PSE SHTETI I KOSOVËS E FSHEHU KRIMIN KUNDËR ASTRIT DEHARIT?!

0
179
Loading...

 

 

Në vitin 2010, gjatë studimeve për film dhe animacion në Zürich, kisha marrë për detyrë të përgatisja një film dokumentar.
Filmi do të kishte pikënisje shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Dëshiroja të veja në pah, shpresën e ngjallur të kosovarëve, për një jetë më të mirë e me perspektivë në shtetin e ri, ku përndjekjet politike e dhuna tashmë dukej se ishin e shkuara e atij vendi.
Në Zvicër, ndërkaq, tek shumë qytetarë vendas, akoma ekzistonte perceptimi se, Kosova ishte vendi i eksportimit të refugjatëve.
Kjo gjë më brengoste, meqenëse nuk përkonte me realitetin, pasi njihja shumë familje që e kishin lënë Zvicrën dhe kishin filluar një jetë të re në vendlindje.
Njëra nga ato familje ishte edhe familja e Avni dhe Xhemile Deharit.
Me Avniun e Xhemilen ishim takuar për herë të parë në Zvicër. Për Avniun ndërkaq, kisha dëgjuar edhe më herët. Ai kishte punuar profesor në Kumanovë dhe për shkak të veprimtarisë atdhetare qe përndjekur nga pushteti jugosllav e maqedonas. Në Kumanovë e në rrethe të ndryshme intelektuale, flitej me shumë respekt për të, edhe si veprimtar por edhe si shkrimtar i dalluar. Shkruante kryesisht për fëmijë. Pas emigrimit në Zvicër, për një kohë, kishte drejtuar gazetën „Zëri i Kosovës“.
Fëmijët e mi ishin rritur duke lexuar librat e tij, e sidomos librin „Saja fluturuese“. Shokët që e njihnin më mirë, e përshkruanin po aq të dashur me fëmijët, sikur edhe që mund të merret me mend, për një shkrimtar që shkruan për fëmijë.
– Avniu i ka tre fëmijë, të gjithë të shkëlqyeshëm. Fëmijë të edukuar për mrekulli – më tregoi njëherë një shok imi, që shoqërohej familjarisht me Avniun. – Ai e ka një princip: në kulmin e bisedës për një çështje të rëndësishme me shokë, poqë se i afrohet fëmiu dhe e pyet diçka, ai e ndërpret bisedën dhe i kthen përgjigje atij, pastaj vazhdon bisedën ku ishte, – më tregonte ai. Ky ishte vërtet një vyrtit shembullor i tij.
Xhemilja ndërkaq, kishte bërë punë të mëdha në Bern. Ajo, me ndihmën e Avniut, e të miqëve tjerë të tyre, po mbanin gjallë Qendrën Kulturore Shqiptare në Bernë. Ishin njerëz të dashur dhe kishin krijuar lidhje të fuqishme me vendasit zviceranë, të cilëve ua prezantonin me pasion kulturën shqiptare.
Nuk kisha asnjë dilemë, pjesë e filmit tim do të ishte familja e Avni Deharit i cili qe kthyer tashmë në Kosovë dhe punonte në Kuvendin e Kosovës si lektor.
Natyrisht, edhe dakordimi i tij, pas konsultimeve në familje, ishte i pritshëm për mua.
Bashkë me kameramanin Ahmet Murtezi, në një mbrëmje të shkurtit të ftohtë, gjetëm ngrohtësinë në familjen Dehari në Lagjen e Spitalit në Prishtinë.
Vajza e tyre Albana nuk kishte mundur të vinte, ishin vetëm djemtë e Avniut, Arbnori dhe Astriti.
Avniu fliste për krijimtarinë letrare e për arsyet e kthimit.
– Pas çlirimit të Kosovës, edhe po të na jepnin krejt Zvicrën ne nuk do të qëndronim atje. Jeta jonë nuk mund të merrej me mend më në Zvicër, ndonëse atje kishim kushte shumë të mira jete edhe ishim të mirëpritur gjithkund. – theksonte Avniu.
Arbnori dhe Astriti, të dy djem të rinj, ishin shumë të pjekur për moshën e tyre.
– Jam kthyer që të ndërtoj vendin tim. Nëse ne rinia nuk e bëjmë këtë, kush ta bëjë tjetër? Ishte konstatim i vendosur i Arbnorit i cili tashmë ishte aktivist i dalluar i Lëvizjes „Vetëvendosje”.
– Nuk ma merr mendja të kthehem në Zvicër! Atje mund të shkoj vetëm për pushime, por unë dua të jetoj këtu. – Ishte konstatimi me po aq vendosmëri i Astritit.
Ishte mahnitëse. Të edukuar, të thjeshtë e të sjellshëm, por edhe të vendosur për ta ndërtuar vendin, dukeshin Arbnori dhe Astriti. Në fakt ata kishin trashëguar shumëçka nga prindërit, e mbi të gjitha urtësinë dhe vendosmërinë.
Dhe ndodhi ajo që kurrë nuk mund ta kisha marrë me mend!
Në qershor të vitit 2014, Arbnor Dehari, një djalë energjik e plot shpresë për jetë, thuhet se u hodh nga dritarja dhe u gjend i vdekur. U tha se ishte „vetëvrasje“. Familja nuk i besoi kësaj. Kërkuan të bëheshin hetime më të thella, por u injoruan. Për “koincidencë”, edhe hetuesi që po merrej me rastin, një ditë do të gjendet i vdekur. Misteri e kaploi këtë rast, por pakkush donte të fliste me shumë zë. Sikur nuk mund të besohej se çfarë kishte ndodhur. Sido që të ishte, familja kishte humbur djalin e madh, dhe kërkonte shpresë me djalin e vetëm që u kishte mbetur, pa u dorëzuar në përpjekjet për të arritur drejtësinë.
E pamundur, thosha me vete, nuk mund ta besoj këtë version të vdekjes. Nuk ka mundësi që ky djalë i ri me plot energji të përfundojë në vetëvrasje.
Kërkesat e familjes u injoruan nga pushteti, e organizata ku bënin pjesë djemtë e tij, u etiketua sikur dëshironte të përfitonte politikisht me këtë rast tragjik.
Lajmi për vdekjen e Arbnorit u përhap gjithkah dhe shkaktoi indinjatë të thellë.
Dokumentarin e xhiruar e publikova në rrjete sociale dhe u shpërnda shumë. Aty shihej vullneti i Arbnorit për jetë dhe vendosmëria për të ndërtuar një shoqëri të re.
Më pastaj, po këtë dokumentar, u detyrova ta afishoj edhe pas dy vjetësh, kur erdhi lajmi tjetër i kobshëm. Djali i vetëm që i kishte mbetur Avniut dhe Xhemiles, gjendet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren!
Ishte arrestuar me një akuzë të pabazë, e cila kishte për synim ta inkriminonte organizimin ku bënte pjesë Astriti.
Prokurorët e hetuesit me shpejtësi konstatuan „vetëvrasjen e tij“. Kosova nuk i besoi këtij konstatimi. Qytetarët dolën në rrugë për të kërkuar drejtësi. Presidenti i vendit, me cinizëm ia dërgoi një telegram ngushëllimi familjes, të cilin ajo e refuzoi. Hetimet u bënë shkel e shko e familja u përbuz si më së keqi. Makineria propagandistike mediale, pa kurrfarë etike solli informacione, video e fotografi, të cilat shkonin në drejtim të arsyetimit të prokurorisë e policisë.
Si është e mundur?! Si tregohen kështu të pashpirt me një familje atdhetare?!
Avniu e Xhemilja, pas luftës në Kosovë, kishin marrë fëmijët e ishin kthyer në vendlindje për të ndërtuar një jetë të re e të lumtur. Si është e mundur që një familje me ideale kaq të larta të humbte dy djemtë tyre në rrethana të errëta, e shteti, për të cilin ata kishin dhënë aq shumë, të sillej me aq cinizëm?!
Shteti ngulte këmbë në versionin e vetëvrasjes i cili dukej shumë i mistershëm, meqenëse sjellja e shtetit ishte gjithashtu e mistershme. Ata nuk tregonin një vullnet për hetim serioz e të pavarur. Gjithçka dukej sikur një orkestrim kriminal.
Dhe ja tani, pak para se të bëhen tre vjet të vdekjes së mistershme të Astritit në burgun e Prizrenit, një ekip i pavarur i mjekëve ligjor nga Zvicra, solli konstatimin bombë: Astrit Dehari nuk ka bërë vetëvrasje!
Kjo përmbysi gjithçka e dhembja për Astritin u kthye edhe njëherë, sikur ajo vrasje të kishte ndodhur tani.
Edhe me rastin e ardhjes së këtij raporti, shteti tregoi një cinizëm të paparë. Prokuroria e kishte mbajtur të fshehur për disa ditë këtë raport, dhe edhe pas njoftimit se raporti ka ardhur, nuk iu dha një kopje e origjinalit familjes, me arsyetimin se së pari duhet përkthyer. Kjo u kuptua se ata duan të fitojnë në kohë, për të bërë ndonjë manipulim të radhës. Kjo pra shtoi edhe më shumë dyshimet se, prokuroria dinte shumëçka por dëshironte të fshehte qëllimisht. Rrjedhimisht kjo shtonte dyshimet se shteti kishte gisht në vdekjen e Astrit Deharit.
Gabimet e prokurorisë ishin të panumërta. Së pari nuk ia dhanë raportin në origjinal familjes Dehari dhe hodhën dyshime se dëshironin të fshihnin diçka. Pastaj, kur u përkthye ky raport, pasi ia dorëzuan familjes Dehari, u pa qartë se përkthimi kishte defekte të rënda. Pjesë të raportit, në pjesët më të ndjeshme e më të rëndësishme të tij, nuk u përkthyen mirë ose nuk u përkthyen fare. Kështu ndodhi sidomos me pjesët që tregonin qartë se fjala nuk ishte për vetëvrasje, dhe hidhte dyshime për përfshirjen e një personi tjetër në krim.
Kjo ka shtuar zemërimin e drejtë të qytetarëve dhe ka shtuar pasigurinë në shtetin tonë të ri. Dhe kjo më duket krejtësisht e bazuar, meqenëse në këtë shtet, ku shumë prindër po i rrisin fëmijët e tyre, domosdo që do të brengosen për fatin e shtetit, se në duar të kujt është ai. Kur shteti sillet me kaq papërgjegjësi e cinizëm, ose edhe më keq, kur shteti të burgos pa fakte, madje edhe dyshohet se të vret në burg, kjo është kulmi i një sistemi, i cili nuk ka ndonjë emër që lidhet me demokracinë.
Ky rast dëshmon se, nëse ka divergjeca rreth asaj se a ka shteti gisht në vrasjen e Astrit Deharit, këto divergjenca nuk ekzistojnë lidhur me atë se shteti ka gisht në fshehjen e së vërtetës për këtë rast. Ajo që është thelbësore në këtë rast ka të bëjë me çështjen: Pse shteti i Kosovës e fshehu krimin kundër Astrit Deharit?!
Prandaj, momenti i këtij raporti nga mjekët ligjorë zviceran, është një test i ri për vendin tonë, dhe një pikë ku shteti ynë duhet të shkëputet nga strukturat e krimit që e kanë mbërthyer dhe po e lënë pa frymë.
Rruga për çlirim nga këto struktura, kalon përmes ndriçimit të plotë të rastit të vdekjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit në nëntor 2016. Krahas kësaj, duhet të ndriçohet edhe rasti i vëllait të tij Arbnor Dehari, i cili po ashtu ka humbur jetën në rrethana të errëta.

Adnan Asllani

P.S.
Më poshtë gjendet linku ku mund të shihet dokumentari në të cilin protagonistë janë familja Dehari. Shihe nga minuta 7:25
https://www.facebook.com/adnanasllani.ch/videos/1906566222789/

Loading...