Lugina e Preshevës është një minierë e pasur e trashëgimisë kulturore shqiptare

0
147

Nga veprimtaria e Shoqatë për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Luginë të Preshevës

-Që nga kufiri shqiptaro-shqiptar në Tabanoc, ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë, në të dy anët e Autoudhës në rrugëtimin e saj për Bujanoc, në të djathtë dhe në të majtë të saj gjenden lokalitete e objekte arkeologjike, nekropole, kisha të vjetra ilire, katolike e ortodokse shqiptare. Presheva me rrethinë, është një prej viseve më të bukura shqiptare, që shtrihet nga lindja e Kosovës e deri në jug të Serbisë, me një të kaluar të begatë të trashëgimisë kulturore shpirtërore e materiale, thotë me krenari Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe krijimtari kulturore në Luginën e Preshevës, një veprimtar i devotshëm , i cili merret me hulumtimin, kultivimin, promovimin dhe afirmimin e trashëgimisë kulturore, duke organizuar konferenca shkencore e duke botuar e publikuar kumtesa e libra shkencorë, për të cilat është nderuar me dekorata, mirënjohje dhe certifikata të shumta.

Zotëri Salihu, si paraqitet gjendja e trashëgimisë  kulturore në Luginë të Preshevës dhe çfarë hapash ndërmerren për përparimin e saj?

Xhemaledin Salihu: Gjendja e kulturës shqiptare në përgjithësi e sidomos ajo në fushën e trashëgimisë kulturore, paraqitet e  vështirë e me tendencë të keqësimit të mëtejmë. Fondet komunale dhe ato republikanë, të cilat ndahen për zhvillimin, afirmimin dhe përurimin e kësaj sfere nga më të ndjeshmet e shoqërisë sonë, janë të cekëta, të ulëta, madje edhe pa kuptim. Nuk mund të zhvillohet kultura shpirtërore e materiale me ato pak para, nga të cilat vështirë të sigurohet zyra e veprimit e lere më të zhvillohet ndonjë veprimtari në këtë drejtim. Duke patur parasysh rëndësinë e madhe e të pazëvendësueshme të kulturës materiale e shpirtërore, për mirëqenien kombëtare e civilizuese të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke u thirrur në të drejtën e patjetërsueshme të ruajtjes së identitetit kombëtar e njerëzor, duke pasur parasysh Konventat botërore mbi trashëgiminë dhe krijimtarinë kulturore, sepse edhe kultura shqiptare është pjesë e kulturës civilizuese europiane, formuam Shoqatën për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore, me të vetmin qëllim të identifikimit, hulumtimit, evidentimit, kultivimit, mbrojtjes dhe ruajtjes të trashëgimisë kulturore e natyrore, si dhe kultivimit e zhvillimit të krijimtarisë kulturore. Kjo shoqatë, përkundër vështirësive financiare, po mundohet ta mbajë gjallë frymën e trashëgimisë kulturore në këto hapësira të etnikumit shqiptar të quajtur Luginë e Preshevës, një shtyllë e fortë e Dardanisë.

Flitet se trashëgimia kulturore në Luginë të Preshevës, është një minierë e pasur, jo mirë e shfrytëzuar. Sa ka të vërteta në këto konstatime?

Xhemaledin Salihu: Po, është e vërtetë, Lugina e Preshevës, posedon një pasuri të begatshme të trashëgimisë kulturore e natyrore. Kjo krahinë shqiptare, nga më të bukurat dhe më atraktive të viseve etnike, përpos pozitës së saj gjeopolitike, ka edhe pozitën arkeologjike, që nga periudha parahistorike e antike, çka paraqet një thesar të çmueshëm të pasurisë kulturore kombëtare, që nuk e kanë vendet përreth. Lugina e Preshevës është një minierë e pasur e trashëgimisë kulturore shqiptare. Që nga kufiri shqiptaro-shqiptar në Tabanoc, ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë, në të dy anët e Autoudhës në rrugëtimin e saj për Bujanoc, në të djathtë dhe në të majtë të saj gjenden lokalitete e objekte arkeologjike, nekropole, kisha të vjetra ilire, katolike e ortodokse shqiptare.

Lugina e Preshevës, gjithashtu, është e pasur edhe me trashëgimi kulturore shpirtërore jo material: këngë, rite të dasmës, sidomos valleve epike-lirike të Preshevës, pasuri që rrallë i ka ndonjë krahinë tjetër shqiptare. Po edhe Mali i Karadakut, në perëndim dhe Malit Rujan në lindje, janë përplot më objekte dhe vende të trashëgimisë kulturore. Kështu, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore realizoi dy projekte në Preshevë dhe Bujanoc, ku u evidentua, u regjistruan, u fotografuan, u incizuan afro 800 vlera të trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Gjithë këtë pasuri po ua lëmë studiuesve të ardhshëm për studime të mëtutjeshme.  

Presheva me rrethinë, është një prej viseve më të bukura shqiptare, që shtrihet nga lindja e Kosovës e deri në jug të Serbisë, me një të kaluar të begatë të trashëgimisë kulturore shpirtërore e materiale.

Gjurmimi

Cili është angazhimi i institucioneve dhe shoqatave për ta ruajtur dhe promovuar vlerën e trashëgimisë kulturore në këto vise shqiptare?

Xhemaledin Salihu:  Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore , e cila tashmë ka hyrë në vitin e 10-të të themelimit të saj, ka për mision: identifikimin dhe evidentimin e objekteve dhe gjësendeve të trashëgimisë, të hartojë Listën-Regjistrin e Trashëgimisë të digjitalizuar, së bashku me datobazën, të bëjë propozimin e objekteve dhe gjësendeve kulturore dhe natyrore që duhet të hyjnë në listën e monumenteve kulturore të Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Nish dhe Listën e Monumenteve Kulturore nën mbrojtjen apo përkujdesjen e Kuvendit komunal, të propozojë hapjen e një Arkivi dhe Muzeu komunal, ku do të ruhen materialet arkivore të Luginës së Preshevës dhe eksponatet e Trashëgimisë dhe të hartohet Harta e vlerave të Trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Po ashtu, pjesë e këtij misioni është edhe restaurimi, gjurmimi arkeologjike i Kalave, Shpellave etj, të cilat janë në kompetenca të Ministrisë së Kulturës dhe Informimit në Beograd. Kuptohet, Shoqata mund të intervenoje vetëm nëse i lejohet me shkrim nga kjo Ministri. Në këtë drejtim Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Nish, ka për detyrë përkujdesjen për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, por ai i shpall të mbrojtura me ligjet e Serbisë vetëm ato vlera të trashëgimisë që i plotësojnë kushtet dhe kriteret që i ka vënë Ministria përkatëse e Serbisë. Shoqata, qe disa vjet është e interesuar që të hartohet një listë e vendeve dhe objekteve të trashëgimisë kulturore e natyrore, që kanë vlera dhe meritojnë të hyjnë në mbrojtje të Komunës së Preshevës, mirëpo, deri më tani, kërkesa jonë është neglizhuar nga autoritetet komunale. Bile, për disa vende dhe objekte kulturore si: Shpella e Ilincës, Kalaja e Preshevës, Guri i Shpuem, kemi propozuar hapjen dhe elektrifikimin e rrugëve deri te këto objekte, kërkesa këto, të cilat nuk janë marrë në konsideratë nga institucionet komunale të Preshevës. E them me keqardhje se shumë objekte të trashëgimisë kulturore  shqiptare në Luginë, po rrënohen, po prishen, jo vetëm nga natyra, por edhe nga dora e njeriut. Po i përmendi disa nga këto: Kalaja e Preshevës, dita-ditës , muri i saj po prishet dhe rrënohet nga individë të pa përgjegjshëm, si dhe po ndodhin gërmime të pa lejuara dhe jo zyrtare nga persona të pa autorizuar, pastaj Teqeja e Tërrnavës, me rastin e ndërtimit të një restoranti për rite fetare dhe një morg ka pësuar dhe është shkatërruar muri i saj, kështu që dera dhe muri i  hapur lejojnë që qentë të lodrojnë në Teqe, gjegjësisht në sendet e saj. Gjithashtu, shqetësues është edhe rasti i Varrezave të Krushqve në Bukuroc, ku nëpërmjet tyre është hapur dhe asfaltuar një rrugë, ndërsa Varri i Nuses, pjesë e Varrezave ka mbetur i veçuar dhe Varrin e kanë mbuluar, duke ia humbur gjurmët e lashtësisë. Për këto raste është njoftuar Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Nish dhe Inspektorati komunal, të cilat kanë intervenuar, por nuk janë evituar rastet e tjera, të rrezikuara nga shkatërrimi i përgjithshëm.

Përurimi

Për ta mbajtur gjallë frymën e trashëgimisë kulturore në këto vise shqiptare, keni organizuar konferenca shkencore dhe keni publikuar dhe botuar kumtesa e libra në këtë drejtim, apo jo?

Xhemaledin Salihu:  Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, në kuadër të veprimtarisë së saj ka botuar dhjetë libra me karakter shkencor: 7 libra në autorësi kolektive, të dala nga Konferencat shkencore dhe 3 libra në autorësi individuale. E këto janë: – Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2011; – Dasma shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur dhe sot,Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore  2012; –  Lugina e Preshevës në Lëvizjen shqiptare gjatë historisë, Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2013; – Presheva, Bujanoci, Medvegja, dje, sot dhe nesër, Prishtinë, Instituti Albanologjik, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2015; – Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të trojeve etnike në ish-Jugosllavi, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, Gjilan, Kurora, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2016; – Çështja e Luginës së Preshevës në dimensionin rajonal dhe ndërkombëtar: të drejtat e njeriut, siguria dhe marrëdhëniet shqiptare-serbe, Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore 2019; – Trashëgimia kulturore jomateriale shpirtërore e Luginës së Preshevës dhe viseve shqiptare, Preshevë,Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore 2019; – Bujanoci-burim i trashëgimisë kulturore dhe natyrore, Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore, 2014; – Rainca-vendbanim i vjetër dardan shqiptar në rajonin e Preshevës/ në autorësi të Xhemaledin Salihut, kryetar i SHTKK/, Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore  2015; – Xhemaledin Salihu, Presheva-pjesë e pandarë e Lëvizjes kombëtare nëpër shekuj /Monografi/, Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore 2018.

Cilat janë planet e Shoqatës në vitin 2020 dhe prioritetet e saj?

Xhemaledin Salihu:   Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore ka hartuar një program të punës për vitin 2020 me plotë aktivitete. Gjatë këtij viti, Shoqata, mbush 10 vjet, nga themelimi i saj dhe planifikojmë, që në këtë jubilar të nxjerr Monografi mbi veprimtarinë dhe aktivitetet e saja. Gjithashtu, do ta freskojmë shoqatën me kuadro të reja, sidomos me ekspertë të fushave përkatëse: arkeologë, arkitektë e tjerë. Me shumë peshë është edhe angazhimi për themelimin e një Muzeu dhe Arkivi në Preshevë dhe Bujanoc, do të organizohet Konferenca shkencore: ”Trashëgimia kulturore dhe natyrore e Luginës së Preshevës dhe viseve shqiptare”, më 23 e 24 tetor 2020; –  Realizimi i projektit “Edukimi i të Rinjve nëpërmjet Trashëgimisë kulturore dhe prezantimi i vlerave të trashëgimisë kulturore në komunën e Bujanocit, më 29 shtator, me rastin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë kulturore; –  Organizimi i Manifestimit  „Festa e Plisit të Bardhë“ në korrik të vitit 2020, në Caravajkë; –  Pjesëmarrja e SHTKK-së në Manifestimin Festa e Plisit të Bardhë, në gusht të vitit 2020, në Tiranë; –  Botimi i kumtesave në librin me konferenca shkencore: “Veshja e Medvegjës dhe viseve tjera”; Trashëgimia kulturore dhe turizmi”, si dhe një varg aktivitetesh, në realizimin e projekteve me shumë rëndësi për zhvillimin, promovimin dhe afirmimin e trashëgimisë kulture në Luginë të Preshevës dhe më gjerë.

Porosia

Për fund, si zakonisht, cili është mesazhi Juaj për lexuesit, qytetarët dhe institucionet?

Xhemaledin Salihu:   Kam një porosi të vetme për qytetarët e Luginës së Preshevës dhe institucionet e saja, në të gjitha nivelet, ta ndihmojnë moralisht dhe financiarisht Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, ngase duke ndihmuar atë, krijojnë kushte për hulumtime të reja dhe për studime në këtë fushë nga më të ndjeshmet e shoqërisë sonë shqiptare.  Trashëgimia kulturore në Luginë të Preshevës, ka rëndësi të madhe për një njohje më të mirë të saj.

Ruajtja, hulumtimi dhe promovimi i trashëgimisë kulturore të këtij rajoni, është gjithashtu i një rëndësie të madhe për studimin e së kaluarës, pa të cilën nuk kemi një të të ardhme të ndritur.

.

Image