Banorët ankohen për prishje të qetësisë publike nga bizneset hoteliere

0
145

Industria e gastronomisë në vendin tonë, cilësohet si e treta për nga rëndësia në Kosovë. Gastronomët janë një ndër  kontribuesit më  të mëdhenj për buxhetin e shtetit, por edhe në punësimin e qytetarëve në vend.

Mirëpo, problemet që po hasë kjo industri në ditët e fundit, sidomos në Prishtinë  ka filluar të zbehë objektivat e këtij sektori në vend.

Kjo po vjen si shkak se në kryeqytet, ditëve të fundit, policia ka zhvilluar disa aksione, ku ka mbyllur lokalet e natës dhe ka larguar konsumatorët, për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve për prishjen e qetësisë publike.

Edhe pse, me ndërmjetësimin e Komunës së Prishtinës, ditë më parë u mbajt një takim në mes të gastronomëve dhe qytetarëve ankues dhe u vendos, që cdo të hënë, të martë, të mërkurë, të enjte dhe të diel, ato do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në ora 23:00, kurse çdo të premte dhe të shtunë do t’iu mundësohet zgjatja e orarit deri në ora 00:00, kjo marrëveshje nuk ka ndalur ankesat nga qytetarët e shumtë në shumë pjesë të qytetit.

Zyra për Komunikim e Policisë së Rajonit të Prishtinës, kanë thënë se këto aksione janë zhvilluar pas kërkesave të shumta të qytetarëve të cilët jetojnë në afërsi të atyre lokaleve.

“Numri i ankesave nga qytetarët kalon shifrën 20 në baza ditore dhe vlera e gjobave të shqiptuara nga policia nga 1 janari pwr kwto lokale ka arritur nw mbi 30 sosh”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për komunikim të policisë.

Ndërkaq, Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës, përmes një reagimi në Facebook ka shkruar se bizneseve po u bëhet e padrejtë, pasi sipas tyre në kryeqytet janë mbi 700 biznese të cilat punësojnë me mijëra të rinj.

Ata kanë kërcënuar edhe me mbyllje të lokaleve të veta.

“Nëse këto masa do të vazhdojnë ndaj nesh, ne mbase edhe mund të ju dëgjojmë, të ndalemi tërësisht, ti mbyllim gjitha lokalet tona, që ju ta vëreni për disa ditë së paku, mungesën që do ta kishte qyteti pa bizneset që ne i kemi, prej të cilave ju përfitoni në shumë nivele, si në punësim, taksa dhe shumëçka tjetër” thuhet në reagimin e KGK-së.

Pronari i një kafiterie në kryeqytet than se  pavarësisht se ata respektojnë orarin e ri të punës, kanë ankesa nga banorët për zhurmë.

“Jemi duke e respektu orarin e ri në përpikmëri por ankesa nga banorët që e thërrasin policinë edhe pse na i informojmë që jemi tu punu në bazë të rregullave që i kemi, mirëpo qytetarët e kanë kuptu që sa herë po e thërrasin policinë, ata po vijnë dhe banorët po e shfrytëzojnë këtë mundësi”, shton menaxheri i lokalit.

Në krah të gastronomëve ka dalur edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi i cili thotë se fushata kundër tyre duhet të ndalet.

“Mbi 50% kemi rënie të qarkullimit te bizneset e gastronomisë, përfshirë edhe biznese që në asnjë moment nuk e prishin qetësinë publike. Brenda një jave, mesataret e gjobave kanë arrit në 1000 euro, në secilin nga këto biznese, ka shkruar Rukiqi në Facebook.

Sipas Rukiqit, ky fakt nuk duhet të anashkalohet

“Dëmet në gastronomi kanë efekte zingjirore në sektorin prodhues, në tregtinë me shumicë në tregti me pakicë, shërbime të ndryshme, patundshmëri, ka shtuar kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi.