Intervistë me Këshilltaren e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri znj. Dhurata Selimi e cila flet për Portalin Syri.tv në rubrikën “ Bardhë e Zi“

0
862

Syri.tv: Dhurata mirë se vini në rubrikën javore „Bardhë e Zi“ të portalit Syri.tv, portali i vetëm në mërgatë në gjuhën shqipe? 

Dhurata Selimi: Falënderoj për bisedën dhe kontributin tuaj në informimin e bashkatdhetarëve tanë! 

Syri.tv: Kush është këshilltarja nga Lugina e Preshevës që punon në Ambasadën e Kosovës në Austri?

Dhurata Selimi: Quhem Dhurata Selimi, jam nga Prishtina, e shkolluar pjesërisht në Prishtinë dhe jashtë vendit. Familja ime kishte ardhur qysh në vitet e ’70-ta në Prishtinë më saktësisht gjatë studimeve të babait tim. Studimet themelore i kam përfunduar për gjuhë dhe letërsi gjermane në Fakultetin Filologjisë në Universitetin e Prishtinës „Hasan Prishtina“, ndërsa studimet master i kam përfunduar në Freie Universität Berlin, Fakulteti i Shkencave Politike dhe Sociologjisë në drejtimin Politika dhe historia gjermane pas Luftës së Dytë Botërore. Tema ime e magjistraturës është për Kosovën. Unë kam shkruar për „Intervenimin e parë ushtarak gjerman pas Luftës së Dytë Botërore“.

Syri.tv: Si arritët deri këtu ku jeni sot ?

 Dhurata Selimi: Të gjitha i kam arritur me punë dhe duke u mbështetur në aftësitë e mija dhe natyrisht me mbështetjen e familjes time. Unë ka afër 20 vite që punoj, kështu që kur ekziston vullneti për të bërë diçka, ia arrin. Besoj që përvoja ime, shkollimi im dhe trajnime të ndryshme të përfunduara në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Akademitë Diplomatike në vende të ndryshme të Evropës e në veqanti vijimi i Kolegjit Diplomatik në Berlin, i cili ka rëndësi të madhe për një diplomat, më kanë bë kjo që jam sot.

Syri.tv : Cila është puna që bëni si këshilltare ? 

Dhurata Selimi: Duhet ta sqaroj: Këshilltare në Ambasadë do te thotë grada diplomatike! Unë si diplomate me gradën e këshilltares bëjë punën si diplomate. Diplomacia mbulon fusha të ndryshme si: politike, protokollare, diplomaci ekonomike, kulturore etj. Të jesh diplomate, duhet ti njohësh shumë fusha të cilat i përmenda më lartë po edhe të kesh aftësi tjera të cilat në anglisht njihen me nocionin „soft skills“. Pra këto janë aftësi që stafit diplomatik i nevojiten në komunikimin e përditshëm.

Syri.tv: Cilët janë kriteret për të qenë një Këshilltare e një Ambasade ashtu si jeni ju? 

Dhurata Selimi: Unë kam pas fatin të jem një ndër diplomatet e para pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Në vitin 2009 kam konkurruar në konkursin e parë të diplomateve dhe konsujve në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Unë kur përfundova studimet themelore në vitin 2005 menjëherë u angazhova në Ambasadën Gjermane në Prishtinë, ku kam punuar 5 vite. Kriteret padyshim ishin përfundimi i studimeve, njohuritë e gjuhëve të huaja dhe përvoja e punës. Unë flas gjermanisht, anglisht dhe serbokroatisht në nivelin e gjuhës amtare. Grada diplomatike Këshilltare jepet me kohë pasi të jesh pranuar në Shërbimin e Jashtëm. Unë jam pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme që nga viti 2009 ku kam filluar me punë si Konsulle ndërsa grada e Këshilltares më është dhënë pas 6 viteve përvojë pune!

Syri.tv: Çfarë ju shtyri që të merreni me ketë drejtim, pse nuk zgjodhët ndonjë drejtim tjetër?

Dhurata Selimi: Është nder dhe privilegj të jesh pjesë e ndërtimit të një shteti të ri, siq është Kosova. Mund të them me plotë bindje, se përvoja ime e punës në institucione diplomatike (p.sh. Ambasada Gjermane) ka qenë frymëzuese dhe njëkohësisht bagazh që unë të ndihmoj në ndërtimin e misioneve të para diplomatike në vende tjera. Unë në vitin 2010 kam themeluar Konsullatën e Kosovës në Cyrih ( Konfederata e Zvicrës) për të vazhduar me punën e njëjtë në cilësinë e Konsulles në Ambasadën e Kosovës në Berlin e më pastaj themelimin e Konsullatës së Përgjithshme në Mynih të Gjermanisë. Ishte nder i veçantë që të jem një ndër diplomatet e para në këto vende ku i vura themelet e shtetit të Republikës së Kosovës!

Syri.tv: Cilat janë sukseset e juaja si Këshilltare ? 

Dhurata Selimi: Puna e palodhshme dhe angazhimi im kanë qenë dhe janë sukseset e mia!

Syri.tv: Dhurata ju vini nga Lugina e Preshevës, sa ju përkrahin partitë politike nga Lugina apo nga Kosova?

Dhurata Selimi: Prindërit e mi janë nga Lugina. Unë gjithnjë mburrem me prejardhjen e prindërve të mi. Nuk kam të bëjë as nuk kam pasur kurrë të bëjë me ndonjë parti politike, në të kundërtën isha bërë politikane! I shërbej interesave të shtetit tim!

Syri.tv: Keni vizituar ndonjëherë Luginën si Këshilltare e Ambasadës së Kosovës në Austri? 

Dhurata Selimi: PO, vetëm privatisht.

Syri.tv: Çfarë raporte keni me Ambasadat tjera shqiptare ?

Dhurata Selimi : Jashtëzakonisht mira, të shkëlqyera! Mundohemi të bashkëpunojmë në çdo fushë. P.sh në Austri çdo vit organizohen Javët e Kulturës Shqiptare dhe gjatë këtyre javëve Këshilli Koordinues në Austri në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës dhe Ambasadën e Shqipërisë, promovojmë vlerat tona shqiptare, autoktone dhe kulturore.

Syri.tv: Si është jeta e një këshilltare në Austri ?

Dhurata Selimi: Të jesh i gatshëm dhe në detyrë 24 orë! 

Syri.tv: Përpos që punoni si Këshilltare , keni ndonjë hobi apo profesion tjetër? 

Dhurata Selimi: Udhëtimet! Dëshiroj të vizitoj vendet dhe të njoh kultura tjera!

Syri.tv: Cila është thënia më e shpeshtë që e përdorni si Këshilltare? 

Dhurata Selimi : Nuk kam ndonjë thënie si këshilltare!

Syri.tv: Çfarë ju sugjeroni më tepër si Këshilltare Ambasadores së Kosovës në Austri ? 

Dhurata Selimi : Ambasadori është shef i misionit dhe ai ndanë detyrat dhe përgjegjësitë tek kolegët, kështu që ne bashkarisht të kryejmë punë të caktuara me direktiva të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Syri.tv: Çfarë ndenje është të jesh Këshilltare e një Ambasade? 

Dhurata Selimi : Ta përfaqësosh shtetin e Kosovës kudo në botë për mua është një privilegj shumë i madh! Marr parasysh sakrificat e popullit shqiptar, unë sot mundem ti shërbej shtetit tonë të pavarur dhe unë them shpesh që nuk duhet të ndalemi së kontribuuari për shtetin tonë.

Syri.tv: Si Këshilltare shqiptare që je në Ambasadë, sa të përkrahin shqiptarët e Austrisë në ketë drejtim ?

Dhurata Selimi : Ne më diasporën shqiptare bashkëpunojmë dhe jemi në kontakte të rregullta, andaj kemi përkrahjen e tyre të vazhdueshme!

Syri.tv: Cilët janë 24 orët e e një Këshilltare siç jeni ju?

Dhurata Selimi : Punë dinamike dhe pa orar. Duhet të jesh në gjendje në çdo kohë të jesh e gatshme për të shërbyer dhe të kryesh punë të cilat nuk janë në përshkrimin tënd të punës prej vozitësit e deri tek protokolli. 

Syri.tv: Çka ju karakterizon si person, si Këshilltare ? 

Dhurata Selimi: Mua si person më karakterizon shkathtësia dhe përgjegjësia ndaj punës . Besoj këto dy virtytet më motivojnë për punë.

Syri.tv: Si ju presin në Luginë ? 

Dhurata Selimi: Me shumë respekt! 

Syri.tv: Më kë jetoni Dhurata Selimi ? 

Dhurata Selimi : Me familjen time.

Syri.tv: A jeni Këshilltare e rreptë apo e urtë ?

Dhurata Selimi : Jam e arsyeshme:)

Syri.tv : Cili është mesazhi juaj për të rininë në Luginë apo në Mërgatë?

Dhurata Selimi: Shkollim dhe mësim në avancimin e vendit …Mërgata ka shumë mundësi që ne shtetet ku jetojnë të avancohen, qoftë me studime apo edhe me shkollime profesionale. Ndërsa sa i përket të rinisën në Luginës, unë them që të kenë vullnetin për atë që e dëshirojnë, mos të dorëzohen asnjëherë. Çdo gjë dëshiron mund ti arrish!

Syri.tv: Dhurata ju jeni për herë të parë duke dhënë një intervistë për një medium në gjuhën shqipe në Mërgatë si që është Syri.tv, cili është komenti juaj? 

Dhurata Selimi: Për Syri.tv është hera e parë dhe ju falënderoj për këtë dhe gëzohem që një medium i tillë shërben për ti promovuar vlerat e mërgatës tone.

Syri.tv: Sa ju përkrahin mediet në Mërgatë dhe ato rajonale si Këshilltare Ambasadës së Kosovës në Austri? 

Dhurata Selimi:  Mediet tona janë gjithmonë të gatshme të na promovojnë me mundësitë që i kanë. Por fatmirësisht ne kemi arritur të krijojmë raporte të mira edhe me mediume austriake e edhe ato na përkrahin dhe promovojnë punën tone.

Syri.tv: Dhurata, ju faleminderit shumë që gjetët kohë të jeni pjesë e rubrikës javore në portalin Syri.tv

Dhurata Selimi : Ju falënderoj unë për punën e mire që bëni. Kënaqësia ishte imja!

Intervestoi Arben Mehmeti