në Teatrin e të rinjve në dramën për fëmijë

„Kush e theu xhamin“, pastaj menjëherë vitin tjetër 1995 u angazhova në Teatrin Amator të Qytetit në dramën „Nita“ të Josip Relës në regji të Agron Boriçit në rolin e Nitës, me të cilin rol u shpërbleva po at vit në Festivalin e Teatrove Amatore i cili u mbajt në „Dodonë“ Prishtinë me Diplomën si „Aktorja më e re me rol kryesor“. Dhe kështu vazhdoi deri në v 1999 me shume role, sikur:

Olimbia „Vëllazëri e Interes“ ku në Festivalin Ditët e Komedisë Shqiptare Presheva 1997 u shpërbleva me rol dytësor. Pastaj vijnë komeditë „Një nuse për Stasin“, „Vështirë është të jesh femër“ nga Shqipe Qerimi, recitali „I mbyllur në Urnë“ nga Qerim Arifi dhe shume drama dhe recitale tjera të gjitha këto në regji të Agron Boriçit. Si teatër amator i asaj kohe kemi marr pjesë në shumë festivale si Festivali i Ferizajt, Mitrovicës, Ulqinit, Prishtinës e etj.

Dhe në Shtator të v. 1999 u regjistrova në

Fakultetin e Arteve Prishtinë drejtimi dramatik dega Regji në klasën e prof. Fadil Hysaj. Dhe ky vit ka qenë një kthesë në jetën time. Nuk isha më ajo që aktroja po ajo që bëja regji.

Syri.tv : Cilët ishin emocionet e para si regjisore ?

Afeide Boriçi: Emocionet janë prezentë gjithmonë, sa herë fillon një projekt të ri. Duke fillua nga përzgjedhja e tekstit, aktorëve, pastaj bashkëpunimi me skenografin, kostumografin, ndriçuesin, tonistin…etj. Është një ekip zinxhirë që duhet të dish t’jua transmetosh secilit idenë dhe dëshirën se çfarë ti do të realizosh me projekt dhe si dëshiron të duket vizuale dhe si do të arrij deri tek publikut me emocione. 

Dhe e gjithë kjo punë që zgjat mesatarisht 45 ditë më besoni që secila provë që do mbahet është plot me emocione.

Syri.tv: Një numër goxha i madh i shfaqjesh krahasuar me moshën tënde. Pse t’u besuan kaq shumë shfaqe ?

Afeide Boriçi: Gjatë studimeve kemi pas normalisht në fund të çdo viti të realizojmë nga një shfaqe ndonjëherë edhe 2 varet nga programi akademik.

Drama ime e parë ka qenë tragjedia antike “ Antigona“ e Sofokliut më pas „Othello“ nga Shekspiri. Vitin e 3 e kam punuar „Vrasës pa shpërblim“ të Jonesco nje dramë absurde dhe shfaqja e diplomës “ Udhëtimi Anës Lumit“ nga Wodi Alen me të cilën shfaqje në v 2006 mora pjesë në Festivalin Eksperimental ne Kajro në mesin e 44 shteteve ku ç faqja jonë përfaqësonte Shtetin e Kosovës normalisht jashtë konkurrencë sepse akoma nuk ishte shpall pavarësia e saj. 

Këto ishin të gjitha punë studentore që kërkonin një angazhim dhe vullnet të jashtë zakonshëm sepse të gjithë si un që isha regjisorja dhe aktorët kolegët e mijë të aktrimit ishim student. Mësonim nga njëri tjetri i ndihmonim njëri tjetrit dhe shkëmbenim eksperiencat dhe mësimet që na jepnin profesorët tanë.

E pas kësaj pastaj hymë në një „Epokë“ ku nuk lejohej më të gabonim. Ishim regjisor dhe aktor profesionist. Un pata fatin që shfaqen e parë mbas diplomimit ta punoj me aktorët e Teatrit të Dramës Shqipe të Kumanovës

Musa Isufin dhe Mendurim Murtezi e me pas edhe me Ismail Kasumin. E fillova me shume tremë me shumë frikë me shumë dilema se si do punoje një regjisore e sapo diplomuar me disa aktorë që kishin një bagazh të pasur artistik. Për fatin tim të mirë çdo gjë eci për mrekulli edhe provat edhe premiera por edhe paraqitja nëpër Festivale doli shumë mirë dhe publiku kudo që merrnim pjesë e adhuronte sepse kishte një teme shume aktuale edhe sot e kësaj dite, „Emigrantët“ nga Mrozhek. Me të në Festivalin e Dibrës mora edhe Çmimin e Regjisë.

Kjo shfaqje me hapi pastaj shume dyer dhe me dha forcë dhe vullnet të punoj edhe shfaqje tjera në Teatrin e Qytetit të Preshevës me aktorët tanë si që është „Skicuesi“ dhe „Misteri“ nga Aldo de Benedeti dhe dy shfaqje për fëmijë „Përrallat“ dhe „Ëndrra e përbashkët“ të cilën e kam punuar së fundi në Bujanoc me nxënësit e shkollës së mesme. Që mbushën sallën përplot me shikuesit tanë të mrekullueshëm fëmijët. Dhe në fund dua të them se besimin duhet ta fitosh nuk ta jep askush kot. Dhe un kam akoma shume rrugë për të bërë ky është vetëm fillimi i karrierës sime.

Syri.tv: Me aq numër të madh shfaqjesh, a u vlerësua dhe sa puna jote?

Afeide Boriçi: Si aktore amatore me shfaqjen „Nita“ jam shpërblye me Çmim special.

Me shfaqjen „Vëllazëri e interes“ në rolin e Olimbisë jam shpërblye me çmim dytësorë kurse shfaqja i ka mare gjithsejta 3 çmime në Festivalin Ditët e Komedisë „Regjia më e mirë“ dhe „ç faqja më e mirë“ 

Më pas si regjisore me dramën „Emigrantët“ në Festivalin e Dibrës jam shpërblye me „Çmimin e regjisë“

Kurse Komedia „Misteri“ në Festivalin e Komedisë në Mitrovicë rrëmbeu 2 çmime atë „Aktori më i mirë jo protagonist“ dhe çmimin „Regjia më e mirë“ si dhe në festivalin e Teatrove në Gjirokastër kjo shfaqje rrëmbeu „Çmimin Special“ të Festivalit. Vlen të ceket që me të gjitha shfaqjet të cilat i kam punua kemi marrë pjesë ne Festivalin e teatrove Dibër

Festivalin e Teatrove Ferizaj,

Festivalin Komedia Festë Gjakovë

Festivalin e komedisë në Mitrovicë

Festivali i Teatrove në Gjirokastër

Po ashtu me shfaqjen „Emigrantët“ jemi paraqit edhe para publikut të Tiranës në Teatrin „Metropol“.

Syri.tv: Afeide, ke ber regji dramash, komedish. Po të filmave ke bër ndonjë regji?

Afeide Boriçi: Po për fat të mirë kur jam regjistrua unë ne Fakultetin e Arteve dega e Regjisë nuk ka qenë e ndarë siq u nda me vone. Dhe unë studiova edhe regji Teatri me prof. Fadil Hysaj edhe regji filmi me prof. Isa Qosja edhe regji Televizioni me prof. Emin Halili kamerën na ligjëronte Sulejman Kllokoqi kurse montazhin Agron Vula, filmin dokumentar Fari Hysaj kurse asistent e kishim Agim Selimin. Ishim gjenerata e parë menjëherë mbas lufte dhe mund ta merrni me mend se si punohej dhe studiohej atëherë me plot vullnet. Un i kam realizuar 2 filma te shkurtër „Rënja“ dhe „Dhurata“ që promovimin e kane pas në RTV 21 një film dokumentar „Sida“ që më pas është transmetua ne RTK dhe ne vitin e tret vazhdova degën për regji Teatri. Por nuk mbaroi me filmin dhe televizionin këtu sepse si studente kam punuar si regjisore e programeve dhe analizatorë e lajmeve ne RTV 21. Kurse mbas diplomimit për 3 vjet kam qene regjisore dublimesh e filmave të vizatuar në Kompaninë audio-vizuale „AA“ Tiranë ku kam realizuar me qindra seriale vizatimore dhe me dhjetëra filma vizatimore nga gjuhë e huaja në gjuhën Shqipe.

Syri.tv: Çfarë e bën një dramë apo komedi një prodhim të mirë?

Afeide Boriçi: Profesionalizmi, dashuria dhe puna. Të jesh profesional në punën të bën të jesh korrekt në prova, ta duash profesionin dhe kolegët me të cilët do punosh relativisht gjatë dhe çdo ditë, dhe të bashkëpunosh me regjisorin, por edhe te punosh shume individualisht. Te jesh kërkues shumë edhe nga regjisori edhe nga vetja.

Prodhimi çdo kund është zinxhir që përbehet nga hallka të cilat lidhen njëra me tjetrën dhe formojnë një zinxhir. Kështu është edhe kjo puna jonë. Duhet të jetë çdo hallkë flori që zi ngjiri te shkëlqej në fund.

Syri.tv : Si e vlerëson teatrin sot? Çfarë roli luan arti dhe teatri në Luginë të Preshevës. Me që  tani je si organizatore dhe regjisore në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë?

Afeide Boriçi: Teatri është ushqim i shpirtit, njerëzit kanë nevojë të vinë në teatër të shohin diçka të mirë të çlirohen nga përditshmëria stresuese që po e ngulfat çdo njërin nga ne. Sidomos tek të rinjtë dhe fëmijët. Me dy shfaqjet të cilat i punuam në fund të vitit salla e shtëpisë së kulturës plot 4 herë ka qenë plot. Duke e ditë që salla i ka rreth 500 ulëse. Edhe fëmijët po edhe prindërit janë kënaqë. Po ashtu një Festë për Preshevën është edhe Festivali Komedisë që mbledh Teatrot mbarëkombëtarë në një vend. Dhe atëherë reflektohet një fryme shume pozitive nëpër qytet kudo që takon njerëz janë duke fol për shfaqjet e Festivalit. Do të thotë që çdo vend ka nevojë për Art, Kulturë, Teatër.

Syri.tv: Këshilla jote për aktorët kur përgatiten për personazhin që luajnë, si ta përvetësojnë rolin?

Afeide Boriçi: Besoj që mësimet dhe këshillat aktorët i kanë marr gjatë studimeve nga profesorët dhe pedagogët e tyre të cilët të gjithë janë aktorë dhe regjisorë. Unë uroj vetëm mos ti harrojnë ato këshilla ti varin si vath ne vesh, të lexojnë të lexojnë shumë, jo vetëm tekstet qe i përzgjedhin regjisorët. Të analizojnë personazhin që do ta luajnë sepse eshtrat dhe muskujt ja ka krijua shkrimtari… Venat dhe gjakun do t’ia formoj regjisori po shpirtin do ja jap aktori.

Dhe kjo vërehet dhe ndjehet shumë edhe nga publiku.

Syri.tv: Çfarë talente të tjera ke?

Afeide Boriçi: Talent nuk do te them po ndoshta aftësi dhe përvoje shumë edhe në moderim. Qe kur kam qen 5 vjeçe kam udhëheq programet e kopshtit për fëmijë. Pastaj programet shkollore. Më vonë erdhën Festivali i Shoqërive Kulturorë Artistike dhe Festivali i Recituesve nga viti 94 deri 97 … Dhe kështu njëra pas tjetrës hapnin dyert për festivalet e radhës. Kam 11 vjet qe jam regjisore dhe moderatore e Festivalit të këngës për fëmijë “Gëzimi ynë“. Shume akademi, promovime, manifestime. Një here kam qenë edhe moderatore e Festivalit Flaka e Janarit 2013. Qe 5 vite e udhëheqë Festivalin mbarëkombëtar „Mollëkuqet“ dhe 2 vitet e fundit edhe Festivalin Internacional „Raising Stars“ në Gjilan nën udhëheqjen e profesoreshës së muzikës Arta Haziri Nuhiu

Syri.tv: Çfarë momentesh të veçanta të dramave të kanë lënë mbresa ?

Afeide Boriçi: Mbresat ti jep publiku kur te duartroket gjatë dhe vlerësimi i profesionistëve nëpër Festivale të ndryshme.

Syri.tv: Cila është pjesa jote e preferuar e regjisë?

Afeide Boriçi: Prova gjeneralë! Kur çdo gjë është gati për Premierën e radhës.

Syri.tv: Vjen nga Presheva dhe si regjisore ke marrë pjesë në shumë vende të ndryshme dhe në vendlindje ke marrë shumë çmime, mirënjohje . Sa të ka përkrahur komuna në ketë fushë ?

Afeide Boriçi: Ju thash që arti është ushqim shpirtëror, ne aktorët me artin tonë ushqejmë publikun kudo që shfaqim krijimet tona, dhe vlerësimi dhe duartrokitjet që merr nga ata në fund dhe lëvdatat dhe falënderimet e urimet ky është çmimi më i madh. Është reciproke kjo puna artit… Ne jemi shume të përmbushur shpirtërisht kur publiku arrin ta thith idenë të cilën ti ke punua dhe ke mëndu ta përçosh nëpërmjet asaj pjese teatrale.

Me siguri kur thoni komuna mendoni si komunitet si popullate, jo tash po gjithmonë më kanë respektua meqë nga ’93 jam në skenë kam një respekt dhe admirim shumë nga vendasit e mi dhe kjo më bën borxhli të punoj akoma e më shumë në ketë sfere që tija shpërblej atë respekt.

Syri.tv: Çfarë i mungon Teatrit Preshevës ?

Afeide Boriçi: Teatrit të Preshevës i mungojnë aktorët, me 5 aktorë rezident sa janë tash është shumë e vështirë sidomos kemi mungesë të aktoreve femra. Pastaj normalisht i mungon mbështetja e ministrisë së kulturës. Të gjitha teatrot që mbështeten nga qeverisja e pushtetit lokal qoftë në Kosovë apo Shqipëri është e vështirë të funksionoj si që do të donin udhëheqësit e Teatrove apo edhe stafi artistik.

Syri.tv: Sa të përkrahin mediat shqiptare si regjisore qofshin ato ne vendin tënd ato rajonale apo në mërgatë ?

Afeide Boriçi: Shfrytëzoj rastin ti falënderoj të gjitha mediat duke fillua nga televizionet kombëtare ato private portalet gjithmonë kur kemi ndonjë premiere apo festival janë çdo herë me ne. Tash edhe rrjetet sociale po e bëjnë edhe më të lehtë sepse kam miq gazetar si nga Kosova Shqipëria Maqedonia e V. si dhe ato vendore dhe kur është në pyetje Presheva janë çdo herë gati të bëjnë lajm për jetën kulturore në Preshevë. Sa i përket diasporës unë do ta falënderoj publikisht gazetarin dhe shkrimtarin Dashnim Hebibi i cili është gjithmonë i interesuar për Preshevën dhe gjithmonë na përkrah me shkrimet e tij brilante. Dhe nga sot do ta kemi edhe një derë hapur tek portali juaj „Syri“ që unë personalisht ndjehem me fat që nëpërmjet syrit tuaj në diasporë do të pasqyroni jetën kulturore në vendlindje.

Syri.tv: Si është jeta e një regjisores në Preshevë ?

Afeide Boriçi: Si çdo kund në rajon. Jo e lehte, nuk paguhet mundi e as mungesa në familje.

Un kam dy fëmije dhe mbas lindjes se vajzës mbas 4 muajve jam kthyer në punë kurse mbas lindjes djalit jam kthyer mbas 8 muajve… Kurse ligji në Serbi ta jep të drejtën 1 vit pushim lehonie. Unë me profesionin që e kam se kam atë privilegj… Sepse çdo festival e ka kohën e vet dhe ti nuk mund të mungosh sepse shkëputet zinxhiri. Pastaj janë festivalet e teatrove në mbarë viset shqiptare që do jesh përsëri larg familjes dhe fëmijëve. Por, është rruga që e kam nis qysh në fillim dhe s’ka kthim, këto janë vetëm pengesa që hasën rrugës dhe që tejkalohen kur arrin sukses. Ju thash në fillim jam rrit në një familje që këto probleme dhe pengesa i kemi te njohura.

Syri.tv: Si regjisore ke menduar ta bësh ndonjëherë një serial televiziv ?

Afeide Boriçi: Të them të drejtën jo… Nëse më ofrohet të punoj me kënaqësi do ta bëja sepse më pëlqen puna mbrapa kamerave… Më pëlqen puna në televizion sepse është shumë e pastër, ka dinamike por ka edhe adrenalinë.

Syri.tv: Çfarë projektesh keni për të ardhmen dhe çfarë mund të presim nga Afeida, për vitin 2020 ?

Afeide Boriçi: Në prill është dashtë të filloj një shfaqje në Teatrin e qytetit Kumanovë dhe mbas muajit shtator një projekt te ri në Teatrin e Preshevës, por virusi Corona na e stopoj komplet sistemin e jetës si dhe planet profesionale. Shpresoj të dalim sa më shpejtë nga kjo pandemi globale me sa ma pak te infektuar dhe viktima. E pastaj me kësmet do vazhdojmë aty ku kemi mbet.

Syri.tv: Cili është mesazhi yt për lexuesit e portalit syr.tv?

Afeide Boriçi: Bashkatdhetarët tanë qe jetojnë në Zvicër dhe kudo nëpër botë janë ambasadorët e kombit shqiptar. Jam krenare se si me fanatizëm e kanë ruajtur gjuhën, fenë dhe traditën shqiptare. Më gëzon fakti kur lexoj dhe dëgjojë nëpër lajme për të arriturat e djemve dhe vajzave të reja shqiptare qoftë në shkencë, në mjekësi, biznes apo politikë.

Vazhdoni të shkolloheni vazhdoni të arrini majat dhe mos e harroni vendlindjen dhe rrënjët shqiptare.

Ju falënderoj që më dhatë hapësire që nëpërmjet kësaj kronike të shpalos të gjithë krijimtarinë time artistike, dhe të jetojmë më afër me bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër.

Syri.tv Afeide edhe njëherë të faleminderit shumë që gjete kohë të jesh pjesë portalit Syri.tv .

Afeide Boriçi: Ishte kënaqësi e imja Beni , ju uroj juve suksese dhe stafit tuaj . Respekt për punën. 

Intervistoi: Arben Mehmeti