XHAMIA E FSHATIT GARE NË PRESHEVË TË MBROHET SI MONUMENT ME VLERA FETARE DHE KOMBËTARE

0
840

Kjo është xhamia e fshatit Gare të Malësisë së Karadakut në Luginë të Preshevës, në të cilën gjyshi im Mulla Nuredin Xhemaili-Maxhera kishte shërbyer si hoxhë për disa vjet deri në ditën e arrestimin dhe burgosjen e tij në vitin 1962 nga xhandermëria e Rankoviqit dhe OZNA jugosllave.

Mulla Nura në këtë xhami për veç ligjeratave fetare një kohë të çmuar ia kushtonte „vajzin patriotik“ xhematit të tij me ligjerata mbi çështjen kombëtare shqiptare, e cila kishte mbetur e pazgjidhur dhe tradhëtinë që iu ishte bërë kësaj çështje me anashkalimin e vetëvendosjes së popullit tone shqiptarë dhe moslejimin e bashkimit me Shqipërinë.

Për këtë arsye ai edhe u burgos dhe u denua me disa vite burg të rëndë në Vrajë të Serbisē. Në ditën kur ishte arrestuar hoxha kishte qëlluar në gjumë të mëngjesit, (sepse pas e falte sabahin e kishte adet të flente pakëz) duke mos iu trembur aspak arrestimit dhe njëri nga inspektorët e OZN-ës së atëhershme e kishte pyetur se pse ti flen ditën, kurse tjetri ishte përgjigjur se ky flen ditën për t’iu mbajtur ligjerata kombëtare xhematit të tij natën.

Kjo xhami tani është e boshatisur dhe e lënë në mëshirën e kohës dhe i tërë fshati Gare që gjendet në kufi me Kosovën është boshatisur pët shkak të kushteve të rënda, por dhe pasigurisë nga forcat e ndryshme të Serbisë.

Do të ishte mirë që Komuna e Preshevës këtë objekt ta rinovojë dhe ta ruaj si objekt me vlera fetare, por edhe si trashigimi kulturore e me vlera kombëtare. Sepse, nga kjo xhami jo vetëm që kishte punuar Mulla Nura një kohë të gjatë, ky patriot dhe dijetar islam, por nga këtu kishin dal edhe shumë frymëzues dhe veprimtarë të çështjes kombëtare. Ky monument fetar duhet të ruhet dhe të mos rrënohet nga mëshira e kohës. FR

(25.01.2018)