Nexhat Abdiu, autor dhe moderator i emisionit „Oda e Mërgimit “ flet për herë të parë për jetën, sukseset, dështimet e tij për portalin Syri.tv .

0
786

Syri.tv: Pershendetje i nderuari Nexhat. Mirë se erdhe në intervistën e portalit Syri.tv, një portal shumë i kërkuar në Zvicër?
Nexhati Abdiu :  Përshëndetje i nderuari Arben. Mirëse ju gjeta. Rrespekt për ty dhe portalin Syri.tv.

Syri.tv: Kush është Nexhat Abdiu ?
Nexhati Abdiu : Nexhat Abdiu është Nexhat Abdiu. Bashkëtdhetar si shumë të tjerë të cilët për një apo arësye tjetër e lanë vendlindjen dhe u vendosën së pari „përkohësishtë“ e tani më dhe „përfundimishtë“ në mërgim, në Zvicër. U linda në fsh. Rahovicë, komuna e Preshevës, në një familje punëtori, ngase babai im që nga vitet e ’50 punoi si shofer i trenave, së pari i atyre me avull e më vonë edhe i atyre me naftë. Punoi në realionin Gjevgjeli – Sezhanë. Mbi 20 vite në Beograd e 10 vitet e fundit në Fushë Kosovë gjerë në vitin 1982 kur u penzionua.  Shkollën fillore e kreva po në Rahovicë, gjimnazin në Preshevë ndërsa studimet në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë ku u diplomova në vitin 1984. Baba i katër fëmijëve, dy djem dhe dy vajza, njëra nga to, Shkurta, na la dhe iku në botën tjetër më 4 shkurt 2018 ende pa i mbushur 29 vjet.

Syri.tv: z. Nexhat, më trego pak për fillimet e tua. Je marr me shumë aktivitete qoftë në shkollën fillore, në gjimnaz por edhe gjatë studimeve? Me shkrime, muzik si dhe dramë?
Nexhati Abdiu : Po. Është e vërtetë. Qysh në bankat e shkollës fillore kam filluar të shkruaj. Poezi. Bile bile edhe sot e kësaj dite e kam edhe poezinë e cila në atë kohë më ishte botuar në revistën për fëmij Pioneri. Titullohej „Hajni“!? Vazhdoj të shkruaj edhe sot. Kam një mori shkrimesh, por më mungon guximi që t’i nxjerr atao, ti botoj.Ndërsa me muzikë gjithashtu kam filluar të merrem në shkollën fillore. Klasa e dytë apo e tretë, s’jam i sigurtë. Edhe ate, falë mësuesit i cili atëherë na e jepte lëndën e muzikës, mësuesit Xhavit nga fshati Bukoc. Na mësoi të luajmë në mandolinë, me nota edhe ate. Disa nga ata që ndjekëm këto mësime më vonë u bënë të njohur në Preshevë, mes tyre Shaban Aliu, një këngëtar që e njohin të gjithë në Preshevë, pastaj  Bashkim Sylejmani, Nehat Aliu, etj.

Syri.tv: Për pos muzikës dhe shkrimeve kemi dëgjuar se  jeni marrë edhe në aktrim. Cila ka qenë drama e parë dhe roli juaj?
Nexhati Abdiu : Po. Edhe në dramë e provova veten, por shumë më vonë. Banoja në Fushë Kosovë, aty ku kishim një banesë dhe me që me muzik nuk munda të vazhdoja, u bëra pjesë e grupit dramatik amator të Fushë Kosovës duke luajtur në dramën “ AGU“ të Dinë Mehmetit rolin e Zarit. Njëri nga tre rolet kryesore.Më vonë, së bashku me dy shokët nga fakulteti luajta shkurtë edhe në një grup teatral të shoqërisë kulturore artistike të studentëve Ramiz Sadiku në dramën Studenti.
Dhe së fundi këtu në Zvicër, një rol të vogël, epizodik në serialin Kthetra të regjisorit Adem Kicaj dhe skenarin e të cilit e bëri  Besnik Rrahmani!?

Syri.tv: z. Abdiu si ka qen viti 91, një vit që të ka ndryshu jetën. Çka të kujton ky vitë ?

Nexhati Abdiu : Hmmmm. Viti 1991 ka qenë viti kthesë në jetën time dhe të familjes sime. Atë vit, pas shumë e shumë peripetive, mundimeve, maltretimeve, trusnive, vuajtjes dhe edhe varfërisë, mu desht që të marr rrugën e arratisë e të vij në Zvciër, edhe përkundër shkollimit që kisha bërë.E gjithë kjo, sepse si pjesëmarrës i demostratave të vitit 1981, pas dënimit dhe burgosjes dhe maltretimeve çnjerëzore,  shteti serb dhe pushteti lokal, ndoqën një politik shumë represive, diskriminuese, duke më pamundësuar punësimin edhe pse kisha diplomuar dhe mbaja titullin ekonomist i diplomuar. Ndërkohë u martova, erdhën në jetë 3 fëmij, kisha bërë katër vite që kërkoja punë, por kot. Kjo bëri që unë të kërkoj shpëtim në mërgim, si shumë të tjerë. Dhe ja ku jemi tash, pas 29 viteve.

Syri.tv: Po në Zvicër si i kaluat këto vite, mbi njëzet e nëntë the?

Nexhati Abdiu : Edhe në Zvicër pata një periudhë të vështirë. Ishte koha kur shumë bashëkombas iknin nga vendlindja për shkaqe si ato të mijat. Prandaj dhe kushtet për pranimin, për dhënjen e statusit të refugjatit ishin ashpërsua shumë. Dhe mu për ketë mu desht që të qëndroj 13 vite pa e vizituar vendëlindjen, pa i parë familjarët. Aq sa edhe njërin prind, më vdiq, nëna, e nuk e pashë. Ajo ndërroi jetë dhe nuk munda ta vorrosë.Qëndrimin tonë në Zvicër e shfrytëzuam për aktivitete të ndryshme e mbi të gjitha politike. U antarësova në LDK dhe në klubin Muharrem Bekteshi në Olten dhe vite e vite me radhë kontribova në çështjen kombtare e sidomos në përpjekjet për çlirimin e Kosovës.

Babai im

Syri.tv : Ju keni qen dhe moderator i Radios Argovia në Zvicër?
Nexhati Abdiu :Në vitin 1996 isha ftuar nga Radio KANALI K, që ishte pjesë e Radio Argovisë, që të përgadisja një emision në gjuhën shqipe i cili do të emitohej njëherë në javë, çdo të marte duke filluar nga ora 19 h. Natyrisht, me kënaqësi pranova ftesën dhe së bashku me disa shokë qoftë nga klubi ku veproja apo dhe partia, LDK-ja, punuam gati dy vite. Isha moderator, Kryeredaktor, montazher, të gjitha. Pas një viti, pas një konflikti mes nesh, mërgimtarëve, ai program iu dha një grupi tjetër të cilët e lanë pas 3 – 4 muajsh.


Syri.tv: Ku jemi te moderimi tani ju keni një emision Oda e Mërgimit në TV Syri HD. Si të lindi idea që të jesh pjesë e këtij mediumit?
Nexhati Abdiu : Po. Pas një pauze të gjatë, që nga çlirimi i Kosovës, gati i ndala të gjitha aktivitetet të çfarëdo lloji qofshin ato. Dhe një ditë, rastësishtë, u takuam me drejtorin e tv Syri, z. Musli Sahiti dhe bëmë një prezentim t’imin dhe të punës dhe aktivitetit tim në vitet e kaluara në emisionin Diaspora Show. Pas një bisede të gjatë miqësore, i shpreha dëshirën që të realizoj një emision të tillë ku do të prekim jetën e mërgimitarit. Egzistonin të gjitha kushtet dhe mundësitë. Ashtu dhe ndodhi dhe diku kah fillimi i vitit 2017 filluam emitimin e emisionit Oda e Mërgimit. Kjo vazhdoi pastaj gjerë në fillim të vitit 2018 ku, siç ju thash edhe më lartë, ndodhi një tragjedi në familjen time. U nda nga ne vajza ime e dytë Shkurta në moshën 28 vjeçare. Kjo bëri që të ndërpresim edhe Odën për një vit rreshtë.Në vitin 2019, me dëshirën e Tv Syri dhe me insistimin e familjarëve, djemve dhe vajzës dhe bashkëshortes, rifillova përgaditjen e Odës. Në fund të vitit 2019, dhjetor, përfundova.  Pas mbi 60 emisioneve, mbi 150 mysafirëve, mbi 60 tema të ndryshem, e mbyllëm për t’ia lënë vendin prejekteve, emisioneve tjera.


Syri.tv: Çfar ndjenje është të punosh si moderator nē mërgatë ?Nexhati Abdiu : Ndjenjë e jashtëzakonshme, kënaqësi. Njihesh, shoqërohesh me lloj-llopj njerëzish të profesioneve të ndryshme. Thjesht kënaqësi.


Syri.tv: Emisioni Oda e Mërgimit ka pasur  suksese të mëdha. Kë kishit objekt apo cili ishte qëllimi i emisionit tuaj?
Nexhati Abdiu : Thash edhe ma lartë, ishte ide e imja dhe  drejtori z. Musli Sahitit e pranoi me kënaqësi. Qëllimi ishte që të prezentojmë jetën e mërgimtarit këtu me të gjitha të mirat dhe të kqijat, problemet e vështërsite por dhe sukseset dhe të arriturat të çfarëdo lloji qofshin ato.


Syri.tv: Për pos emisionit tuaj , ju keni sjelle kēto ditë edhe projektin xhigand ta them kështu, të xhirimit të filmave me metrazh të shkurtë, më flisni pak rrethë ketij projekti?
Nexhati Abdiu : Tani këtu më duhet të ju korigjoj. Projekti për të cilin flisni është vepër e z. Shkelzen Saitit dhe të disa miqëve të tij. Bëhet fjalë për xhirimin e filmave të metrazhit të shkurtër. Unë isha aty dhe do të jem që të jap përvojën time në mënyrë që ky projekt të jetë sa ma i suksesshëm. Është iniciativë shumë e qëlluar të cilën e përkrahë financierishtë dhe medialishtë edhe tv Syri.

Syri.tv: Cili ka qenë libri apo romani qe keni lexuar? apo drama?
Nexhati Abdiu : Është përmbledhja e poezive të cilën ma dhuroi bashkëvendasja dhe mikja e nderuar, poetja Hyrije Jusufi.

Syri.tv: Si po të trajton jeta këtu në Zvicër si aktor dhe si moderator ?
Nexhati Abdiu : Normal. Pak ndryshime nga normalja. Këtu jeta ka vetëm një … punë, punë, punë!?

Syri.tv: Ku e ndihnë vetën më mir si aktor apo moderator?

Nexhati Abdiu : Padyshim moderator. Është kënaqësi.


Syri.tv: Jeni lënduar nga jeta?
Nexhati Abdiu : Po. Shumë dhe shpesh. Mjafton ti kujtoni të gjitha që i thash më lartë dhe…

Syri.tv: Cka presim në vitin 2020 nga Nexhat Abdiu ?
Nexhati Abdiu : Jemi në fazën përfundimtare të shqyrtimit të projektit më të ri të cilin ia kam paraqitë Tv Syri dhe drejtorit Sahiti. Shpresoj që do ta përfundojmë së shpejti dhe të fillojmë realizimin e tij.

Syri.tv: Ju keni qenë dhe anëtar dhe sekretar i LDK-së në Zvicër, cili është mendimi juaj, a do të ketë koalicion VV dhe LDK ?
Nexhati Abdiu : Do të doja të mos ketë. Shumë. Sepse, janë dy të kundërta si dy fusha magnetike të kundërta. Po të isha në pozitë të ndikoj, do ta bëje me gjithë fuqinë që të mos ketë.

Syri.tv: Cili është mesazhi juajë për lexuesit tonë ?
Nexhati Abdiu : Mesazhi im do të ishte: Jetoni jetën tuaj ashtu si ju dëshironi sepse e keni vetëm një jetë dhe ashtu është më së miri. Dhe sa herë që keni kohë mendoni për vendlindjen, për ata njerëz që jetojnë atje. Pamvarësishtë se çfarë thonë ata për ju.

Syri.tv: z. Nexhat në emrin tim dhe ne emër të stafit të TV Syri HD, ju falënderoj nga zemra që ishit pjesë e intervistës në portalin Syri.tv ?
Nexhati Abdiu: Ju falemnderit dhe ju Arben dhe portalit Syri tv që më dhatë hapsirën të rrëfehem për lexuesit e juaj. Ju dëshiroj suksese të mëtutjeshme në punën tuaj.


Intervestoi Arben Mehmeti