Ukshin Hoti: ” E e di fare mirë se sa sakrifikojnë amerikanët nëse nuk është në interes të tyre. Jo vetëm me zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve, por me të gjitha çështjet e popujve të vegjël – Asnjë lidhje e jashtme nuk mund të bëjë shumë punë pa i pasur rrënjët thellë në truallin e Kosovës

0
1919

Nga: Bislim Elshani

Fragmente të zgjedhura nga unë, Besim Elshani, mbi raportin amerikan me shqiptarët dhe anasjelltasNdoshta ju pëlqen!

(Një mik m’u lut që të ofroja ndonjë shënim të Ukshin Hotit mbi raportet shqiptaro-amerikane dhe mbi rolin e amerikanëve në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare. I zgjodha pikërisht ato shënime që trajtojnë në mënyrë direkte këtë problematikë, ku, në pajtim me qasjen politike të Ukshin Hotit, megjithatë nuk ofrohen receta të gatshme dhe të përjetshme, por ofrohet një qasje kritike dhe e përgjegjshme në raport me çështjen, duke bërë përpjekje që të ndikohet në qëndrimin amerikan dhe jo duke pranuar pa kushte çdo qëndrim të tyre. Vërejtje: Lexuesi i pangeshëm mund të bëjë edhe lexim selektiv, duke zgjedhur psh. mestitujt e fundit apo ata të mesit) Bislim Elshani

Mbi karakterin autentik të demokracisë

Mjaft prej amerikanëve i kisha pasur miq në kohën e qëndrimit tim në vendin e tyre. Gjatë studimeve shumëvjeçare të politikës së tyre globale ua kisha parë për të madhe për besimin se demokracinë e tyre, të cilën e çmonin si një perfect system (sistem të përkryer) mund ta mbillnin gjithkund.

Ata besonin se sistemi që ishte treguar aq i suksesshëm në Amerikë, do të duhej doemos të funksiononte edhe në vendet tjera, pikërisht njësoj si tek ata. Për këtë shkak, gjatë periudhës së pasluftës, shpeshherë kishin qenë të detyruar që demokracinë e mbjellë nëpër ato vende, ta ruanin me forcën e armatës së tyre. Mirëpo, kjo gjë pastaj shkaktonte animozitetin e popujve të ndryshëm kundrejt tyre, gjë për të cilën ata për një kohë të gjatë u habitën. Falë edhe këtij animoziteti, më në fund e kuptuan se demokracia çdokund do të duhej të ishte e vetëlindur, autoktone, se p. sh. pinoçetizmi nuk mund të quhej demokraci, se ajo, demokracia, ndonëse i kishte parimet të përbashkëta, të gjithëpranueshme, universale, do të duhej të zbatohej në mënyrë autentike, në harmoni me kushtet e vendit dhe me karakterin e njerëzve të atjeshëm. Këtë fakt si kërkesë politike në fillim e artikuluan intelektualët politikë të Amerikës si Georg Kennan, dhe më vonë, John Campbell, por vetëm në raport me vende të caktuara (BRSS) ose me regjione të dhëna (si p. sh. Ballkani).

Tani kjo kërkesë është ngritur në nivelin e principit: përkrahja amerikane për demokracinë në vendet tjera do të duhej ta merrte parasysh raportin lokal të forcave. Logjika legaliste amerikane, përkrahja e regjimeve në pushtet e operacionalizuar si politikë intervencioniste, bukur vonë e akceptoi rëndësinë e vërtetë të kërkesave intelektuale të inteligjencies së saj politike. Mirëpo është me rëndësi se ajo tani këtë e akceptoi, ndonëse e shtyrë edhe nga nevoja për ndryshimin e qëllimeve strategjike të politikës së vet globale. Amerikanët tani e kanë të qartë se njëmend e dëshirojnë një botë “safe for demokracy” dhe jo një “demokracy safe from the world” (d.m.th. një botë të sigurt për demokraci dhe jo një demokraci të sigurt, d.m.th., të ndarë nga bota). Demokracia e kaubojve që e kishte hasur Aleksis de Tokëvili tani ishte shndërruar në një synim global politik. Dhe, botë e sigurt për demokraci mund të jetë vetëm ajo ku demokracia është e vetëlindur dhe jo e imponuar.

Nga Fjala e mbrojtjes para gjyqit:

Gjatë qëndrimit në specializim në SHBA kam gëzuar një trajtim jashtëzakonisht të lartë. Kam qenë i emëruar nga ana e rektorit të Universitetit të Harvardit si hulumtues shkencor i pavarur. Me rastin e pranimit tek Zonja Rosalyn Carter në Washington DC kam qenë i zgjedhur si i vetmi njeri që do të përfaqësonte të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e Evropës në SHBA. Në këtë cilësi kam marrë pjesë në shumë dreka dhe bisedime që i organizonin senatorë e kongresmenë të caktuar dhe përfaqësues të pushtetit në SHBA. Kam marrë pjesë aktivisht nëpër simpoziume të ndryshme shkencore dhe nëpër ligjërime të intelektualëve autoritarë të SHBA, dhe mendoj se me kontributin tim nëpër ato tubime dhe ligjërata kam krijuar emrin tim, përkatësisht, emrin dhe identitetin tim amerikan, i cili ishte i njëjtë me emrin tim këtu, por tani i njohur edhe atje. I kisha dyert e hapura për të gjitha kontaktet e mundshme dhe gëzoja shkallë të lartë të ndihmës teknike që nga një kabinet i stërmadh me makina shkrimi, ordinatorë, telefona, gjer ke ndihma skofiare e dy sekretareshave që punonin në prag të dyerve të zyrës sime. Mirëpo për të gjitha këto, për gjithë atë trajtim të lartë që mu kishte siguruar atje, asnjëherë gjer më sot nuk e kam falënderuar qeverinë e SHBA-ve. Këtë gjë nuk e kam bërë jo vetëm për shkak se menjëherë pas kthimit në Prishtinë me 1979 jam përfshirë në vorbullën e ngjarjeve që pasuan së shpejti, por më tepër për shkak se gjithnjë deri më sot nuk kam pasur përgjigje të qarta në disa pyetje që më mundojnë edhe tani. Ishin të nevojshme kohë të mbushura me ngjarje që këtë më në fund ta kuptoja, në mënyrë që të dija edhe të pozicionohesha në raport me të. Tani kjo është e qartë. Prandaj, ndonëse duket e çuditshme për shkak të vendit dhe të kohës në të cilën po e bëj këtë, shfrytëzoj rastin që me gjithë zemër ta falënderoj qeverinë e SHBA-ve për qëndrimin tim atje gjatë vitit shkollor 1977-78. Mendoj se nuk është vonë, sepse këtë po e bëj sinqerisht dhe jo vetëm formalisht. Ajo është një qeveri e një vendi të madh, e një populli të mrekullueshëm me mundësi të pakufizuara. Këtë e bëj sinqerisht edhe për shkak se qeveria e këtij populli të madh, dhe e këtij vendi të madh, as përpara, as atëherë dhe as më vonë, kurrëndonjëherë me asgjë nuk e ka kushtëzuar qëndrimin tim atje. Asnjëherë nuk ka kërkuar çfarëdo shërbimi prej meje dhe ka qenë jashtëzakonisht korrekte me mua. Një gjë e tillë natyrisht imponon respekt. Ajo që mua ndërkaq atëherë më pengonte dhe që nuk arrija të kuptoja dot ishte paaftësia ime që t’i zbuloja qëllimet e vërteta amerikane kundrejt popullit shqiptar të cilit unë i përkisja. Dëshiroja të depërtoja pak më larg nga kundërvënia e tyre ndaj regjimit të Enver Hoxhës, por këtë gjë ata nuk ma mundësonin. Kisha vënë re se gjithë çka kishte të bënte me Shqipërinë ishte e vendosur në kuadër të studimeve sllave dhe kjo si në Harvard ashtu edhe në Universitetin e Çikagos, ashtu edhe në Bibliotekën e Washingtonit DC. Në të gjitha pyetjet e mia lidhur me këtë çështje ata nuk kishin përgjigje. Literatura e tyre politike si dhe literatura e historisë politike i shmangej përgjigjeve në këto pyetje. Madje edhe Robert Lee Wolf, një autor i vjetër i studimeve të famshme për Luftën e Dytë Botërore në këtë pjesë të Ballkanit, në studimet e veta i është shmangur përgjigjes në pyetjet e mia. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Hans Morgenthao (babai i teorive politike ndërkombëtare amerikane); Jeremy Israel, nga Universiteti i Çikagos, Steven Burg, gjithashtu nga Çikago, Dov Ronen nga Harwardi, Erik Hamp nga Çikago e të tjerë. Të gjithë ata e dinin se kam qenë në detyrën e ministrit regjional në një krahinë potencialisht eksplozive të Kosovës dhe që të gjithë ata i shmangeshin me urtësi temave “të nxehta”. Ndërkaq Steven Larabee, një njeri inteligjent i moshës sime, me të cilin edhe shoqërohesha më së shumti dhe i cili atëherë ishte caktuar në Stejt Department në detyrën e shefit të Drejtorisë për Ballkanin, madje edhe ai i shmangej bisedave serioze në këtë temë. Nuk e di se përse e ka braktisur Stejt Departmentin dhe ka shkuar në Institucionin “Rand” pas arrestimit tim të parë, por e di se pikëpamja që amerikanët më me dëshirë do ta shihnin Shqipërinë të bashkuar me Kosovën dhe jo Kosovën me Shqipërinë ishte e përhapur gjerësisht midis emigracionit politik shqiptar në SHBA. Disa pjesë të caktuara, sidomos ato të bashkuara rreth Legalitetit, një parti zogiste që kërkonte kthimin e Leka Zogut në fronin e Shqipërisë, gjë të cilën vazhdon ta bëjë edhe sot, si dhe pjesë të caktuara të Ballit Kombëtar, të bashkuara rreth Xhafer Devës, flisnin, por edhe shkruanin, se me shumë dëshirë do t’ia hiqnin kokën së pari Enver Hoxhës e pastaj edhe Fadil Hoxhës. Ata mendonin se këta ishin fajtorë për mosbashkimin e Shqipërisë menjëherë pas luftës.

Nuk i përgjigjeshin dot pyetjes, përse të ishte më shumë fajtore Shqipëria se sa Kosova apo Jugosllavia për një rezultat të tillë negativ për shqiptarët menjëherë pas lufte? Përgjigjet e autorëve tanë në këto pyetje që u shfaqën pas vitit 1990 nëpër faqet e shtypit tonë e fajësojnë ish-regjimin komunist në Shqipëri, sipas logjikës së shtetësisë: “ata ishin shtet dhe jo ne. ” Nuk është e nevojshme të komentohet se një rezonim i tillë është më së paku naiv. Nuk ishte e vështirë që të konkludoja se një rezonim i tillë i emigracionit shqiptar në atë kohë ishte në realitet thjesht një reflektim i disponimit antikomunist të administratës amerikane e cila nuk kishte asnjë lidhje me nevojën e zgjidhjes së çështjes shqiptare. Lidhur me këtë çështje ata rezononin nga pozita e superfuqisë dhe nga pozita e politikës globale. Ata e dinin se qëndrimi i Kominternës (Internacionales Komuniste) lidhur më këtë çështje, që nga viti 1926 e këtej, deri te Kongresi i V i PKJ me 1941, ishte që Kosova do të duhej t’i bashkohej Shqipërisë, prandaj ranë në konkluzionin e kundërt d.m.th. se do të duhej që Shqipërinë t’ia bashkonin Kosovës, në mënyrë që edhe më tej të mund t’i shisnin botës sllave 300 milion këmisha në vend të vetëm 5 milion këmishëve sa do të mund t’u shisnin shqiptarëve po t’i mbështesnin. Lidhur më këtë ndonjëri prej tyre fliste hapur si me shaka. I kuptoja mirë atëherë parametrat e arsyetimeve të tyre sipas të cilëve gjithçka ishte e shndërruar në kuantitet, por nuk mund të them edhe se më pëlqente një gjë e tillë. Edhe më pak më pëlqente realiteti ynë politik i cili ato pyetje, me metodën e reprezaljeve policore, i kishte shpallur si tema tabu. U desh tepër shumë kohë, punë, djersë dhe gjak që këto çështje më në fund të hapeshin. Qysh atëherë e kisha fituar përshtypjen se autonomia e Kosovës në ish-Jugosllavinë titiste ishte në të vërtetë refleksion i ndeshjes së dy politikave globale pas të cilave qëndronin dy shoqëri globale dhe ky fakt më pati tronditur. Duke mos u futur më thellë në elaborimin e zbulimeve lidhur më këtë pyetje, duke iu drejtuar këtij gjyqi, vetëm mund t’i theksoj bindjet e mia të cilat s’janë obligative për askënd, por të cilat përmbajnë kërkesën që lidhur me këto të mendohet, madje edhe nga ana e qeverisë së SHBA-ve në Washington, apo qeverisë Ruse në Moskë, në Beograd, Tiranë apo në Prishtinë:

Populli shqiptar duhet bashkuar. Këtë e dinë të gjithë dhe askush më nuk e konteston. Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që herët e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve. Nuk i duhet që ta dëshmojë përkatësinë e vet në këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe e pranisë së religjionit islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe ka mbetur popull evropian. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie. E drejta e popullit shqiptar për t’u bashkuar buron edhe nga fakti se ai nuk ka qenë ndonjëherë i pyetur për caktimin e kufijve që e cungojnë nga të gjitha anët.

Nga “Çështja kombëtare shqiptare – komponenti religjioz”:

d) Që moti është e qartë se promotori kryesor i ndryshimeve të sotme në plan të institucionalizimit të jetës ndërkombëtare politike janë SHBA-të. Ato gjithnjë e më tepër po veçohen edhe si garant kryesor i vlerave themelore të jetës ndërkombëtare politike gjë që ishte e qartë edhe më herët. Mirëpo edhe më parë nuk ishte shumë e qartë nëse kjo superfuqi e pakrahasueshme botërore do ta kryente punën e vet ose nëse do ta luante rolin e vet ndërkombëtar (të garantit) me përgjegjësi që i takon një kolosi të tillë të forcës, apo duke qenë tejet të fortë, në veprimet e veta politike do të mbisundojë arroganca e forcës? Kjo nuk ishte ndonjë pyetje së cilës njeriu do të mund t’i përgjigjej me objektivitet të plotë, por në qoftë se mbështetja e principit mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut do të përcillej me mbështetjen e principit të vetëvendosjes, së paku aty ku kjo gjë do të ishte jo vetëm e arsyeshme dhe e drejtë, por edhe e domosdoshme dhe politikisht me leverdi për stabilizimin afatgjatë të vlerave themelore (shqiptarët i plotësojnë të gjitha këto kushte) në kombinim me insistimet gjithnjë e më të shprehura të amerikanëve për një ligjësim të jetës ndërkombëtare politike, atëherë, duket se ndodhen në rrugë të drejtë për ta dëshmuar shpirtin e vet të madh. Të flas sinqerisht, më herët kam qenë mjaft skeptik për drejtimin e mundshëm të ecurisë së politikës amerikane. Tani e shoh se po bëjnë hapa të qëlluar në këtë drejtim: Ndihma që bashkësia ndërkombëtare i ofroi Shqipërisë; qëndrimi i State Departamentit gjatë krizës atje dhe sidomos tërheqja e trupave të huaja në afatin e premtuar, menjëherë pas zgjedhjeve, më bëri përshtypje shumë pozitive. Qeveria e re që do të formohet, e dalë nga zgjedhjet, do të duhej ta gëzonte përkrahjen edhe të Kosovës, por pa çmimin e Kosovës, në mënyrë që gjërat të vendosen në binarë të vërtetë normalë. (U. H. Shën. i vitit 1997)

Nga biseda me Qani Mehmedin, Zëri i rinisë, 6 prill 1991:

Pyetje: Falë alternativës, çështja e Kosovës është internacionalizuar, janë vënë lidhje të rëndësishme me faktorët ndërkombëtarë që vendosin për botën sot.
Përgjigje: Në radhë të parë falë gjakut të sa e sa të rinjve të viktimizuar apo të sakatosur nëpër kazamatet jugosllave për Kosovën Republikë. S’mund të mohohet as kontributi i alternativës kosovare, e cila ka vepruar me njëfarë sigurie politike shkakun e së cilës ajo e di por nuk e thotë. Megjithëkëtë, asnjë lidhje e jashtme nuk mund të bëjë shumë punë pa i pasur rrënjët thellë në truallin e Kosovës, në vullnetin e popullit të saj. E çmoj shumë kontributin e faktorit të jashtëm dhënë luftës politike të shqiptarëve. Megjithatë, duke qenë se kam studiuar edhe në Universitetin e Harvardit në SHBA, e di fare mirë se sa sakrifikojnë diçka amerikanët nëse nuk është në interes të tyre. Jo vetëm kur kemi të bëjmë me zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve, por edhe me të gjitha çështjet e popujve të vegjël…

Nga biseda me Ibish Nezirin me 1992 (“Spektër shqiptar”, Biel Bienne, CH, 1994):

Dihet se ministri britanik i punëve të jashtme, i cili njëkohësisht ishte edhe kryetar i Konferencës së Londrës më 1913, ka deklaruar përafërsisht kështu: “Për fat të keq, e viktimizuam një popull për ta ruajtur paqen e Evropës”. Pas përfundimit të konferencës, ai ka qenë plotësisht i vetëdijshëm se populli shqiptar është ndarë për hir të ruajtjes së paqes në Evropë, por çfarë ka ngjarë më vonë? Konferenca ka përfunduar më 1913, Lufta e Parë Botërore ka filluar më 1914. Dmth. nuk ka pasur kurrfarë ruajtje të paqes por ka pasur viktimizim të shqiptarëve për plot 80 vjet. Unë po i frikësohem sërish kësaj dhe sinqerisht po them se a mos në fund të konferencës së Gjenevës do të deklarojë sërish ndonjë ministër i punëve të jashtme, ose ndonjë ko-kryetar si Sajrus Vensi, ose Lordi Oven: “Le të na falin shqiptarët se i viktimizuam pak për t’i qetësuar jugosllavët. ” Prej kësaj duhet të frikësohet çdo subjekt i vetëdijshëm politik shqiptar.
[…]
Mund të flasim për stihinë e këtyre gjërave, mund të flasim për ndonjë spontanitet, mund të flasim se qysh do të na lërë Evropa kështu e ashtu, për ndonjë shpresë se nuk do të na lërë në baltë Amerika ose Gjermania, por këto janë çështje shprese, nuk janë çështje politike. Çështje politike do të ishte p.sh. sikur t’i tregonim atij amerikani, evropiani ose aziatiku se unë dëshiroj të arrij këtë qëllim me këto kushte dhe me këto mundësi. Ti e akcepton ose nuk e akcepton dot, është një çështje për të cilën ne tash do të përlahemi atje në konferencë. Por ta reduktosh ti tërë aktivitetin e një populli, gjithë pakënaqësinë e një populli, në një lëvizje spontane, qysh t’ia merr mendja gjithkujt, pastaj të bësh konferencë atje, pastaj të kërkosh që aktivitetin tënd ta reduktosh në lutje të thjeshta drejtuar faktorit të jashtëm që të na marrë parasysh, kjo mund të jetë shaka politike por jo edhe politikë. Është politikisht joserioze dhe pa përgjegjësi historike.
[…]
Duhet t’i shqyrtojmë hesapet në mes veti. Përderisa nuk zgjidhen këto çështje, nuk mund të ecet përpara. Këto tregojnë se çështja shqiptare, ose e Kosovës, është lënë ekskluzivisht në duart e faktorit të jashtëm, dhe për këtë shkak jepen deklarata herë kështu e herë ashtu. Pra nuk ka mbështetje në faktorin e brendshëm por vetëm në atë të jashtmin, sepse vetëm ai i jashtmi mund të bëjë shaka e të të thotë në këtë moment kështu e në atë moment ashtu, për shkak se ai i ka interesat tjera dhe jo vetëm interesin tënd.
Faktorit të brendshëm duhet t’i bëhet e qartë se çka dëshirojmë të arrijmë në të vërtetë. Duhet t’i bëhet e qartë edhe se si arrihet ai qëllim. Duhet t’i bëhet e qartë edhe se a është e mundshme arritja e atij qëllimi. Vetëm pas analizës së këtyre mundësive komplekse duhet të caktohet ajo që është optimale dhe e realizueshme.