Sportistët tanë në vendin e “huaj”, jo domosdoshmërish shembull i një integrimi të suksesshëm, por diçka tjetër!

0
302
 Lirim Begzati

Në shtetet perëndimore, integrimi paraqitet shpesh si një “modë” e kohës! Debatet për kuptimin e tij dhe prezantimi i kritereve që definojnë atë nuk e gjejnë çdo herë gjuhën e përbashkët.

Përzihen vizionet politike, juridike, sociologjike dhe shumë të tjera. Ata, të gjitha së bashku, nuk kanë arritur që të afrohen deri në konkludime që gëzojnë një definim unanim mbi këtë çështje. Duket se kjo as që do të arrihet një ditë!

Megjithëse kjo tematikë trajtohet dhe diskutohet pa ndërprerje, ajo ka marrë shpesh proporcione të çuditshme. Është krijuar një shprehi që termi integrim të përdoret aty ku duhet dhe aty ku s’duhet!

Nëse e marrim shembullin e skenës sportive, suksesete disa sportistëve me origjinë “të huaj”, të cilët janë bartës të shtetësisë së vendit ku jetojnë (apo edhe ku kanë lindur), cilësohen shpeshherë si rezultat i një integrimi të suksesshëm. Aq i përhapur ky fenomen në futbollin zviceran, ku siç dihet, ndër futbollistët më të suksesshëm janë disa lojtarë me origjinë shqiptare.

Nocioni “integrim” për këto simbole të futbollit zviceran, nuk pengon asgjë nëse ai prezantohet përmes një vlerësimi analitik objektiv. Por, siç duket, interpretimi i konceptit të tillë për këto raste konkrete mbanë sadopak ngjyrën e analizës sipërfaqësore.

Analizën tonë e mbështesim në faktet si vijojnë: nëse e kemi fjalën për një të ri, i cili që nga fëmijëria jeton në shtetin zviceran, aty ku e ka kryer shkollimin dhe kështu me radhë, atëherë çfarë logjike ka përdorimi i termeve të “integrimit” ?

Le të mos të harrojmë së pari se fëmijët apo të rinjtë në fjalë kanë kaluar rininë e tyre në të njëjtën hapësirë gjeografike, ndoshta edhe përmes të njëjtave etapa jetësore, ashtu si gjithë të rinjtë tjerë të konsideruar si “shtetas të pastër” të këtij shteti.

Para se të thuhet se ata janë të integruar në atë shoqëri, është më e arsyeshme pra të theksohet se këto të rinjë që janë rritur në atë shtet, ndoshta edhe kanë lindur aty, janë duke treguar suksese të jashtëzakonshme me punën e tyre.

Do të kishte më tepër domethënie nëse theksi i analizës përqendrohetnë sukseset, në punën e atyre të rinjve që çdokush iu a ka lakminë për rezultatet e arritura, pa pasur nevojë të theksohet edhe termi “integrim”. Në këto shembuj, integrimi në shoqëri mbetet pra i kuptueshëm, pa mos pasur fare nevojë që ai të përmendet!

Apo, nëse dikush ka aq kënaqësi që atë t’a theksoj shprehimisht, atëherë kjo le të vlejë për të gjithë ata të rinjtë (të vendit apo të “huaj” për disa) të cilët përmes një angazhimi të palodhur “integrohen” në punë apo në ndonjë aktivitet, qoftë ai sportiv apo tjetër.

Kështu, do të kishte qenë gjithashtu më e kuptueshme nëse thuhet se të rinjtë tanë janë të integruar me përsosmëri në aktivitetin që e ushtrojnë, pa pasur fare nevojë ti shtohet edhe ajo se, në cilësinë e tyre të “mërgimtarit”, janë mirë të integruar në një shtet të caktuar, në shtetin ku jetojnë.

E kuptueshme kjo, sepse ata, përpos origjinës së tyre shqiptare, janë edhe fëmijë të atij shteti. Ata kanë kaluar përmes proceseve dhe sfidave të rëndësishme jetësore, e jo domosdoshmërish përmes proceseve të quajtura nga dikush si “etapa të integrimit të një të huaj”.

Nëse shkojmë më largdhe nëse dikujt i “pëlqen” aq shumë termi “integrim” për shembullin që sapo e përmendëm, atëherë le të thuhet se është i integruar mirë në shoqëri çdo i ri apo e re që tregon rezultate për me ia pasur lakmi, pa marrë parasysh, se a është vendas i “pastër” apo jo.

Krejtësisht tjetër do të ishte analiza nëse thuhet se prindërit e dikujt, të cilët kanë ardhur në shtetin e caktuar janë integruar mirë në shoqëri. Janë në pyetje gjeneratat e “vjetra” të cilat kanë kaluar përmes sfidave të shumta, për me arritur aty ku janë sot.

Janë pikërisht prindërit e të rinjve tanë, të cilët me punën dhe angazhimin e tyre të palodhur, iu kanë hapur një rrugë të mbarë edhe fëmijëve të tyre. Edhe shembulli i lartpërmendur i prindërve të sportistëve tanë e dëshmon qartazi këtë!