Me shkas… Helmimi me gjuhën e urrejtjës

0
380

Të gjithë jemi dëshmitar për gjuhën e urrejtjes që mjerisht në të shumtën e rasteve po inspirohet nga politikanë gjysmakë e dështakë, domosdoshmërisht në një moment të caktuar shkakton edhe përplasje fizike.
Jemi dëshmitar të ofendimeve mbi baza partiake nëpër rrjete sociale, mesazhet e çoroditura që i përçojnë individë të caktuar nëpër media dhe thirrjet destruktive që përhapen në rrjetet sociale, vetëm dëshmojnë këtë që po them. Mjerisht gjuha vullgare, e urrejtja patologjike; duke sharë, fyer, linçuar, shpifur dhe vjellur vrerë kundër kujdo, është duke mbretëruar në gjitha instancat më të larta të dy shteteve shqiptare dhe në trojet etnike ku jetojnë shqiptarët. Ndërsa një pjesë edhe pse nuk i përkrah i miratojnë në heshtje.
Por, nëse njerëzit në vazhdimësi diskualifikohen për shkak se nuk mendojnë njësoj sikur ndonjë grup tjetër dhe nëse ju nënshtrohen paragjykimeve dhe gjykimeve kategorike të atij grupi, nëse askush nuk ua dëgjon argumentet dhe i diskualifikon shpeshë herë edhe përmes gjuhës së urrejtjes, frikësohem se lufta verbale mundë të tejkalojë formën që e ka.
Sidoqoftë, për momentin, vetëm urrejtje dhe shkëmbim ofendimesh po shohim e po dëgjojmë. Një mendësi dhe mënyrë sjelljeje që e inauguruan politikanët tanë në këto vite tranzicioni në mungesë të ofertës së vërtetë e të drejtë, dalngadalë u përqafua edhe nga një sërë mediash të cilat gjuhën e urrejtjes po përpiqen t’a maskojnë me lirinë e fjalës dhe shprehjes.
Besoj thellësisht në vetëdijen e opinionit të përgjithshëm në Kosovë , pa marrë parasysh bindjet politike. Besoj se nuk mundë të jenë legjitime vetëm synimet dhe qëllimet e një individi apo grupi kurse ato të një individi apo grupi tjetër të shpallen apriori të padrejta dhe jolegjitime. Besoj kështu sepse, në të kundërtën, të gjithë ne do duhej të pajtohemi se po kthehemi në epokën e njëmendësisë dhe të përshëndetemi me vlerat esenciale të demokracisë të cilat aq shumë i kemi përfolur dhe të cilat aq shumë jemi përpjekur t’i jetësojmë.
Përgjasimin(Shembullin) më të mirë e kemi që të mësojmë nga sjelljet urtake të Shënjtorës Nëna Terezë e të Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova , në të cilën nuk i pamë të shahen me njerëz, nuk i pamë të fyejnë e të ofendojnë, si sot njerëzit e tyre, që kot silllen si „atdhetar“.
Si përgjasim i parë, Shënjtorja Nëna Terezë, arriti të bënte atë që s’mundi e s’mund ta bën asnjë superfuqi politike, ushtarake, ekonomike, kulturore- vetëm me një forcë, forcën e dashurisë, përmes filozofisë së saj, që është thelbësisht filozofi e dashurisë dhe kulturë e dashurisë ndaj njerëzve. Ndërsa si përgjasim i dytë, Präsidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova qetë, gjithherë i buzëqeshur, Rugova ishte burrështetasi më këmbëngulës dhe më i fortë moralisht që e patëm në Dardani. Ajo që u binte në sy edhe të huajve është qëndrimi i tij në dukje i brishtë, komunikues më të gjithë, i prirë që edhe nga kundërshtarët të bëjë miq, por i pathyeshëm në parimet për pavarësinë e Kosovës.
Pra, i përmenda këto dy pergjasime (shembuj) tipike të urtësisë shqiptare të kohës s’onë, i vetëdijshëm se përgjatë historisë kemi edhe përgjasime t’jera, si kundër përgjigjie për gjuhën e urrejtjes që është bërë përditshmëri e jona. Jemi fajtorë të gjithë nga pakë, pra familja, edukatorët dhe arsimi i politizuar, subjektet politike që për interesat e tyre po i dezorientojnë të rinjtë, po pyes : si të veprohet më tutje, cila është mënyra për të dalë nga skëtera që po e krijojnë ndasitë artficiale dhe urrejtja ndaj çdokujt dhe ndaj çdo gjëje mu përpara hundës së institucioneve që do duhej të gjenden në ballë të luftës kundër kësaj dukurie ?
Po pyes sepse vetë nuk kam përgjegje! Po pyes dhe po kërkoj përgjegje, sepse kjo gjuhë e urrejtjes është tërësisht në kundërshtim me parimet njerëzore, por edhe të parimit të besimeve islame apo të krishtere dhe megjithatë ajo gjuhë po praktikohet dhe po përhapet.
Zoti qoftë me ne.
Dhe krejt në fund, vetëm po përkujtoj se çdo gjë, qoftë një fjalim, një shkrim a një mënyrë e sjelljes, që nxitë paragjykime ndaj një individi, një grupi, një kombi a një feje, konsiderohen gjuhë e urrejtjes. Përdorim i gjuhës së urrejtjes konsiderohen edhe deklaratat që ndjellin frikë, e shqetësojnë, e odendojnë ose e diskriminojnë një individ apo një kolektiv. Dhe, kuptohet, gjuha e urrejtjes shërben për të krijuar një qëndrim mohues ndaj një individi apo kolektivit të cilit ai i takon.
Kjo fjala ”ZOTI E BËFTË MIRË ” është lutje e mirë , por besoni se Zoti nuk e bene mirë gjendjen e një individi apo shoqërie pa u mundue e pa berë punën që duhet në drejtim te mirës, mirëkuptimit dhe përmirësimit!

17 prill 2020
Haki Latifi