Komandant Salih Çekaj, ‘’Veterani’’ është simbol i trimërisë, urtësisë, sakrificës dhe paqes. Ai,është simbol i fitores së Lirisë mbi robërinë.

0
286

Sot, bëhen 21 vjet nga rënia heroike e atdhetarit, intelektualit dhe Heroit të kombit, Salih Çekajt-Veterani. Janë 21 vjet të përjetësimit të Tij në piedestalin më të lartë të historisë së kombit për lirinë e Kosovës, Komandantit dhe Intelektualit Salih Çekaj – Veterani.
Salih Çekaj, padyshim është ndër figurat më kohërente dhe ndër prijëtarët e UÇK-së. Organizator i ushtrimeve përgatitore ushtarake, së bashku me KOMANDANT Adem JASHARIN, heroin e kombit Zahir Pajazitin dhe me 34 shokë në grup në Shqipëri gjatë viteve 1990-1991.
Krisma e pushkës së Salih Çekaj dhe organizimi i njësive ushtarake në Koshare, ishte shembull më i mirë për zonat t’jera të luftës në të cilën u bënë krah i fortë i betejave për lirinë e Kosovës.
Rënia e Heroit Salih Çekaj, 20 vjet më parë në betejën e madhe të Kosharës, u bë simbol i thyerjes së kufirit që padrejtësisht me shekuj i kishte ndarë shqiptarët, për të cilin ideal brez pas brezi u flijuan shqiptarët.
Ai, ishte një nga prijësit e parë të rrugës për pavarësi dhe formim të Brigadave të para të luftës çlirimtare në mbrojtje të Kosovës.
Salih Çekaj ishte komandant me vizion dhe strategji të lartë ushtarake. Angazhimi i tij në fushën e komandimit, mobilizimit, stërvitjes, vëzhgimit e furnizimit janë tregues realë për rolin e tij dominant në jetësimin e idesë së operacionit me përmasa të gjera luftarake, sidomos në betejën e Koshares.
Heroi Salih Çekaj me dijen, përvojën dhe pjekurinë kombëtare që kishte, ishte i vetëdijshëm se institucionet shtetërore të krijuara në fillim të viteve të 90-ta, nuk do të funksionojnë dhe as që do të jetësohet Kushtetuta e as do të realizohet Referendumi pa pasur Republika e Kosovës Ushtrinë dhe Policinë e saj. Ndikimi i tij ishte i madh jo vetëm në Gjermani dhe Zvicër, ku kishte veprimtar dhe shokë, por edhe në Kosovë.
Sot, përulemi me respekt të madh, para veprës së Salih Çekaj, i cili u bë një me Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Edhe atëherë, kur dhuna serbe e detyroi të bënte hapin nga beteja civile në atë ushtarake, Salih Çekaj ishte një figurë me ndikim të madh. Ai gëzonte autoritet, por mbi të gjitha ishte vet i vendosur dhe në këtë mënyrë arriti të përfitojë figura të fuqishme për luftën e përbashkët. Arriti të përfitojë më të mirët për të luftuar në kuadër të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, në urdhrin e komandantit suprem, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.
Formimi i Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Salih Çekajn e gëzoi pa masë. Një gjë të tillë e kishte kërkuar nga udhëheqja e Kosovës shumë vjet më parë. Ai ishte i bindur se pa një luftë të armatosur në momentin e duhur, nuk mund të arrihet çlirimi dhe bashkimi kombëtar. Pra, kishte bindje të plotë se duhet kombinuar dy format e luftës për çlirimin e Tokave Shqiptare, atë paqësore dhe të luftës së armatosur.
Salih Çekaj e dinte se sa herë shqiptarët kanë humbur në të kaluarën, gjithmonë kjo ka ndodhur për shkak se atyre u ka munguar një qendresë e bashkërenditur. Dhe esenca e verpimtarisë politike të Salih Çekajt e cila përmblidhet pikërisht në këtë konstatim: Salih Çekaj mbi të gjitha, në politikën e tij e kishte nocionin e një bashkimi kombëtar të disiplinuar. Ai e forcoi në diasporë një element të rëndësishëm të platformës politike të LDK-së, integrimin dhe harmonizimin e të gjitha energjive të kombit që e shpiejnë në një bashkim mendor e shpirtëror në përpjekje për pavarësinë e Kosovës. Këtë ai e konsideron si pikën e parë të vijës së urtë politike që ka për të sjellë në dritë popullin e Kosovës.
Salih Çekaj, pra nuk ishte i zakonshëm. Ai kishte karakter të jashtëzakonshëm, virtyte të jashtëzakonshme, sjellje të jashtëzakonshëm dhe shokë të idealit kombëtar të jashtëzakonshëm.
Pra, i tillë ishte Salih Çekaj, andaj i pavdekshem është edhe emri i tij.
Lavdi dhe i përjetshëm qoftë kujtimi për luftëtarin e lirisë, Heroin Salih Çekaj dhe për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës!

Kjo foto me Salih Çekaj në mes të dy shokëve(cimera) gjatë kohës së studimeve në Prishtinë : Anton Markaj dhe djalit të axhës tim Salajdin Latifi, publikohet për herë të parë.

19 prill 2020
Haki Latifi