21 vjet nga vrasja e Lajmëtarit të Lirisë që terrin e çante me flakadan në dorë, për të dhënë lajmin e madh të Lirisë së Dardanisë!

0
83
Loading...

 

Sot mbushen 21 vjet nga vrasja e lajmtarit të lirisë Enver Malokut, një nga themeluesit e Qendrës Informative të Kosovës(QIK-ut) dhe prej vitit 1993 e deri në vdekje e drejtoi me shumë sukses këtë Qendër, e cila u cilsua si Agjenci kombëtare e lajmeve.
Enver Maloku ishte një hero i gazetarisë shqiptare, zëdhënësi i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai është shembull si punohet për Atdheun, Ai e mbronte me ngulm legjitimitetin popullor të rezistencës kundër shtypjes serbe dhe njëherësh mbronte legjitimitetin po aq popullor të Presidentit Dr.Ibrahim Rugova dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës përballë okupatorit serb dhe forcave të ashtuquajtura ekstreme majtiste. Ai e dinte rrezikun e punës së tij, po nuk u ndal për asnjë moment.
Me vrasjen e Enverit mbi të gjitha dhe më së shumti u godit lëvizja për liri dhe pavarësi e Kosovës, ku ai, fund e krye, ish zëdhënësi më i përkushtuar i saj, ish vepruesi më i palodhur dhe i pandalshëm i saj dhe gazetaria shqiptare, ajo gazetari e guximit të paimagjinueshëm për kohën e rrethanat, që më së shumti i duhej dhe kish nevojë Kosova.
U godit, mbi të gjitha, njeriu që mendonte shqip, vepronte shqip, që gjërat i thoshte troç e shqip, njeriu që fillim e mbarim ndenji vertikal në rrugën drejt lirisë. Kjo goditje nuk ishte dhe nuk është as sot e lehtë, kur shihet, vërehet e shenjohet mungesa e Tij apo e një njeriu përmasash si Enver Maloku. Prandaj, retë e zeza nuk hiqen nga qielli i Kosovës pa u zbuluar dhe dënuar kriminelat dhe vrasësit e lirisë së Kosovës.
Për fat të keq , kjo nuk ndodh sepse, vrasësit siq po duket janë shumë më të fortë se institucionet e shtetërore, prandaj mungon guximi për t’u marr me ta, sepse prapa vrasësve qëndrojnë bosët e krimit të cilët e kanë kapur shtetin dhe drejtësinë.
Me të drejtë familja, shokët, miqtë dhe bashkëveprimtarët e Enver Malokut dhe e të gjithë të vrarëve politikë, shpresën e mbështesin te Gjykata Speciale, e cila do të duhej ta godas seriozisht krimin dhe ndriqimin e vrasjës së Enver Malokut dhe të gjitha vrasjet tjera politike në Kosovë. Pa gjykimin e fajtorëve nuk mund të ecë asnjë vend përpara. Bëjeni këtë për Kosovën e Enver Malokut, për të cilën ai punoi dhe dha jetën!
Ndërkohë që ne për këto 21 vite, jetojmë heshtjen dhe realitetin e jetës e të lirisë, me pyetjet pa përgjigje për drejtësinë. Ndërsa, dyert vazhdojnë të mbesin të hapura për të vërtetën që do ti jepte tjetër formë e përmbajtje kësaj jete, krejt tjetër kuptim lirisë, fjalës dhe ardhmërisë së Kosovës për të cilën aq shumë flasim e rrejmë kur betohemi dhe rrim gaditu para hymnit kombëtar!?
Siq dihet Enver Malokun e vranë në prag të shtëpisë, para syve të fëmijëve. E vranë, sepse dikush përpiqej të nxiste vëllavrasjen, ashtu sikurse ishte nxitur në vitet 1944-45 nga të ashtuquajturit komunistë. Për fat të keq e vranë Lajmëtarin që terrin e çante me flakadan në dorë, për të dhënë lajmin e madh të Lirisē së Dardanisë! E vranë dora e zgjatur e Serbisë, që për fat të keq fliste shqip, si herën e parë edhe herën e dytë në Agun e Lirisë!

Lavdi Heroit të kombit Enver Maloku!
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Derendingen,11 janar 2020

Haki Latifi

Loading...