Aktori nga Presheva Artan Ibishi flet në rubrikën „Bardhë e Zi“, për herë të parë për portalin syri.tv

0
537

Syri.tv: Përshëndetje Artan, mirë se erdhe në rubrikën javore „Bardhë e zi“ të portalit Syri.tv të parin në gjuhën shqipe në Mërgatë ?

Artani Ibishi : Përshëndetje Syri.tv, është kënaqësi të jem pjesë e intervistës „Bardhë e zi“, ndihem i nderuar dhe i privilegjuar që më keni përzgjedhur që ta shpalosi jetën time profesionale, artistike apo edhe atë private me shikuesit dhe lexuesit tuaj.

Syri.tv: Artan na trego më shumë rreth vetes. Fillimet në fushën e aktrimit?

Artan Ibishi: Jam lind dhe rrit në Preshevë, kam studiuar në fakultetin e arteve në Prishtinë dega aktrim. Jam i martuar baba i dy fëmijëve, aktualisht jam aktor rezident në Teatrin e Preshevës. Në Luginë të Preshevës besoj që shumica më njohim me punën që e bëjë si aktor. Jemi një vend i vogël në momentin që jetojmë dhe veprojmë në Preshevë njerëzit kanë pasur mundësi të më njohin më mirë, ndërsa në fushën e aktrimit kam filluar si gjimnazist.

Syri.tv: Me cilin projekt e prezantove veten për herë të parë para publikut. Cilët ishin ato emocione ?

Artan Ibishi: Ehhh, më të vërtetë më kthyet në një kohë shumë mbrapa gati 20 vite më herët, po më kujtohet si sot kur për herë të parë u ngjita në skenë për tu prezantuar para publikut. Isha gjimnazist edhe në kuadër gjimnazit mbahej „Kuisi I Diturisë“. Po flasim për vitin 2000 deri 2004 dhe në atë kuis ishte edhe pika humoristike unë së bashku me grupin e klasës me skenar edhe regji nga vetë ne, Ishin ato paraqitje në skenë para publikut që do të mbesin gjatë në kujtesën time.

Syri.tv: Çfarë të inspiroi që të bëhesh aktor?

Artan Ibishi: Më heret nuk kam menduar se një ditë do të bëhesha aktor, por kur fillova të merresha me skeçe humoristike në atë kohë të ngjitesha në dërrasat e teatrit atëherë fillova ta preki nga afër e ta përjetoj ndjenjën e aktorit. Mbas çdo paraqitje ishin ato duartrokitjet pa fund që ta epnin vullnet edhe kurajën për të vazhduar edhe tej. Më pas fillova të dashurohem në këtë profesion dhe sot ja ku jam.

Syri.tv: Si është lidhja juaj gjatë punës me regjisorin?

Artan Ibishi : Unë mund të flas vetëm për vetën time ndoshta kish qenë mirë me i pyet edhe regjisorët se si jam unë në punë gjatë provave, po sinqerisht, them të drejtën, deri më tani me gjithë regjisorët që kam punuar nga të gjitha ata kam mësuar diçka por edhe gjatë procesit të punës kemi kaluar shumë mirë edhe raportet kanë qenë të shkëlqyera.

Syri.tv: Më shumë e pëlqen vetën në film apo në teatër. Ke marr pjese nëpër filma?

Artan Ibishi : Nuk kisha dashtë të bëjë një dallim të madh mes filmit dhe teatrit sepse që të dyja janë të rëndësishme për mua por fatmirësisht deri tash i kam provuar të gjitha kam luajtur në filma të metrazhit gjatë edhe atë të shkurte, kam luajtur edhe nëpër seriale me dhjetëra role në teatër, pjesëmarrës në shumë festival, kam edhe një përvojë të mirë me Stand up Comedy po mbi të gjitha është teatri në të cilën ndihem më mirë sepse është I gjallë i drejtpërdrejt e ke publiku përballë dhe komunikon.

Syri.tv: Çfarë roli luan arti në shoqëri?

Artan Ibishi : Arti apo Kultura është shtylla e një populli ndërsa artistët janë ambasador të saj. Një ndër krijimtaritë shumë të rëndësishme të kulturës që karakterizon një popull, është edhe arti. Arti luan një rolë të veçantë në zhvillimet kulturore. Ai kristalizon dhe ngrit vlerat e një shoqëri deri në piedestalin më të lartë. Arti është edhe një burim, një urë komunikuese mes qenieve njerëzore dhe mes kulturave e popujve.

Syri.tv: Artan, ti si aktor i ke sjellë Luginës së Preshevës shumë mirënjohje , A të ka mbështetë dhe sa komuna e Preshevës në këtë drejtim?

Artan Ibishi : Pavarësisht mirënjohjeve dhe çmimeve personale nuk do ti kisha pa ndihmën e kolegëve kështu që së bashku me kolegët e mi Preshevës jo vetëm mirënjohje po edhe shumë çmime i kemi sjellë. Deri më tani kemi pas përkrahje dhe bashkëpunim të mire nga ana e Komunës po a ka vend edhe për më tepër unë them që po. Kisha dashur që pushteti lokal çështjen e teatrit ta shohë me një sy ndryshe karshi institucioneve tjera.

Syri.tv: Çka i mungon teatrit të Preshevës?

Artan Ibishi : Teatri i Qytetit ende nuk i ka mbushur 3 vite, po prej themelimit deri me sot kemi punuar dhe jemi munduar që të jemi në rrugën e duhur. Me kalimin kohës gjithçka po vjen në vend të vet. Mendoj se kemi nevojë vetëm për aktore sepse vetëm një e kemi të punësuar kjo kisha thënë është mungesë e Teatrit.

Syri.tv: Me çfar problemi ballafaqohesh kohën e fundit si aktor ?

Artan Ibishi : Kohën që po jetojmë nuk do të kisha dashur ta përjetoj kurrë. Sot asnjëherë më parë me mungon teatri, po bëhen 2 javë që nuk po mundem së paku fizikisht të jem në Teatër për shkak mbylljes në karantinë për 28 ditë, ditën që do të jem i lirë do të shkoj.

Syri.tv: Cili ka qenë suksesi juaj gjatë karrierës tënde?

Artan Ibishi : Sukseset mund të jenë të shumta, çdo projekt i realizuar apo pas çdo personazhi apo rroli të ndërtuar në teatër është sukses për mua, edhe pse kam mirënjohje edhe çmime të fituar si aktor po unë e shohë se karriera ime është në ngritje e sipër, Jetës nuk i dihet mund të kem edhe suksese edhe më të mëdha.

Syri.tv : Me cilat projekte po meresh tani? Për çfarë bëhet fjalë ?

Artan Ibishi : Për këtë vit Teatri i Preshevës i ka parapara ti ketë tri premiera. Në muajin shkurt vetëm se kemi filluar me projektin e parë, bëhet fjalë për një komedi e cila quhet „Paraja“. Është një shfaqje shumë e madhe pas themelimit të teatrit është hera parë që jemi zgjerua si trupë artistike sepse në këtë projekt kemi marrë regjisor edhe aktor nga jashtë. Para një muaji kam qenë i angazhuar me Stand up Comedy në emisionin „Krejt Ka Pak“ i cili transmetohet çdo të Diele në RTK. Jam angazhuar në seriali „SHKALLET“ në Maqedoni i cili transmetohet në MT2 e gjithashtu jam duke u përgatitur për festivalin „Shkupi UP Fest“ që do të mbahet me 26 & 27 Maj ku do të prezantohem me Stand Up Comedy.

Por fatkeqësisht për momentin gjithçka është ndërpre jo me dëshirën tonë po për shkak situatës së jashtëzakonshme që është krijuar nga Corona virusi jo vetëm tek ne po në gjithë Botën. Në momentin që kalon kjo Pandemi Botërore punët në gjysmë do ti vazhdojmë aty ku i kemi lënë.

Syri.tv: Sa është i interesuar publiku Preshevar për Teatër ?

Artan Ibishi : Presheva gjithmonë ka pas publik edhe në kohët më të vështira ka pas aktivitete kulturore. Kurrë asnjëherë nuk kanë munguar gjithnjë e kemi përkrahjen e publikut Preshevarë unë dua ti falënderoj sepse ne pa ata nuk do të kemi vlerë.

Syri.tv: Me kë jeton aktori Artan Ibishi ?

Artan Ibishi : Fal Zotit kam një familje të madhe tipike shqiptare dhe jam krenar për familjen time. Jetoj me gruan e dy fëmijë e mi, me prindërit edhe vllahun me familje.

Syri.tv: Cili është komenti apo thënia që e merr nga koleget e tu ?

Artan Ibishi: Hahaahhha shpesh ma bëjnë „Yll“

Syri.tv: Çfarë të ka mbet zhig diçka për ta realizuar, që nuk ke pasur mundësi me realizuar ?

Artan Ibishi : Me shkua në Hollywood, me fitu Oscarin, pse jo… nuk po di diçka që më ka mbet zhig, atë që kam dashtë me bo mendoj se ja kam arritur.

Syri.tv: Ai beson vetës ?

Artan Ibishi : Patjetër që po, nëse nuk ke besim në vetvete nuk je askush nuk mund të bësh asgjë nëse nuk ke besim në vete, si mund të kesh besim tek dikush tjetër, kështu mendoj unë.

Syri.tv: Sa ju përkrahin mediet shqiptare si aktor qofshin ato ne vendin tuaj ato rajonale apo në Mërgatë ?

Artan Ibishi : Mediat mund të bëjnë shumë dhe të luajnë një rol të rëndësishëm në sferën e kulturës. Në përgjithësi me mediet lokale kam raporte të mira. Disa janë munduar me mundin dhe kapacitetet e tyre të na përkrahim të në japim hapësirë ta promovojmë punën tonë po ka edhe media apo portale për inate personale të bojkotojnë. Por ajo që dua ta theksoj është se ju jeni medium i parë në mërgatë i cili është interesuar për punën tonë.

Syri.tv Si është jeta e një aktori në Luginë të Preshevës?

Artan Ibishi : Nuk është ashtu siç mendojnë të tjerët, se ne aktorët bëjmë me një jetë të mirë, i kemi kushtet dhe se jeta jonë është me humor gjithë ditën, e kalojmë me të qeshura. Por unë them se edhe ne jemi njëjtë si ata po me të njëjta kushtet dhe probleme jetojmë, pavarësisht profesionit që kemi. Nuk është problem apo faji vetën tek ne, ky është një sistem në gjithë Ballkanin.

Syri.tv Si të pret publiku në Preshevë apo shoqëria jote ?

Artan Ibishi : Vetëm ata që kanë punuar në Preshevë e dinë më së miri se çfarë publiku ka Presheva dhe si të presin. Është kënaqësi të punosh për një publik të tillë, çdo projekt e kemi sallën e mbushur dinë të respektojnë dinë të vlerësojnë. Por kemi nga ata që edhe të kritikojnë. Në përgjithësi në preshevarët dallohemi me mikpritje në trevat shqiptare. Krenohem me shoqërinë me të cilën rrethohemi është brilante. Kam një respekt të veçantë në mesin tyre.

Syri.tv: Artan cili është mesazhi yt për përcjellësit dhe lexuesit e portalit Syri.tv

Artan Ibishi : Për lexuesit e portalit Syri.tv në këtë situatë që po jetojmë në radhë të parë i dëshiroj shëndet. Kisha dashur që ta shtojmë kujdesin të qëndrojmë nëpër shtëpitë tona sepse dy jave janë vendimtare për ne. E lus zotin të na largoj këtë sprovë dhe mos të ketë viktima në njerëz.

Syri.tv: Artan faleminderit edhe njëherë që gjete kohë të ishe pjesë e rubrikës javore Bardhë e Zi në portalin ton Syri.tv ?

Artan Ibishi : Edhe njëherë ju falënderoj dhe ju jam shumë mirënjohës që më përzgjodhët mua të jem pjesë e kësaj interviste. Ju dëshiroj shëndet dhe suksese në punën tuaj.

Intervistoi: Arben Mehmeti