Intervistë nga Kina flet gazetari Edison Myrteza, për portalin Syri.tv.

0
278

Syri.tv : Pëshëndetje i nderuar Edison nga portali Syri.tv nga Zvicër. Faleminderit që pranuat të jeni pjesë e intervistës sonë ? 

Edison Myrtezaj: Ju falenderoj shumë edhe juve që më dhatë mundësinë të jem pjesë e kësaj platforme nëpërmjet informacioneve për veten dhe jetën time këtu në Kinë.

Syri.tv : Kush është Edison Myrteza?

Edison Myrtezaj: Nuk jam askush i veçantë. Jam një shqiptar i lindur dhe rritur në qytetin e serentave Korça. Jam gati 40 vjeç. Kam përfunduar studimet e larta për gazetari në Tiranë dhe pas disa vitesh pune si prezantues radioje dhe spiker televizioni, mu dha mundësia të vi dhe jetoj në Kinë. Më pëlqen të dëgjoj shumë shumë muzikë dhe udhëtoj shumë nëpër Kinë.

Syri. tv : si është jeta e një gazetari në Kinë ?

Edison Myrtezaj : Asgjë e veçantë nga jeta e të tjerëve. Që në mëngjez, pasi shkoj në punë merrem me mbledhjen e informacioneve dhe ngjarjeve që kanë të bëjnë me ditën dhe pasi i përpunoj dhe përzgjedh nis punën për t’i vendosur me radhë ashtu siç duhet. Nuk është e lehtë të jesh gazetar këtu, pasi gjithçka është e kontrolluar nga shteti dhe nëse të duhet të publikosh diçka ose duhet ta bësh siç mendojnë ata ose në fshehtësi duhet të raportosh të vërtetën. Por tashmë jam mësuar dhe nuk e kam problem këtë pikë.

Syri.tv: Si paraqitet gjendja aktuale në Kinë sa i përket të ashtuquajturit koronavirusit që po mer jetëra atje ?

Edison Myrtezaj: Virusi i quajtur korona ka nisur të marrë jetë gati një muaj më parë dhe po zhvillohet shumë. Çdo ditë mijëra të infektuar dhe dhjetëra viktima. Kryesisht thuajse gjithçka është përqëndruar në qytetin Wuhan, një qendër gjigande mbi 11 milion banorë në qendër të kinës. Qyteti dhe zona janë futur në karantinë dhe askush prej andej nuk lejohet të lëvizë dhe askush të shkojë atje përveç rasteve shumë të nevojshme. Wuhani është qyteti me më tepër studentë se kudo në Kinë dhe prandaj është shumë e lehtë për virusin të përhapet për shkak edhe të popullsisë.

Syri.tv: Në mesin e ktyre personave që janë të prekur nga virusi vdekjeprurës, a mendoni se ka dhe ndonjë shqiptar të prekur?

Edison Myrtezaj: Deri tani për fat të mirë, nga informacionet që unë kam, nuk ka asnjë shqiptar të infektuar ose sëmurë. Edhe disa shqiptarë të cilët jetojnë në Wuhan janë mirë me shëndet. Pjesa më e madhe e tyre janë studentë, por duke përfituar nga ditët e pushimeve të vitit të ri kinez, një pjesë janë kthyer në shtëpi, ndërsa një pjesë ndodhet në zona të tjera të kinës duke iu larguar virusit.

Syri. Tv : A keni frikë ju nga virusi apo miqtë e juaj meqënse jetoni larg vendlindjes?

Edison Myrtezaj: Sigurisht që të përballesh çdo moment me një virus të tillë kaq të rrezikshëm, sado trim të jesh sërisht ke frikë. Unë jetoj në Pekin dhe deri tani janë regjistruar 3 vetë të infektuar. Kjo sepse Pekini është shumë larg Wuhanit dhe provincës Hubei. Këtu plus është e gjithë jeta e Kinës dhe sigurisht që kontrollet janë shumë të rrepta. Frika ekziston, por nëse del jashtë pak, mban maskën në fytyrë dhe mundohesh të mos qëndrosh në ambjente me shumë njerëz.

Syri. Tv : Cili është numri i personave të prekur nga virusi?

Edison Myrtezaj: Numuri ndryshon nga dita në ditë. Nuk ka një shifër fikse. Për shembull, sot janë 106 viktima, 4515 të infektuar në të gjithë kinën dhe vetëm brenda 24 orëve të fundit janë 1400 të infektuar. Kjo është shifër e përkohshme, pasi nesër dhe më pas padiskutim do të jetë shumë më e lartë.

Syri.tv : Sa vende të Kinës jan prekur nga ky virus?

Edison Myrtezaj: Janë prekur thuajse të gjitha provincat e Kinës me përjashtim të rajonit autonom të Tibetit. Kjo sepse Tibeti është një rajon në lartësi shumë të madhe dhe ku ka shumë problem me oksigjenin. Duke mos patur oksigjen të mjaftueshëm dhe lartësi shumë të madhe, siç duket virusi nuk arrin dot të përparojë. Provinca më e prekur është Hubei nga ku është edhe vatra e koronavirusit.

Syri.tv: Si pasojë e kujt mendoni se është shfaqur dhe përhapur ky virus në Kinë?

Edison Myrtezaj: Janë dhënë shumë hipoteza dhe për mua deri tani nuk ka asnjë të saktë ose të vërtetë. U theksua se virusi ka ardhur si pasojë e shitjes së kafshëve të gjalla dhe tregëtimit të prodhimeve të detit në një dyqan të madh në Wuhan. Por deri tani nuk ka patur një provë konkrete nësë është kështu. Shumë të tjerë thonë se virusi është përhapur për shkak të një laboratori bakteriobiologjik në Wuhan. Edhe për këtë është folur por nuk është gjetur asgjë konkrete ose të ketë një provë të pakundërshtueshme.

Syri.tv: Si gazetar, a keni të dhëna, sa mund të jetë numri i shqiptarve atje?

Edison Myrtezaj: Nuk ka asnjë të dhënë konkrete sa jemi. Ambasada shqiptare në Pekin, për fat të keq nuk ka një database ku të mbledhë të dhënat e shqiptarëve për të ditur sa mund të jemi, nga jemi, çfarë bëjmë, një numur kontakti etje. Janë jashtëzakonisht fare të painteresuar për të ditur për jetën dhe nevojat e shqiptarëve në Kinë. Vetëm tani kanë nisur të kërkojnë ngritjen e database për të dhënat e shqiptarëve. Pse duhej të shpërthente virusi që të bëhej kjo punë? Ku ishin vite më parë për të patur informacion. Nëse nuk do të ishte koronavirus, jam i bindur se as që do të merrej mundimi të niste puna. Janë shumë të prapambetur si nga ana e teknologjisë dhe e organizimit

Ne kemi një grup tonin social në internet dhe flasim, diskutojmë, japim mendime për thuajse gjithçka. Kemi komunitetin tonë të vogël pa patur lidhje me ambasadën.

Syri.tv: Takoni shpesh Shqiptarë ?

Edison Myrtezaj: Takoj. Siç e thashë kemi grupin tonë të vogël dhe herë pas here takohemi për të pirë ose ngrënë diçka. Herë pas here organizohemi në shtëpinë e njëri-tjetrit dhe atje jemi 100 për qind shqiptarçe.

Syri.tv : Si pas disa burimeve të cilët kanë arritur për portalin tonë, dyshohet se koronavirusi nga Kina ka arritur edhe në Zvicër. Cili është mendimi juaj për këtë lajm? A duhet të panik ?

Edison Myrtezaj: Dje kam dëgjuar se ka patur një peson me virus në Zvicër, i cili nuk e di nëse ka udhëtuar direkt nga Wuhani ose zonë përreth. Zvicra ka fluturime direkte nga Kina dhe sigurisht që mundësia e marrjes së virusit është e madhe kjo sepse kontrolli bëhet vetëm një herë kur nisesh dhe më pas kur mbërrinë në Zvicër. Duhet patur shumë kujdes sepse virusi përhapet në mënyrë shumë të shpejtë dhe kur është vonë nuk ke ç’i bën më.

Syri.tv: Si është të jetosh në Kinë?

Edison Myrtezaj: Të jetuarit në Kinë është njëlloj si në çdo vend tjetër. Kina është ndryshe nga vendet e vogla europiane, për shkak të gjuhës tjetër, kulturës, ushqimit dhe sigurisht njerëzve me shumicë. Thjesht, është një vend për të jetuar si të gjitha vendet. Ka shumë rregull dhe ajo që më pëlqen është se thuajse çdo gjë bëhet me radhë.

Syri.tv: Cilët janë 24 orët e Edisonit në Kinë?

Edison Myrtezaj: Ngrihem në mëngjes dhe pasi përgatitem shkoj në punë ku kam në tavolinën e punës shumë gjëra dhe materiale që duhet të merrem dhe që më marrin thuajse gjithë ditën. Orari i drekës së bashku me kolegët, pak pushim pas orës 12 dhe sërisht puna normale. Pas punës në shtëpi gjatë ditëve të javës dhe në fundjavë, takim me miq shqiptarë ose kinezë për të pirë ose ngrënë diçka, pazare në dyqane ose supermarket. Këtu teknologjia është gjigande dhe tashmë gjithçka e blej online.

Syri.tv: Sa je aktiv si gazetar nëpër mediat kineze dhe ato shqiptare ? Çfar raporte ke me gazetarët kinezë?

Edison Myrtezaj: Jam shumë aktiv në median shqiptare, pasi edhe vetë drejtoj me një kolegen time Doriana Metollari, multimedian online www.hermesnews.al. Interneti është i pangopur dhe sado lajme të vendosësh sërisht duket sikur nuk është mjaftueshëm. Me median kineze nuk është se kam bashkëpunime perveçse kur duhet ndonjë material për Shqipërinë, por kam shumë miq të mirë gazetarë të cilët më ndihmojnë kur kam nevojë për informacione dhe intervista. Kurse me mediat dhe kolegët shqiptarë në Shqipëri kam marrdhënie shumë të mira. Madje tani që është edhe situata e koronavirusit, thuajse çdo ditë bëj raportime live nga Pekini për të transmetuar gjendjen e virusit dhe të shqiptarëve që janë këtu në Kinë. Jam shumë falenderues ndaj mediave shqiptare që më kanë marrë si pikë referimi dhe kanë pranuar me kënaqësi të jem unë raportues për ta. U jam shumë mirënjohës.

Syri.tv: Ju mer malli për vendlindjen me qenëse jetoni një vend të largët si Kina?

Edison Myrtezaj: Pavarësisht se Shqipëria jonë e vogël ka aq shumë probleme, malli më merr shpesh. Kam mall përvelues dhe të pashtershëm për Korçën time të bukur. Korça „dashuria ime e përjeshtshme“, malli më i madh i imi. Sigurisht, familjla ime, njerëzit, kolegët dhe natyra e bukur e juglindjes dhe e gjithë vendit. Gjithnjë shkoj në fundviti për festa dhe kënaqem pafund. Korça për festat e fundvitit është qytet i pakrahasueshëm. Nuk ka të dytë. Kemi një vend përrallor, i cili për fat të keq drejtohet nga hipokritë të ciët çdo ditë mallkohen nga njerëzit.

Syri.tv: Më kë jeton Edisoni?

Edison Myrtezaj: Unë herë pas here jetoj vetëm „ka nevojë njeriu ndonjëherë për beqari“. Jetojm me dikë e cila është nga qyteti Tianjin fare pranë Pekinit por për shkak të punëve tona duhet të ndahemi ndonjë ditë sepse i kemi në dy qytete të ndryshme, vetëm 30 minuta larg me trenin e shpejtësisë së lartë.

Syri.tv: Si është jeta e shqiptarëve në Kinë?

Edison Myrtezaj: Normale, si e çdo të huaji tjetër. Asgjë e veçantë. Punë, kafe, mbledhje dhe prishje parash dhe asgjë tjetër ashtu si e çdo shqiptari në botë.

Syri.tv: ka shkolla Shqipe në Kinë?

Edison Myrtezaj Është vetëm dega e gjuhës shqipe në universitetin e gjuhëve të huaja në Pekin. Del çdo katër vjet një brez studentësh. Di që është hapur edhe një degë tjetër e shqipes në një tjetër shkollë por kam vetëm këtë informacion. Kemi bërë përpjekje që unë me një mikun tim, ish-punonjës i ambasadës këtu në Pekin të hapim një ose dy herë në javë kursin e gjuhës shqipe mbase brenda ambjenteve të ambasadës ose dikund tjetër, por u la si projekt sepse ai u kthye në Tiranë pas mbarimit të mandatit si punonjës në Pekin.  

Syri.tv: Ku argetohen shqiptarët në Kinë dhe a vashdohet të ruhet traditat shqiptare nga ne shqpitarët ? 

Edison Myrtezaj: Të flas për Pekinin. Kryeqyteti kinez është gjigand. Mbi 25 milion banorë. Këtu gjen gjithçka, çdo lloj restoranti, kafeneje, bar, klub nate, pra gjithçka. Siç e shihni, unë dhe shqiptarët kemi aq shumë mundësi argitimi. Sa për ruajtjen e traditave, herë pas here gatuajmë ushqime shqiptare si byrek ose si i themi ne korçarët „lakror“, speca të mbushura, petulla, bukë të bërë vetë, etje. Mblidhemi dhe i shijojmë këto ushqime duke i shoqëruar me raki shqiptare. Kemi edhe muzikë tradicionale herë pas here.

Syri.tv: raportet kineze me shqiptarët?

Edison Myrtezaj: Kinzët janë popull i vuajtur dhe shumë i dashur. Brezi i viteve 70të, kanë nostalgji për shqipërinë. Madje brezi i prindërve dhe gjyshërve tanë, kur e marrin vesh nga jam më thonë „oh sa mirë, ne kemi qenë popull vëlla“. Madje më tregojnë kur këndonin çdo të hënë në shkollë përveç himnit kombëtar kinez edhe një këngë me detyrim „Pekin-Tiranë“. Në jo pak raste janë shfaqur edhe filma të vjetër të kinematografisë shqiptare në ekranet kineze të përkthyer në kinezçe. Sidomos filma të luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, pasi ne si popuj kemi luftuar fort kundër fashizmit.

Syri.tv: Cili është mesazhi juajë drejtëpërdrejt nga Kina për lexuesit e portalit Syri.tv në Zvicër?

Edison Myrtezaj: Duajeni vendin ku ndodheni sepse është shtëpia juaj e dytë dhe mbase ajo që do të donit të ishte gjithnjë. Mos harroni Shqipërinë tonë të varfër e cila është aq e bukur dhe ka nevojë për ne. Mblidhuni dhe festoni shqip. Nuk e kemi mundësinë e një jete tjetër. Kujdes dhe mbrojeni veten nga koronavirusi dhe u gëzofshi në një vend aq përrallor si Zvcira. Përqafime nga Kina e largët dhe aq e papërsëritshme.

Syri.tv. Falemnderit shumë, Edison që ishe pjesë e portalit tonë, të vetmit shqip në diasporë i cili është i licencuar në Zvicër, Syri tv.

Edison Myrtezaj: Kënaqësia ishte e imja dhe jam shumë me fat që pata mundësinë të jem përmes jush tek lexuesit dhe shikuesit e juaj. Ju falemnderit që keni interes për ne shqiptarët që jetojmë në Kinë.

Intervistoi:
Arben Mehmeti