Serbia keqpërdorë marrëveshjet e arritura me Kosovën

0
236

Dialogu me Serbinë është nisur gabimisht, pa një platformë paraprake të analizuar mirë në përputhje me konceptin strategjik të shtet formimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike ku si as tyre, dështimet e njëpasnjëshme në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mes të Prishtinës dhe Beogradit kanë bërë që procesit të dialogut tanimë ti humb edhe vet kuptimi. Zyrtari i LDK-së Bajram Gecaj, ka thënë se dialogu nuk ka alternativë.“Fatkeqësisht në njërën anë kemi elementi destruktiv nga ana e Serbisë, e në anën tjetër Qeverinë e Kosovës së cilës i ka humbë rruga në oborr. Prandaj, unë nuk jam shumë optimist se gjërat mund të bëjnë në binarë në një afat të shkurtër kohorë”, ka thënë Gecaj.

Haskuka: Dialogu ka qenë i destinuar të dështojë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka ka vlerësuar se dialogu ashtu si ka qenë e dizajnuar për çështjet e brendshme të Kosovës ka qenë e destinuar të dështojë.

Sipas tij, Serbia ka arritur shumicën e kërkesave lidhur me Kosovën prandaj edhe nuk i intereson tani të implementojë ato pak pika lidhur me Kosovën.“Fajtori kryesor i këtyre dështimeve me marrëveshjet e nënshkruara është ekipi negociator, Presidenti i tanishëm Hashim Thaçi dhe kryeministri i kaluar Isa Mustafa, presidenti, nga dhjetëra marrëveshje vetëm dy apo tre kanë qenë pika të kërkuara nga Kosova, pra dhjetëra marrëveshje në dëm të Kosovës u implementuan nga institucionet tona, gjersa vetëm një apo dy të kërkuara nga Kosova nuk u implementuan nga Serbia. Ne si Lëvizje dhe unë personalisht kemi qenë kundër bisedimeve me Serbinë, derisa Serbia nuk e pranon Kosovën si shtet të pavarur dhe nuk paguan për dëmet e luftës në Kosovë, nuk tregon për fatin e të pagjeturve dhe nuk i kthen fondet bankare dhe pensionale të Kosovës. Në këtë aspekt ne kemi kërkuar ndalimin e dialogut me rezoluta të Kuvendit të Kosovës, dhe shumë nga kërkesat e këtyre rezolutave nuk janë përmbushur nga Serbia, prandaj dialogu duhet të ndalet”, ka thënë deputeti Haskuka.

Neglizhenca në zbatimin e marrëveshjeve

Në anën tjetër, profesori i së Drejtës Evropiane, Emrush Ujkani nuk beson që BE dhe Bashkësia Ndërkombëtare do të lejoj dështimin e dialogut pasi që kanë investuar një kohë të tërë në arritjen këtyre marrëveshjeve.“Kosova dhe Serbia të dyja janë ato që kanë përgjegjësi për zbatimin e marrëveshjeve. Ju e dini që një pjesë e mirë e këtyre marrëveshjeve kanë ngecur për shkak se pala serbe po vazhdon me avazin e vjetër dhe këtu natyrisht që presioni duhet të jetë më i madh nga BE mbi Serbinë. Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe si e tillë duhet të ketë tretman të posaçëm andaj mendoj që institucionet e Kosovës duhet të këmbëngulin në zbatimin në të tërësi të kësaj marrëveshje për të ecur tutje me dialogun”, ka thënë profesor Ujkani.

Kurse, Sami Blakaj njohësi i Integrimeve Evropiane ka thënë se dialogu me Serbinë tashmë ka vetëm një epilog dhe ai është dështimi i tij.