Deklarohet KQZ: Deri në ora 15 pjesëmarrja e votuesve 29,19%

0
280

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se në bazës të dhënave të dërguara në mënyrë elektronike nga qendrat e votimit nga të gjitha komunat e Kosovës deri në orën 15:00 , kanë votuar gjithsej 532 mijë 288 votues.

Ajo po ashtu ka theksuar se deri tani procesi i votimit është duke shkuar mirë dhe pa incidente.

Daka: Deri në ora 15:00 votuan mbi 532 mijë qytetarë

“Në bazë të të dhënave të dërguara në mënyrë elektronike nga qendrat e votimit për të gjitha komunat e Kosovës deri në orën 15:00 , kanë votuar gjithsej 532 mijë 288 votues apo 38.89 të votuesve . Krahasuar me zgjedhjet lokale të datës 3 nëntor të 2013-tës , deri përafërsisht në të njëjtën kohë kanë votuar 568 mijë e 709 votues apo 31.96 përqind. Gjithashtu mund të ju informoj se deri më tani procesi i votimit është duke shkuar me rregull, duke i marrë parasysh disa çështje të vogla aty- këtu në terren “, tha Daka.

Daka  paralajmëroi se në orën 20:00 do të mbahet mbledhja e radhës e KQZ-së ku  do të njoftojnë për numrin e votuesve dhe për procesin zgjedhor në përgjithësi.

Probleme në disa qendra, ja pjesëmarrja e votuesve deri në orën 12 sipas DnV-së

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, ka paraqitur raportin e dytë për procesin zgjedhor i cili po zhvillohet sot për zgjedhjet lokale, ku ka identifikuar disa parregullsi që kanë ndodhur nëpër qendrat e votimit.

Megjithatë, pavarësisht këtyre parregullsive, ato nuk po e prishin procesin në tërësi.

Albert Krasniqi nga DnV-ja tha se raportin që kanë marrë nga vëzhguesit e tyre në terën jep të dhëna për procesin deri në orën 12:00.

Ai tha se deri në orën 12:00, kanë votuar 276 mijë e 342 qytetarë me të drejtë vote ose shprehur në përqindje 14. 61 përqind e të gjithë votuesve.

Sipas raportit të DnV-së, tri komunat me përqindjen më të lartë të daljes është Kllokoti, Mamusha dhe Leposaviqi. Ndërsa, komunat me daljen me të ulët deri në orën 12, janë Skenderaj me 9.3 përqind, Dragashi me 10. 8 përqind dhe Rahoveci me 11. 2 përqind.

Krasniqi: Ka tentime për të votuar me shumë se një herë

“Sa i përket parregullsive që kemi evidentuar deri në orën 12:00 kanë të bëjnë me tentimet për të votuar me shumë se një herë, që janë 26 raste në 9 vendvotime që kanë ndodhur, dhe prinë Ferizaj me 13 raste, Mitrovica me 8 dhe Prizreni me dy. Kemi edhe raste që po na shoqërojnë në zgjedhje, por që është me i ulët se zgjedhjet e kaluara parlamentare, është votimi familjarë, ose kur me shumë se një person qëndron prapa kabinës së votimit. Gjithsejtë janë identifikuar 1967 raste, në 338 vendvotime ose një dukuri që ka prekur 13.5 për qind të të gjitha vendvotimeve të hapura në Kosovë. Këto raste prinë Gjakova me 330 raste, Ferizaj me 208 dhe Lipjani me 138. Fotografimi i votës është evidentuar në 138 raste, që në përqindje në nivel të përgjithshëm është 3.8 për qind”, tha Krasniqi.

Krasniqi shtoi se vështirësitë e votuesve për të gjetur emrin në listën votuese është një dukuri tjetër e cila ka rol në zgjedhje. Po ashtu, ai theksoi se parregullsi tjera që kanë evidentuar janë edhe defekte teknike në fletëvotime pasi ka pasur viza për ta sugjeruar një subjekt të caktuar për ta votuar.

Krasniqi: Në fletëvotime në Drenas u gjenden shenjëzime për ta votuar Nismën

“Sa i përket parregullsive tjera përveç atyre që ne ju kemi informuar deri me tani, kanë të bëjnë me qendrën e votimit në shkollën “Luigj Gurakuqi” në Drenas, ku në këtë vendvotim janë vërejtur disa fletëvotime që kanë pasur defekte teknike dhe ka qenë një vizë e vendosur para Nismës për Kosovës që ka qenë një mënyrë për ta sugjeruar votuesin për ta votuar atë subjekt politik. Ky deng i fletëvotimeve është tërhequr prej votimeve nga ana e komisionerëve. Pastaj, në qendrën e votimit 1121B në shkollën ‘Mehë Uka’ në Mitrovicë një person është lejuar të votojë me dokument të fotokopjuar pasi nuk e ka pasur dokumentin origjinal. Pastaj në Shkollën ‘Asim Vokshi’ në Prishtinë, një votues ka raportuar se ka gjetur emrin e tij të nënshkruar se dikush ka votuar paraprakisht. Ndërsa në shkollën ‘Ndre Mjeda’ në Istog një komisioner i VV-së është paraqitur me identitet të rremë, i njëjti është identifikuar dhe është larguar nga vendvotimi”, u shpreh ai.

Megjithatë, Krasniqi u shpreh se këto parregullsi të evidentuara nuk e prishin procesin zgjedhor në tërësi.

***

Autoritetet e rendit kanë konfirmuar se në pikën kufitare në Jarinje, ka ndaluar një autobus i cili hynte nga shteti serb, në Republikën e Kosovës, pasi aty kanë hasur në disa mjete të dyshimta, që dyshohet të jetë eksploziv plastik.

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, për Radion Evropa e Lirë tha se tashmë janë arrestuar tre persona të nacionalitetit serb.

“Autobusi është ndaluar në pikën kufitare në Jarinje. Pasi ka kanë hasur në disa mjete të dyshimta, që dyshohet të jetë eksploziv plastik. Si rezultat i veprimit të Policisë janë shoqëruar në stacion policor tre persona të nacionalitetit serb për intervistim, dhe gjitha veprimet tjera do të ndermirën në konsultim të ngushtë me prokurorët kompetentë’’, tha Kelani.

Kelani tha se tashmë janë njoftuar edhe njësitet relevante të Policisë që merren me trajtimin e materieve shpërthyese për hetim të mëtejmë të autobusit.

Dy raste të fotografimit të fletëvotimit në Ferizaj

Në qendrën e votimit 2501Y në shkollën fillore “Ahmet Hoxha” në Ferizaj janë evidentuar dy raste të fotografimit të fletëvotimit.

Rasti i parë ka ndodhur në orën 8:30 ndërsa i dyti tri orë më vonë.

Rastet janë raportuar në polici por nuk është ngrit kallëzim penal ndaj të dyshuarve.

Prokurori Shukri Jashari thotë se ata janë liruar në mungesë provash.

“Rasti i parë ka qenq i lajmëruar në polici për fotografim vote. E kam intervistuar të dyshuarin i cili është dyshuar se e ka fotografuar vetëm fletën e votimit pa votë por nuk kemi pasur dëshmi për me e mbajtë, ndërsa rasti i dytë po ashtu është dyshu se ka fotografu votën, por fletvotimi i tij është shpall i pavlefshëm sepse i ka votuar dy subjekte politike”, tha Jashari.

Vëzhguesit kryejnë punë komisionerësh në Pejë

Në Pejë në vendvotimin 1704X/03R vëzhguesit po kryejnë punën e komisionerëve.

Në Shkollën “8 Marsi” të Pejës ku është i vendosur vendvotimi 1704X/03R për shkka të mosparaqitjes së një komisioneri të Lëvizjes vetëvendosje, vëzhguesit e partive po e kryejnë punën e tij.

Kohë pas kohe në këtë vendvotim vëzhguesit e subjekteve politike po i zëvendësojnë komisionarët, duke u dhenë votuesve fletat e votimit.

Vëzhguesit po rrinë edhe te kutia e votimit dhe po i hapin ato kur dikush po e vendos votën, edhe pse kjo punë është e komisionerëve.

Në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme aty ku përshkruhet detyrat dhe përgjegjësitë e vëzhguesve thuhet se ata nuk ndërhyjnë në mbajtjen e zgjedhjeve dhe respektojnë fshehtësinë e votimi

Kandidati për asamblist nuk lejohet të votojë

Kandidati për kryetar të Drenasit, Xhavit Drenori ka raportuar se në fshatin Sankoc të komunës së Drenasit një qytetar nuk është lejuar të votojë.

Drenori ka thënë se ky qytetar është kandidat për asamble nga subjekti i tij, Vizioni për Drenasin.

“Në Sankoc po pengohet me votu kandidati për asamblenë komunale nga Vizionit për Drenasin. Kërkojmë urgjent ndërhyrje nga organet gjegjese”, ka shkruar Drenori.

Fotografim votash në Prizren

Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala tha se në Prizren janë evidentuar raste të fotografimit të votave.

Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala tha për KALLXO.com se në Prizren ka pasur fotografime të votave.

“Katër raste i kemi të fotografimit të votës, 3 janë në Shkollën ’11 Marsi’, e një në Shkollën ‘Mustafa Bakija’”, tha kryeprokurori Shala.

Shala më tutje deklaroi se tre persona në Prizren janë të ndaluar.

Ndalimin e tre personave deri në orën 13:00 në lidhje me shkeljet zgjedhore e ka konfirmuar edhe Prokuroria e Shtetit.

Në këtë komunë dolën më së paku njerëz të votojnë deri më tani

Dikur ishte një nga komunat me dalje me të lart në zgjedhje, por sot dalja e votuesve atje është mjaft e ulët.

Sipas rezultateve të KQZ-së, Komuna e Skenderajt ka daljen me të ulët të qytetarëve për të votuar deri tani.

Deri tani nga mbi 54 mijë qytetarë me të drejt vote, kanë votuar vëtëm mbi 3 mijë votues apo 6 për qind.

Këto janë komunat me daljen më të madhe të qytetarëve në votime

Në të gjitha komunat e Kosovës është duke u mbajtur procesi i votimit të zgjedhjeve lokale.

Sipas të dhënave të KQZ-së, dalja e qytetarëve në votime deri në orën 11:00 deri në ora 11 kanë votuar 182 mijë qytetarë, apo 10.05 për qind.

Ndërsa sa i përket përqindjes së daljes në votime në komuna, në komunat me shumicë serbe deri më tani dalja e qytetarëve është me e madhe, shkruan lajmi.net.

Para tyre prinë Mamusha e dominuar me qytetarë të komunitetit turk.

Ndërsa komuna me shumicë shqiptare që ka daljen më ta madhe të qytetarëve në votime është Hani i Elezit.

Komunat me daljen më të madhe të qytetarëve në votime deri më tani: Mamusha 23,48%, Kllokot 21,25%, Leposaviq 18,45%, Hani i Elezit 15,53%, Shtërpce 15,44%.

Policia gjen eksplozivë e granata në pikën kufitare në veri

Policia kufitare në Jarinje, pikën kufitare në pjesën veriore të Kosovës, ka ndaluar një kamion në të cilin janë gjetur eksplozivë dhe disa granata dore.

Kamioni ka qenë duke hyrë nga Serbia në Kosovë

Lajmin për kallxo e ka konfirmuar kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla.

“Sipas informacioneve të para, është ndaluar një kamion që dyshohet për bartje të eksplozivëve dhe disa granatave të dorës. Janë arrestuar tre persona”, tha kryeprokurori Syla.

Tre të ndaluar

Prokurori i Shtetit, njofton opinionin publik që deri në ora 12 në tërë territorin e Kosovës, janë raportuar dy raste me tre persona të ndaluar, lidhur me procesin zgjedhor që është duke u zhvilluar sot.

Dy persona janë ndaluar si të dyshuar për kryerje të veprës penale nga neni 215, “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, i Kodit Penal i Republikës së Kosovë. Ndërsa, një person është ndaluar me dyshimin për kryerje të veprës penale nga neni 220, “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, i Kodi Penal të Republikës së Kosovës.

Dy të ndaluarit e parë janë nga Komuna e Parteshit, ndërsa i ndaluari i tretë është nga Komuna e Mitrovicës së Jugut.

Prokurori i Shtetit në vazhdimësi do të njoftojë opinionin publik me të gjitha veprimet që do të ndërmerr lidhur me mbrojtjen e votës.

KQZ, Policia dhe Prokuroria: Procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme

Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e kanë vizituar sot ambasadori i SHBA në Kosovë Greg Delawie, Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se kishte kënaqësinë që të ketë mysafirë në dhomën operative të KQZ-së, ambasadorin Delwie, kryeprokurorin Lumezi dhe drejtorin e Policisë, Maxhuni.

“Tani për tani nuk kemi ndonjë informatë për parregullsi në zgjedhje. Zgjedhjet janë duke shkuar me një qetësi”, tha Daka.

Kryeprokurori Lumezi tha se se procesi i zgjedhjeve është duke shkuar mirë.

“Është një ditë e qetë. I treguam ambasadorit amerikan se do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe të drejtën e votës. Jemi koordinuar edhe me policinë”, tha Lumezi, duke bërë të ditur se deri tash ka vetëm një të ndaluar.

Edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni tha se procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme.

“Policia ka një plan për ditën e zgjedhjeve. Kemi angazhuar një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve për të siguruar një proces të rregullt zgjedhor”, tha Maxhuni.

Ndërsa, Prokurori i Shtetit, me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile të Republikës së Kosovës, të bashkëpunojnë dhe raportojnë te Policia dhe Prokuroria.

Ndërrohet një kuti me vrima në “Faik Konica”

Në një nga qendrat më të mëdha të vendvotimeve ” Faik Konica” në Prishtinë ka pasur një fluks të qytetarëve që kanë shkuar për të votuar. Përveq qyetarëve kanë votuar edhe zyrtarë instucionesh në mesin e tyre ka qenë edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pastaj edhe kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës Shpend Ahmeti.

Pritet që te votojnë edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli më pas edhe lideri i NISMA-së Fatmir Limaj.

Të drejtë vote kanë 8 mijë e 13 votuesë ndërsa deri tash kanë votuar 699. Menaxherja e kësaj qendre tha se qytetarët kane filluar të votojnë qysh në orën 7 të mengjesit. “Në mëngjesin e hershem ka qenë një kuti gabim teknik, ka pasur dy vrima por ajo brenda dy minuta është ndërruar” ka theksuar ajo.

10.05 për qind e qytetarëve votuan deri në orën 11

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka njoftuar se deri në orën 11 kanë votuar 182 mijë e 40 qytetarë ose në përqindje 10.05 për qind.

Daka ka njoftuar se në zgjedhjet e kaluara deri në orën 11 kanë votuar 12 për qind e qytetarëve.

Kërcënohet komisioneri shqiptar në Mitrovicë, detyrohet të braktisë vendvotimin

Eroll Gashi, komisioner nga radhët e PDK-së është kërcënuar nga kryesuesi i vendvotimit B11 në Qendrën e votimit ‘Sveti Sava’ në veri të Mitrovicës, me ç’rast është detyruar ta braktisë vendvotimin.

Ai ka bërë të ditur se nuk ka lejuar që i njëjti person të votojë dy herë në këtë vendvotim, prandaj edhe është kërcënuar.

“Kam vërejtur se një qytetar po tenton të votojë për herë të dytë në vendvotimin B11 ku isha komisioner, dhe nuk kam lejuar një gjë të tillë. Kryesuesi i këtij vendvotimi më është ofruar duke më thënë “marsh ti, me mua do të kesh punë” dhe ka dalë jashtë ka biseduar edhe me disa persona tjerë. Kam informuar përfaqësuesit e OSBE-së në këtë qendër se jam i detyruar të braktis vendvotimin nga frika prej personave të panjohur”, ka thënë Gashi.

DnV: Përleshje fizike në Graçanicë, dy arrestime në Kllokot

Koalicioni i OJQ-ve ‘Demokracia në Veprim’ ka njoftuar se në shkollën “Kralj Milutin” në Komunën e Graçanicës, gjatë procesit të votimit ka ndodhur një përleshje fizike në mes të disa votuesve, për çka ka ndërhyrë policia duke i shoqëruar në stacion policor këta votues.

Sipas DnV-së, ky incident nuk ka ndikuar në pengimin e procesit të votimit dhe mund të cilësohet si incident i izoluar. Gjithashtu njoftohet se një anëtar nga radhët e Listës Serbe është arrestuar nga policia për shkak se para qendrës së votimit “Sveti Sava” në Kllokot ka tentuar të ndikoj tek votuesit duke i orientuar se kë ta votojnë. Po ashtu në këtë qendër të votimit, policia ka arrestuar edhe një komisioner nga radhët e Gradanska Iniciativa për shkak se qëllimshëm ka dëmtuar kutinë e votimit duke e goditur atë.

Thaçi inkurajon qytetarët të dalin të votojnë masivisht

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi së bashku me bashkëshorten, Lumnije Thaçi dhe djalin Endritin, kanë kryer obligimin qytetar, duke votuar kështu për zgjedhjet lokale që po mbahen sot në vend.

Thaçi , e ka vlerësuar këtë ditë si ditë shumë të veçantë dhe të rëndësishme për qytetarët duke i inkurajuar që të dalin dhe të votojnë në mënyrë sa më masive.

Thaçi: Është fillim i mbarë sot

“I uroj qytetarët e  Kosovës për këtë ditë të veçante , gjithashtu dëshiroj të i inkurajoj për  votim më masiv, pjesëmarrje aktive dhe dinamike në këtë proces zgjedhor të rëndësishëm , për qeverisjen e ardhshme lokale katër vjeçare. Dëshiroj të falënderoj KQZ-në dhe gjithë mekanizmat që kanë punuar me përkushtimin më të madh për organizimin e zgjedhjeve , fer të lira dhe demokratike . Është një fillim i mbarë i ditës sot , shpresoj dhe besoj që gjithë mekanizimi politik , shoqëria civile, mediat , KQZ-ja, gjithë vëzhguesit vendor dhe ndërkombëtar do të jenë në krye të përgjegjësive të tyre që edhe ky proces i rëndësishëm, test i demokracisë për Kosovën të përmbyllet suksesshëm.” tha Thaçi.

Presidenti ka votuar në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

Pasolli: Sot vendoset për perspektivën e rinisë

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, pasi ka votuar, tha se sot vendoset për të ardhmen e rinisë.

Madje, kreu i AKR-së, theksoi se do të duhet t’i dedikohet krejtësisht rinisë.

Pacolli: Këtë ditë duhet t’ia dedikojmë rinisë

“Unë do të thosha që kjo ditë është dashur dhe duhet t’i dedikohet rinisë. Sot vendoset për ardhmërinë e rinisë, çdo gjë që bëjmë mendoj se duhet të jetë i koncentruar të gjeneratat e rinisë. Unë i ftoj të dalin të votojnë për ardhmërinë, të votojnë për një jetë me të mirë, të votojnë për një perspektivë për rininë tonë”, tha Pacolli. Pacolli me tutje shtoi se kjo ditë e zgjedhjeve komunale është ditë e rëndësishme për të gjithë.

Haradinaj: Me votën tuaj, ndikoni në zhvillimin e vendit

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, pasi votoi për zgjedhjet lokale, tha se Kosovën e presin shumë punë dhe se vetëm me punë, Kosova shkon kah zhvillimi dhe rritja e gjithmbarshme.

Ndërsa tha se kjo rritje kërkon rolin aktiv dhe votën e qytetarit.  I pyetur se me cilat dokumente duhet të votohet, ai tha se votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

Haradinaj: Kosovën e presin shumë punë, me votën tuaj ndikoni në zhvillimin e vendit

“Sot edhe unë e kreva obligimin qytetar së bashku me Anitën. Pra votuam për asamblenë komunale. Votuam për kryetar komune. I ftoj qytetarët e vendit të gjithë të dalin të votojnë. Kosovën e pret shumë punë, një pjesë  e punëve të rëndësishme ndodhin në komuna.  Janë me rëndësi komunat. Pra kryetarët e komunave, asambletë komunale.  Vetëm me punë mund të shkojmë  kah zhvillimi dhe kah rritja e gjithmbarshme e vendit. Dhe kjo rritje kërkon dhe rolin aktiv të qytetarit, pra votën e qytetarëve. Pra votoni të gjithë…Kosova  është republika e Kosovës dhe votohet me dokumente të Kosovës”, tha ai.

Edhe bashkëshortja e kryeministrit Anita Haradinaj u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë, për ata që punojnë për ndryshimin e Kosovës.

Haradinaj: Votoni për ndryshimin në Kosovë

“I ftoj dhe iu bëjë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën  e tyre të votojnë, për kuvendet komunale, për kryetarët e komunave, për ata që punojnë për ndryshimin në Kosovë“, tha ajo.

Incident në Kllokot, arrestohen dy komisionerë

Dy komisionerë të një vendvotimi në komunën e Kllokotit janë ndaluar nga policia pasi kanë prishur rendin në vendvotim.

Kallxo mëson se në këtë qendër gjatë incidentit është rrëzuar edhe kutia e votimit.

Lajmi është konfirmuar nga kryeprokurori i Gjilanit Jetish Maloku.

“ E kemi një rast ku janë përfshirë dy komisionerë në Kllokot. Njëri është ndalë pasi që ka goditur kutinë e votimit ndërsa rasti tjetër është në të njëjtin vend komisioner tjetër u ka treguar votuesve se si të votojnë”, tha Maloku.

E gjitha ka ndodhur kur njëri nga anëtaret u ka treguar votuesve kë të votojnë dhe komisioneri tjetër nga pakënaqësia ka goditur kutinë e votimit dhe e ka përplasur në tokë.

DnV raporton për problemet gjatë procesit të votimit, kërkon sqarime nga KQZ

Alber Krasniqi nga Demokracia në Veprim në një konferencë ka raportuar për disa probleme që kanë ndodhur nëpër qendra të votimit, qysh në orët e para të procesit.

Ai ka thënë se disa qendra të votimit nuk janë hapur me kohë, kështu duke veçuar rastin në Deçan.

Janë 6 raste ku në pesë venvotime në Deçan dhe një në Mitrovicë. Në 2.4 përqind ka munguar materiali zgjedhor, rastet më të shprehura në Deçan me vulat.’’, ka thënë ai.

Ai lidhur me ngatërresat e vulave në komunën e Deçanit ka thënë se ato fletëvotime me të cilat qytetarët kanë votuar mund të shpallen të pavlefshme, dhe se KQZ duhet të japë sqarime pse ndodhën këto gjëra.

Ai tutje ka shpalosur edhe telashe të tjera gjatë procesit të votimit, duke përmendur faktin që personave me aftësi të kufizuara nuk u është dhënë qasja për votim në të gjitha qendrat.

Arbër Vllahiu me bashkëshorten nisen për të votuar, ju ndodh diçka e papritur

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu dhe bashkëshortja kanë shkuar për të votuar.

Vllahiu votoi në Shkollën e Mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë.

Mirëpo, gjatë procesit të votimit gruas së tij i ka ndodhur diçka e papritur, ka harruar letërnjoftimin në shtëpi dhe në këtë mënyrë nuk është lejuar të votojë.

Kurti voton, kjo është porosia e tij për qytetarët

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka votuar para pak çastesh në Fakultetin Juridik në Prishtinë.

Në një prononcim për gazetar ai ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“Posa e ushtrova të drejtën demokratike si banorë i kryeqytetit moti është i ngrohtë dita është e bukur qytetarëve ju ka ardh vera kah dera, unë ftoj të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë votën e tyre” ka thënë Kurti para gazetarëve.

Të gjitha qendrat e votimit në Kosovë janë hapur në ora 07:00, dhe deri më tani policia ka konfirmuar se ky proces zgjedhor është duke ecur qetë.