Vendi i Sadri Ramabajës është në katedrat universitare e jo në burg!

0
522

T

Bardhyl Mahmuti

Të dashur miq,

Para disa ditësh më pyeti një mik se çka mendoj për rastin e Sadri Ramabajës, që po mbahet në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar.

I tregova se kam mendim shumë të mirë për të qoftë si intelektual, qoftë si veprimtar politik që ka kontribuar shumë për lirinë e Kosovës. 

Më ka ardhur shumë keq që ka ra në gjendje financiare jo të mirë, gjendje që e ka shtrënguar të bëje redaktimin e librit  që mban emrin të Murat Jasharit, e që nuk e di se kush ia ka shkruar.

Duke i njohur edhe Sadriun edhe Muratin qe afro tri dekada, kam bindjen e plotë se përveç redaktimit të këtij libri, Sadri Ramabajën nuk e lidhë asgjë me Murat Jasharin. 

Të gjithë ata që e njohin mirë Murat Jasharin, janë të bindur se kemi të bëjmë me një person që ka probleme të rënda shëndetësore dhe se ai ka nevojë për trajtim të vazhdueshëm mjekësor. Nuk e di se si janë zhvilluar hetimet lidhur me Sadriun, por nëse ndonjë deklaratë e Muratit ka shërbyer si dëshmi, atëherë e them publikisht se është gabim shumë i rëndë dhe një gjë e tillë njollos drejtësinë e cilitdo vend që merr seriozisht deklaratat e një personi të sëmurë.

Kur flas për sëmundjen e Murat Jasharit nuk bazohem në thash e thëna. Në vitin 2012 Murati kishte ikur nga spitali dhe u takuam për një kafe. Më njoftoi për situatën shëndetësore dhe u ankua në “shokët që e kishin lënë në lloç”.  Që nga ajo kohë nuk e kam takuar, por miqtë e përbashkët më kanë njoftuar se gjendja e tij shëndetësore ka shkuar duke u përkeqësuar. 

Është turp për të gjithë ata që kanë manipuluar me një ish-veprimtar, të cilit shëndeti ia ka dëmtuar aftësitë për të gjykuar drejtë. Por do të jetë turp edhe më i madh nëse nuk e ndihmojmë drejtësinë e Kosovës që të mos bëjë gabimin e rëndë të mbajë prapa grilave Sadri Ramabajën për arsye të një redaktimi të librit apo një takimi në një kafene.

Kam bindjen e plotë se Sadri Ramabaja është i pastër dhe nuk i besoj pretendimeve se gjoja ka qenë i implikuar në projekte për të eliminuar personalitete publike në Kosovë. Sadri Ramabaja është një intelektual që mospajtimet e veta i shpreh qoftë përmes mendimit të vet kritik, qoftë përmes formave tjera të pa dhunshme. 

Vendi i Sadri Ramabajës është në katedrat universitare e jo në burg!

Lus të gjithë miqtë që kanë mundësi të hedhin dritë në pafajësinë e Sadriut ta bëjnë sa më parë me qëllim që drejtësia e Kosovës të mos bëjë gabim të turpshëm: të dënojë edhe një njeri të pafajshëm!

Lus mbrojtjen e Sadri Ramabajës që deklaratën timen t’ua përcjellë autoriteteve të drejtësisë së Kosovës, të ngarkuar me lëndën e Sadri Ramabajës.