Borxhi publik në Kosovë, mbi 1.2 miliard euro

0
612

Sipas të dhënave të fundit, borxhi publik në Kosovë ka arritur në 1 miliard e 208 milionë euro. Norma e interesit është 2,14 për qind e koha mesatare për kthimin e borxhit është 5.2 vjet.

1 miliard e 208 milionë euro është borxhi publik aktual në Kosovë. Në një tryezë të organizuar nga BIRN-i lidhur me borxhin publik në Kosovë zyrtarë nga Ministria e Financave pohuan se i njëjti ka filluar qysh nga viti 2009 për t’u rritur sot në këto shifra.

Kosova, sipas financierëve, ka vlerësime të larta për sa i përket hartimit të legjislacionit për borxhin publik, megjithatë nëse vazhdon të rritet ky borxh është evidente që vendi do të përballet me sfida.

Edhe Banka Qendrore e Kosovës ka vlerësuar se ky borxh është në nivel të mirë dhe joshqetësues.

Borxhi publik në Kosovë filloi nga 2009-a

Drejtori i Thesarit në Ministrinë e Financave, Ahmet Ismaili, në këtë tryezë ka folur për rregullativën për borxh publik, për sfidat, si dhe gjendjen e borxhit publik në Kosovë.

Sipas tij, viti 2009 shënon pikënisjen e hyrjes së Kosovës në borxh publik. “Kosova ka filluar të ketë borxh publik pas vitit 2009, pra pas pavarësisë, kur është bërë trashëgimi i kredisë së parë nga ish-Jugosllavia e që ka qenë obligim nga Banka Botërore dhe është zhvilluar më tutje.

Borxhi Publik në Kosovë menaxhohet në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, konkretisht me Ligjin për Borxhin Publik, si dhe me një sërë aktesh tjera nënligjore”, ka pohuar ai.

Megjithatë, sipas Ismailit, ka vlerësime si nga institucionet vendore, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare se Kosova ka të rregulluar mirë legjislacionin për sa i përket borxhit publik.

“Është vlerësim i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, që borxhi publik në Kosovë është i rregulluar mirë për sa i përket legjislacionit, ka praktika

të shëndetshme dhe të mira të menaxhimit, si dhe është në një nivel jashtëzakonisht të ulët, pra është diku rreth 17,5% në krahasim me bruto produktin vendor, por sigurisht që ka vënë në pah edhe disa sfida, që lidhen me kapacitetet dhe me gjëra të tjera”, ka thënë më tutje ai.

Ismaili ka folur edhe për dy llojet e borxhit publik në të cilat gjendet Kosova. “Borxhi publik i Kosovës përbëhet nga borxhi i jashtëm dhe i brendshëm. Borxh i brendshëm janë letrat me vlerë të Thesarit, nga 6 muaj deri në 10 vjet maturim letrat me vlerë kanë qenë një histori suksesi.

Sot letrat me vlerë përfshijnë diku 67% të borxhit. Ky raport ka ndryshuar viteve të fundit dhe tash në Kosovë mbizotëron borxhi i brendshëm dhe ai i përgjithshëm.

Borxhi ndërkombëtar ka filluar nga viti 2009 dhe përbën 33 për qind të portofolit të përgjithshëm”, ka thënë ndër të tjera ai.

Deri në muajin nëntor borxhi publik në Kosovë ka arritur në 1 miliard e 208 milionë euro. “Sipas të dhënave të fundit, borxhi publik ka arritur në 1 miliard e 208 milionë euro.

Norma e interesit është 2,14 për qind, koha mesatare për kthimin e borxhit është 5.2 vjet. 11% e borxhit është valutë joeuro.

Nga kreditë e ratifikuara i dedikohen infrastrukturës, energjisë, ujit, mjedisit, bujqësisë, arsimit etj. Prin energjia e ripërtëritshme dhe infrastruktura”, ka pohuar ai.

Drejtori i Thesarit në Ministrinë e Financave ka folur edhe për sfidat, me të cilat ballafaqohet borxhi publik në Kosovë.

Sfida kryesore, niveli i shfrytëzimit të këtyre mjeteve ka qenë i ulët, shpeshherë i papranueshëm. Ne kemi filluar të raportojnë në Qeveri për shkaqet se pse nuk po ekzekutohen këto investime kapitale, edhe pse mjetet janë të aplikuara në mënyrë që organizatat buxhetore të përballen në qeveri dhe t’i tregojnë këto shkaqe.

Sfidat kanë të bëjnë me kuadro profesionale, me procedurat e prokurimit, me shpronësimet e me procesin buxhetor. Në dy-tre vjetët e fundit ka përmirësim.

Nga të dhënat e fundit, 480 milionë euro është vlera e kredive të aprovuara, por nuk janë shfrytëzuar ende për arsye të ndryshme.

Dy marrëveshje janë që po presin në Kuvend, njëra për kadastrën dhe tjetra për fuqizimin e sektorit financiar ose fondi për fuqizimin e kredive”, tha ai më tutje.

Havolli: Borxhi publik është në nivel të mirë

Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, ka thënë se është e nevojshme ndërmarrja e hapave pozitivë e jo të merret borxhi publik gjithmonë në konotacionin negativ.

“Borxhi merr konotacion negativ në çdo diskutim, por duhet t’i marrim anët pozitive që lidhen me financimin e investimeve kapitale.

Borxhi publik duhet të shihet si element pozitiv për financimin e investimeve afatgjate. Normat e interesit janë relativisht të ulëta.

Mund të konstatojmë që 10 vjetët e ardhshëm do të jenë të vlefshëm për financim të investimeve kapitale përmes borxhit publik. Në pikëpamjen e BQK-së borxhi publik është në nivel të mirë”, tha ai.

Ndërsa Qerkin Morina, nga Zyra Kombëtare e Auditimit, tha se Qeveria e Kosovës hyn në borxh pa qenë gati t’i ekzekutojë projektet.

“390 milionë kredi të ratifikuara, që nuk janë tërhequr, sepse organizatat buxhetore nuk kanë qenë gati. Gjatë vitit janë paguar 19 milionë euro kamata.

Borxhi si total, sipas tremujorit të tretë, është 17.4%. Pavarësisht rekomandimeve tona që të ndërpritet praktika për të hyrë në obligime para se të jemi gati, po shihet që kjo shumë është rritur për 100 milionë dhe kjo ka shkuar në 490 milionë euro.

Nuk ka përmirësim, Qeveria hyn në borxh pa qenë gati për ekzekutim të projekteve”, tha Morina.

Murati: Borxhi publik, i paqëndrueshëm

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i cili është njohës i çështjeve të ekonomisë, ka thënë së në pesë vjetët e fundit borxhi i jashtëm ka pasur rritje 80 milionë euro, ndërsa borxhi i brendshëm 500 milionë euro.

Sipas Muratit, ky borxh nuk është i qëndrueshëm.

“Nëse shohim, kemi pasur në vazhdimësi rritje të shpenzimeve rrjedhëse, të cilat është vështirë të zvogëlohet dhe të ketë rritje të investimeve kapitale.

U tha që borxhi publik është diku 1.2 miliard euro, mesatarja është 120 milionë euro në vit, që është dashur të financohet nga borxhi publik.

Në pesë vjetët e fundit në borxhin e jashtëm kemi rritje 80 milionë euro neto, kurse te borxhi i brendshëm 500 milionë euro, ky borxh nuk është i qëndrueshëm”.