Mbi 30 milionë për Ligjin e punëtorëve të arsimit për vitet 90-ta

0
253

Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës 1990/99, u miratua sot në Kuvendin e Kosovës.

Ky Projektligj ka kaluar me 71 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Përfitues të këtij statusi të veçantë do jenë mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesionalë, drejtori dhe zv.drejtori i shkollës, personeli administrativ, personeli teknik i shkollave, të punësuarit në arsimin e lartë sipas sistemit të arsimit shqip, institucionet, organet dhe institutet e tjera që kanë qenë pjesë e arsimit të kësaj periudhe.

Pensionet e parapara parashihen të jenë 65 përqind deri në 75 përqind të rrogës bazë.

Por ky projektligj, kaloi edhe pse Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), i pati bërë thirrje Kosovës të mos vazhdojë tutje me ligjin për punëtorët e arsimit gjatë viteve 1990, sepse do të ishte një kosto shumë e lartë për një vend të varfër siç është Kosova.

Ankesa për këtë projektligj pati edhe Instituti për Studime të Avancuar GAP, ku sipas tyre ky ligj përfshin të gjithë punëtorët e arsimit të viteve 90-ta, madje edhe ata që kanë kontribuar në sistemin arsimor vetëm një vit.

Ndërsa nga ministria e Financave, kanë konfirmuar se janë të bërë përgatitjet për këtë projektligj, mirëpo ka mangësi sa i përket kategorizimit të përfituesve dhe kjo mund të ketë implikime buxhetore.

“Vlerësimi është bërë shumë mirë, mbi 20 mijë punëtorë të arsimit janë në ato lista, ne si ministri në bazë të të dhënave të shkollave e kemi bërë vlerësimin se ky projektligj ka implikime me kosto prej 37 milionë euro mirëpo kjo shifër mund të rritet deri në 100% pas kategorizimit të përfituesve. Ne duhet ti ndajmë kategorinë e parë dhe të dytën në bazë të përvojës së punës”, tha Mevlide  Shanolli nga Ministria e Financave.

Kujtojmë se veq kostos se ketij ligji , buxheti i shtetit eshte ngarkuar edhe me gati 120 milionë euro shtesë,  për punëtorët e sektorit publik brenda një viti, me Ligjin e ri për Paga, të miratuar poashtu gjatë muajit shkurt nga Kuvendi i Kosovës.

Ndryshe Ministri i Financave, Bedri Hamza ka paralajmëruar se rritja ekonomike për vitin 2019 do të jetë 4.7 për qind.